DISA MENDIME DHE SUGJERIME TË KOMITETIT SHQIPTAR TË HELSINKIT PËR PROJEKTLIGJIN “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 8116, DT. 29.03.1996 “KODI I PROCEDURËS CIVILE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR

Zhvillimet dhe ndryshimet e vazhdueshme të marrëdhënieve shoqërore dhe të qarkullimit civil, domosdoshmërisht duhet të reflektojnë në legjislacion, në veçanti atë procedural. Reflektimi i fundit sa i perket Kodit të Procedurës Civile ka qenë me ndryshime thelbësore në vitin 2009. Tashmë ka një arsye më tepër që kushtëzon zhvillime të reja të legjislacionit. Është Reforma në Drejtësi, krahas korrigjimit të instituteve të veçantë, të cilët kanë paraqitur probleme në zbatimin në praktikë.

E drejta proceduriale civile është e lidhur ngushtë me të drejtën kushtetuese, për arsye se jo vetëm ka një mbështetje të gjerë në të, por për mjaft çështje parimore që rregullon e drejta procedurale civile, përputhet me të drejtën kushtetuese dhe ndryshimet thelbësore kushtetuese, nuk mund te bashkëjetojnë me zgjidhje te vjetëra të procedurës civile. Në mënyrë të veçantë procedurat gjyqësore për gjykimin e çështjeve të çdo natyre janë të rëndësishme, pasi ato duhet t’u garantojnë të gjithë shtetasve akses efektiv, gjykim të drejtë, gjykim brenda një afati të arsyeshëm, paanshmëri dhe pavarësi si dhe garanci të tjera të rregulluara nën suazën e nenit 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që sanksionon të drejtën për një proces të rregullt.

Në përmbushje të misionit të tij, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka në fokus të vazhdueshëm të veprimtarisë së tij, zhvillimet e sistemit tonë të drejtësisë, në veçanti ndryshimet dhe përmirësimin e legjislacionit material dhe procedural. Pothuajse të gjitha organizmat kombëtare dhe ndërkombëtare, në vlerësimet e tyre dallojnë një opinion me nota tepër kritike për sistemin gjyqësor. Kritikat shpesh herë janë adresuar në drejtim të legjislacionit material dhe procedural, duke rekomanduar përqasjen e tij me legjislacionin e Bashkimit Evropian si dhe me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në vlerësimin tonë ndryshimet e propozuara, pavarësisht vërejtjeve dhe arritjes së objektivit, janë rrjedhoja edhe të nevojës së përqasjes së legjislacionit procedural civil me standardet e krijuara nga Konventa Evropiane “Për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore” dhe praktikat bashkëkohore.

Për shkak të rëndësisë që paraqet, projektligji i propozuar tërhoqi vëmendjen tonë edhe pse në një kohë kur jemi në një situate, ku po diskutohet një paketë voluminoze prej 27 projektligjesh të reformës në drejtësi, të cilat kanë interes të veçantë por nga ana tjetër duan kohën e nevojshme për të dhënë komente cilësore dhe të mirë studiuara. Në këtë drejtim, KShH vlerëson se do të japë një kontribut modest të përmbledhur në materialin në vijim:

1. Ndryshimet e propozuara deri në nenin 96/a të Kodit të Procedurës Civile, në lidhje me provat dhe nëpunësin gjyqësor, nuk i kundërvihen të drejtave të palëve në proces dhe gjejnë mirëkuptimin nga ana jonë.

Në lidhje me ndryshimin, duke parashikuar nenin 96/a të Kodit të Procedurës Civile “Përfaqësimi i palëve në Gjykatën e Lartë bëhet vetëm me avokat”, duhet vënë në dukje që, kjo dispozitë i mohon të drejtën e përfaqësimit një kategorie subjektesh, të cilët për shumë arsye, nuk e kanë mundësinë të përfaqësohen me avokat.

Gjithashtu, përderisa Gjykata e Lartë do të disponojë edhe mbi të drejtën individuale, pamundësia e realizimit të drejtëpërdrejtë të mbrojtjes, mund dhe është mohim i aksesit në gjykim, përveç se parashikimit ligjor me natyrë diskriminuese. Natyra diskriminuese zbulohet nga trajtimi i pabarabartë që i bëhet subjekteve proceduralisht të barabartë.

