Çdo shtetas ka të drejtën të gëzojë kushte normale jetese


Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH-ja) gjatë ditëve të fundit ka kontaktuar në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit me qytetarë të shtresave të ndryshme shoqërore si: nëpunës, të papunë, fermerë, përfaqësues të minoriteteve, pensionistë, studentë, etj. Gjatë bisedave me ta, ata kanë shprehur pakënaqësi dhe shqetësimet e tyre lidhur me aspekte të ndryshme të jetësës, në mënyrë të veçantë: për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, perimeve dhe bukës, papunësinë, arsimimin e fëmijëve. Përfaqësues të KSHH-së kanë parë kushte teje të rënda në shumë familje të vizituara prej tyre.

Për Komitetin Shqiptar të Helsinkit është e pajustifikueshme dhe e papranueshme që pas 17 vjetësh të kalimit në sistemin e ekonomisë së tregut ka ende familje që nuk janë në gjendje të sigurojnë ushqimin ditor dhe që marrin ushqime me listë, madje edhe në kryeqytetin e vendit.

Tërheq vëmendjen fakti se ndonëse deklarohet për ulje të nivelit të papunësinë, ky nivel vazhdon të jetë i lartë. Mjaft familje shqiptare përballen me probleme të mprehta ekonomike dhe të mbijetesës që jo në pak raste, ka sjellë pasoja të rënda për jetën e tyre e të fëmijëve, si sëmundje dhe deri në shkaktim vetvrasje.

KSHH-ja shpreh shqetësimin dhe mendon se para kësaj situate kërkohet vëmendje e veçantë e organeve të qeverisisje vendore, të përfaqësuesve të popullit në Parlament dhe sidomos nga Qeveria Shqiptare. Është e nevojshme të vlerësojnë me kujdes, të identifikojnë dhe të përditësohen të dhënat për familjet me probleme ekonomike, sociale dhe që kanë nevojë për mbështetje.

KSHH-ja kërkon nga Qeveria shqiptare që të informojë me transparencë publikun lidhur me masat konkrete që do të marrë për minimizimin e varfërisë dhe të numrit të familje që jetojnë nën minimumin jetik, të bëjë një vlerësim real të minimumit jetik dhe të marrë masa urgjente në mbështetje të familje që ndodhen në kushte ekstreme të varfërisë.

KSHH-ja shpreh shqetësimin se një shtresë e konsiderueshme sociale për shkak të rritjes së pakontrolluar të çmimeve është varfëruar më shumë ç’ka vështirëson jetesën e tyre. Vlen të përmendet, se megjithë premtimet e bëra për një rritje të mirëqënies së shqiptare, ato mbeten në deklarata zhgënjyese.

KSHH-ja e shikon të nevojshme të theksojë se e drejta për jetën nënkupton të drejtën për të jetuar si qënie humane dhe se kjo e drejtë mund të realizohet nëpërmjet sigurimit të një mireqënie normale të çdo shtetasi në Republikën e Shqipërisë.

Ashtu siç thuhet edhe në nenit 25 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut:

“Çdo njeri ka të drejtën për një nivel jetese të mjaftueshëm për të siguruar shëndetin, mirëqënien e tij dhe të të familjes, veçanërisht për ushqimin, veshjen, strehimin, trajtimin mjekësor si dhe për shërbimet sociale të nevojshme……. “

KSHH-ja sjell në vëmendjen e qeverisë se ajo ka detyrimin për mirëqënien e fëmijëve dhe kujdesin ndaj tyre. Ndaj identifikimi në rradhë të parë i fëmijëve që jetojnë në familje që ndodhen në kushte ekstreme është detyre urgjente.

Në kushtet e ekonomisë së tregut dhe kur vendi aspiron të bashkohet familjes europiane, KSHH –ja i rekomandon Qeverisë Shqiptare që të përdorë mekanizmat e kontrollit të rritjes së çmimeve në mënyrë abuzive, të monitorojë zbatimin e strategisë lidhur me reduktimin e varfërisë, të mobilizojë të gjitha burimet lidhur me mbështetjen e familjeve në nevojë ekstreme dhe të hartojë politika subvencionuese për produktet jetike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2019 >
December
MoTuWeThFrSaSu
      1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031     
TOP