2. Ndryshimi në nenin 107 të Kodit të Procedurës Civile duket i përciptë dhe me natyrë fiktiviteti. Karakteri pozitiv i ndryshimit perjashton përgjegjësinë e gjykatës dhe të administratës gjyqësore nga shtyrjet pa bazë dhe të pajustifikuara të seancave gjyqësore. Nga monitorimet e kryera nga KShH, vetëm në një çështje në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë është shtyrë seanca gjyqësore me arsyen e çuditëshme “të paraqitjes së provave” 35 herë. Në rrethanat kur, vetëm 1-2 herë janë shtyrë seancat në këtë çështje për shkak të sjelljes së palëve, të gjitha herët e tjera vlerësojmë se janë shtyrë për shkak të paaftësisë së gjykatës për të administruar çështjen.

“Nëse pala ndërgjyqëse ose përfaqësuesi i saj ka shkaktuar me faj shtyrjen e seancës gjyqësore, ose ka krijuar nevojën për një seancë tjetër gjyqësore, ose ka krijuar vonesa të panevojshme duke sjellë prova shtesë, kërkesa ose parashtrime me vonesë, gjykata kryesisht mund të caktoje një tarifë gjyqësore shtesë sipas përcaktimeve të ligjit “Për tarifat gjyqësore”. Nëse këto veprime kryhen nga përfaqësuesi pa pëlqimin paraprak të palës, përfaqësuesi detyrohet të zhdëmtoje palën me tarifën gjyqësore shtesë të vendosur.”

Qëllimi i kësaj dispozite duket të jetë ndërgjegjësimi i palëve për të përfunduar gjykimin në afate sa më të shkurtra dhe brenda pak seancave gjyqësore. Në vlerësimin tonë, kohëzgjatja e paarsyeshme e procedurave civile, nuk mund të dekurajohet me këtë ndryshim i cili, nuk krijon asnjë pasojë apo detyrim “shtrëngues” për palët që kanë luksin financiar, për të përballuar lehtësisht shtyrjen e qindra seancave gjyqësore. Edhe në këtë rast dallohet rregullim ligjor diskriminues. Një subjekt i varfër mund të jetë “viktimë” e këtij ndryshimi ligjor, për shkak të pamundësisë së përballimit të tarifave gjyqësore, ndërkohë që, mund të shërbejë si “e drejtë” e një subjekti të pasur për të zvarritur gjykimin, derisa pala kundërshtare të humbasë durimin.

Subjekte të caktuara, duke shfrytëzuar këtë dispozitë mund të realizojnë vonesën e drejtësisë, e cila kur është e vonuar nuk është e drejtë.

3. Kreu IV, me titull “Njoftimet”

Zhvillimet e infrastrukturës, midis tyre dhe ato të komunikimeve elektronike, nuk duhet të përjashtojnë njoftimet klasike nëpërmjet ftuesit gjyqësor. Njoftimi në internet, nëpërmjet faqes web, nuk duhet të konsiderohet shterues, sepse një kategori subjektesh, nuk i kanë mundësitë e ardhjes në dijeni nëpërmjet këtij njoftimi.

Njoftimi nëpërmjet internetit mund të parashikohet si mundësi vetëm për subjektet juridikë, të cilët kanë të depozituar në regjistrin e shoqërive tregtare apo të administratës publike adresa elektronike.

Rregullimi i njoftimeve është i rëndësishëm jo vetëm në aspektin e realizimit të aksesit në gjykatë, por parandalon situata të cilat mund të shërbejnë si shkak i prishjes së vendimeve dhe rigjykimit të çështjes.

4. “Gjykimi në Shkallë të Parë”

Dallohet qartë përpjekja e ligjvënësit për të kaluar në sistemin e gjykimit ku procesi zhvillohet me shkrim.

Përpjekjen dhe ndryshimet për këtë qëllim i vlerësojmë shumë pozitive. Rrjedhojat kryesore janë thjeshtimi i procesit, ekonomia gjyqësore, zbutja e efekteve të kohëzgjatjes dhe të numrit të shumtë të seancave gjyqësore.

Me këtë ndryshim përqasen procedurat me praktika të sistemeve të përparuara europiane. Duke bërë një paralelizëm me praktikat gjyqësore civile në Mbretërinë e Bashkuar, do të dallojmë ngjashmëri. Është e mjaftueshme të përmendim që 90% e gjykimeve të natyrës civile në Mbretërinë e Bashkuar, përfundojnë pas debatit të realizuar me shkrim.

Në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, pavarësisht nga vlerat apo natyra e të drejtës në diskutim, si rregull, gjykimi zhvillohet me shkrim. Seancat dëgjimore janë shumë të rralla dhe lidhen kryesisht me situata dhe shkaqe të jashtëzakonshme, ndërkohë që procedura e gjykimit është thuajse e njëjtë me rregullimin e ri në Kodin e Procedurës Civile.

Kjo mënyrë gjykimi duhet të shtrihet në më tepër kategori objektesh, dhe kur përdoret si rrethanë përcaktuese vlera e objektit të padisë, ajo mund të jetë deri në një milion lekë.

5. Ndryshimet e propozuara në nenet 465 dhe 465/a janë të parakohshme. Niveli profesional i gjyqtarëve të apelit mbetet për t’u vlerësuar në kuadër të procesit të vetting-ut. Në këtë drejtim zbatimi i tyre në praktikë mund të shkaktonte anarki. Rregullimi i mëparshëm ligjor ishte më i qartë, më i kuptueshëm dhe, për rrjedhojë, nuk shkaktonte konfuzione në zbatimin e tij në praktikë.

Tendenca për ta shndërruar Gjykatën e Apelit vetëm në gjykatë rishikuese nuk është në harmoni me frymën e të drejtës dhe procedurën civile Shqiptare. Gjykatat e Apelit, duke filluar që nga këshillat gjyqësore, kanë qënë gjykata fakti, duke realizuar edhe funksionin rishikues dhe të kontrollit të ligjit.

Ky funksion i gjykatave të apelit nuk i sjell asnjë dëm interesave të palëve në proces, jo vetëm në aspektin e realizimit të të drejtës por edhe në lidhje me kohëzgjatjen e procedurave. Sidoqoftë edhe nëse pranohen propozimet për ndryshimin e natyrës së funksionit të Gjykatës së Apelit, ato duhet të jenë parashikime të qarta dhe të kuptueshme edhe nga shumica e gjyqtarëve të apelit.

6. Neni 467/1 i Kodit të Procedurës Civile duhet të ndryshojë në togfjaleshin “dhe e dërgon çështjen për rigjykim” duke u bërë “dhe e rigjykon vetë çështjen”. Ky parashikim ligjor mënjanon zvarritje të paarsyeshme, për shkak të gabimeve të rënda ligjore të Gjykatës së Shkallës së Parë, pasojat e të cilave i vuajnë palët në proces nëpërmjet një kalvari të ri gjykimesh. Nuk ka asnjë pengesë që Gjykata e Apelit të ushtrojë edhe juridiksionin e Gjykatës së Faktit, kur çështjet prishen jo për shkak të sjelljeve të gabuara apo për fajin e palëve.

Duke patur karakterin e një gjykate fakti, Gjykata e Apelit pa asnjë pengesë procedurale mund ta rishqyrtojë çështjen si Gjykatë e Shkallës së Parë.

Pretendimi i paarsyeshëm e i pabazuar që eliminohet një shkallë gjykimi, nuk gjen përkrahje jo vetëm nga e drejta jonë procedural, por edhe nga e drejta që buron nga e drejta europiane.

7. Nënshkrimi i rekursit nga një avokat.

Ndryshimi në nenin 474 të Kodit të Procedurës Civile kufizon të drejtat e një kategorie subjektesh dhe shkakton diskriminim. Jo të gjithë subjektet palë në një proces civil, kanë mundësi materiale të përfaqësohen në të gjitha shkallët e gjykimit nga avokat. Edhe sikur t’i kenë këto mundësi, vullneti i palëve në një proces gjyqësor mund të jetë i ndryshëm edhe në lidhje me përfaqësimin. Përtej mundësive materiale, një parashikim i tillë ligjor krijon pabarazi.

8. Në lidhje me gjykimin efektiv dhe brenda afateve të arsyeshme.

E drejta për një gjykim brenda afateve të arsyeshme, në sistemin ligjor evropian është materializuar në Konventën Evropiane “Për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore” dhe praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Ashtu sikurse në legjislacionin procedural penal, edhe në legjislacionin civil, nuk janë parashikuar kohëzgjatje të gjykimit civil dhe nuk ka një mjet efektiv ankimi, ndaj vonesave në gjykimin civil. Mungon gjithashtu, një mekanizëm ligjor i identifikimit të dëmit të shkaktuar, nga dhunimi i të drejtës për gjykimin në një afat të arsyeshëm. Kjo situatë është e pranishme, me gjithë parashikimet kushtetuese dhe të Konventës Evropiane “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, në lidhje me afatin e arsyeshëm.

Ndryshimet ne Ligjin për Gjykatën Kushtetuese e kanë reflektuar një situatë të tillë vonese, duke parashikuar edhe shpërblimin e drejtë.

9. Mungesa e parashikimeve në ligj.

Në legjislacionin procedural civil mungon, përcaktimi i afateve të gjykimit civil, mungon gjithashtu përcaktimi i termit “afat i arsyeshëm” i materializuar në nenin 6 të Konventës.

Duke j’u referuar praktikës së GjEDNj, kohëzgjatja e procedimit civil llogaritet, nga paraqitja e kërkesës apo e kërkesë-padisë deri në përfundimin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor. Në përcaktimin e kohëzgjatjes së arsyeshme të gjykimit, GjEDNj udhëhiqet nga tre faktorë: a – natyra e çështjes, b – sjellja e palëve dhe c – efektiviteti i autoritetit shtetëror (gjykatave dhe organeve të ekzekutimit të vendimit).

Gjykata Evropiane, në dhjetëra çështje kundër Shqipërisë, ka marrë në analizë, kohëzgjatjen e arsyeshme (reasonable time) të procesit ligjor. Grupi i çështjeve “Luli kundër Shqipërisë”. Nga analiza e vendimeve të GjEDNj, në të cilët janë pranuar shkelje të Konventës, dallohet shkelje e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, edhe në lidhje me afatet e arsyeshme, në procedurat gjyqësore, në shkeljen e të drejtës të ekzekutimit në kohë të vendimeve gjyqësore.

Asnjë parashikim ligjor nuk gjëndet për përcaktimin e afateve, jo vetëm të gjykimit, por edhe të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.

Në rregullimet ligjore të Kodit të Procedurës Civile, duhet të parashikohen dispozita të cilat duhet të inkurajojnë shpejtimin e proceseve gjyqësore. Gjithashtu duhet të parashikojnë shpërblimin e drejtë, për shkeljen e të drejtës së gjykimit, për shkak të vonesave të pajustifikuara përtej një afati të arsyeshëm.

Duke ju referuar praktikave të Gjykatës Europiane, afati i arsyeshëm i gjykimit në shkallën e parë mund të konsiderohet përfundimi i çështjes brënda dy viteve, në gjykimin në apel brenda dy viteve dhe gjykimi në Gjykatën e Lartë, brenda një viti e gjysëm.

Kujdes i veçantë duhet treguar për një kategori mosmarrëveshjesh që lidhen me masat e sigurimit, mosmarrëveshje të të drejtës familjare, për caktimin për rritje dhe edukim të fëmijëve, caktimit të detyrimit për ushqim, mosmarrëveshjeve që lidhen me punën, pensionet e pleqërisë etj. Afati i gjykimit dhe ekzekutimit të vendimit që lidhet me këto çështje nuk duhet t’i kalojë 30 (tridhjetë) ditë.

10. Kodi i Procedurës Civile duhet të parashikojë shpërblimin e drejtë ose, t’i referohet parashikimeve materiale në lidhje me shpërblimin e drejtë për shkak të kohëzgjatjes së paarsyeshme të procedurave civile.

Shpërblimi i drejtë konsiderohet njohja e shkeljes, çdo masë e marrë për të përshpejtuar procedurat e gjykimit të çështjes dhe të ekzekutimit të vendimit, si dhe/ose dhënia e një kompensimi financiar për vuajtjen që i është shkaktuar subjekteve nga kohëzgjatja e paarsyeshme. Cilido që është viktimë e kohëzgjatjeve të paarsyeshme, të ketë mundësinë të kërkojë deklarimin e procesit të parregullt ligjor, për shkak të kohëzgjatjes së procedurave dhe kryerjen e veprimeve të caktuara procedurale ose/dhe shpërblimin e drejtë.

Gjykata në të njëjtin proces ose në një proces të veçantë, mund dhe duhet të urdhërojë shpërblimin e dëmit ose/dhe pagimin e një shume të caktuar. Duke pasur parasysh a) vështirësinë e procesit, b) sjelljen e trupit gjykues dhe të palëve; c) natyrën e interesave në çështje dhe d) objektin e padisë.

11. Në ligj duhet të parashikohet, përballimi i situatës në rastin e “mungesës së mjeteve efektive”, në kuptim të nenit 13 të Konventës Evropiane “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të cilat do t’i mundësonin subjekteve të dëmtuar, për të realizuar të drejtën që cenohet nga afati i paarsyeshëm.

Në nenin 42/2 i Kushtetutës, parashikohet se: “Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.”

Qëllimi i ndërhyrjes dhe ndryshimit duhet të jetë edhe parandalimi dhe reduktimi i kohëzgjatjes së paarsyshme të procesit gjyqësor, i përkufizuar si shkelje edhe në nenin 6/1 të Konventës Evropiane “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”.

Në lidhje me çështjet civile, sipas standarteve “afat i arsyeshëm” duhet të përfaqësojë, përfundimin e procesit civil (gjykimi dhe ekzekutimi i vendimit) brenda afateve të caktuara.

Në ligj duhet të parashikohet mjet reagimi, me kërkesë të posaçme. Kur vërtetohet shkelja, gjykata duhet të urdhërojë kryerjen e veprimeve të caktuara, për përshpejtimin e procedurave dhe afateve për përmbushjen e tyre. Gjithashtu gjykata cakton shpërblimin e dëmit sipas kritereve të parashikaura më lart.

Gjykata mund të urdhërojë shpërblimin e dëmit, me pagimin e një shume të caktuar në formën e gjobës apo detyrimit.

12. Dispozita për të cilat sugjerojmë që të rishikohen, duke qenë se projekti është në shqyrtim.

12.1 Neni 185 i Kodit të Procedurës Civile duhet të ndryshohet dhe t’i jepet mundësia palëve të disponojnë mbi shkakun ose objektin e kërkimeve, deri sa nuk ka përfunduar gjykimi. Në këtë mënyrë do të shmangeshin gjykime të rradhës, për shkak të mosplotësimit të kësaj kërkese që ka fituar “statusin” e saj edhe në legjislacionin procedural paraardhës. Gjithashtu, do të mundësonte realizimin sa më objektiv të të drejtës, në pajtim me interesat e palëve. I njëjti rregullim duhet të reflektojë edhe në rastin e kundërpadisë.

12.2 Neni 187 i Kodit të Procedurës Civile duhet të mundësojë paraqitjen në çdo kohë të palës që është deklaruar në mungesë, sidomos, kur vërteton pavlefshmërinë e thirrjes në gjyq ose mosparaqitjen për shkaqe të pavarura prej tij. Në rastet e pranimit në gjykim të palës në mungesë, gjykata përsërit gjykimin sipas rrethanave dhe nevojave të një procesi të rregullt ligjor.

12.3 Neni 308 i Kodit të Procedurës Civile, “Arsyetimi i vendimit”, duhet të parashikojë afate të arsyeshme, për shpalljen dhe arsyetimin e vendimit. Duke paralelizuar jo vetëm me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, por edhe me legjislacionin bashkëkohor europian, si dhe me praktikat më të mira të Gjykatës Europiane, ligji duhet ti krijojë mundësinë gjykatës të arsyetojë çështjen duke u bazuar në kërkesat dhe standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Afatet e arsyetimit të vendimit mund të përcaktohen brenda afatit të gjykimit, në një periudhë 10-30 ditore nga përfundimi i gjykimit, deri në shpalljen e vendimit. Vendimet duhet të shpallen të arsyetuara, në respektim të këtij afati dhe palët duhet të kenë minimalisht 30 ditë në dispozicion, për realizimin e të drejtës së ankimit apo të rekursit.

Vendimet e Gjykatës së Lartë, mund të shpallen të arsyetuara deri në 60 ditë nga seanca dëgjimore, apo seanca në dhomën e këshillimit. Këto afate mund të përgjysmohen kur është rasti i gjykimeve që përfundojnë me vendime në disponim të marrëdhënieve juridike civile, ku janë të përfshirë të miturit, ose në rastin e masave të sigurimit.

12.4 Neni 459 i Kodit të Procedurës Civile, duhet të shmangë veprimtari procedurale që dyzohen për shkak të natyrës së gjykimit rishikues, me gjykimin në fakt. Në këtë dispozitë nuk duhet të parashikohen ndalime për paraqitjen e provave të reja, ndërkohë që duhet të vazhdohet me mentalitetin e pamundësisë të ndryshimit të shkakut dhe të objektit në gjykimin në apel, përveçse kur gjykata e rigjykon çështjen pas prishjes së vendimit të shkallës së parë.

Së fundmi, KShH vlerëson se, ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile, të propozuara në projektligj dhe ato të propozuara nga diskutimet e këtij projektligji, duhet të jenë në harmoni me ligjet e reja kushtetuese dhe legjislacionin dhe ndryshimet që rregullojnë veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, si dhe në legjislacionin material civil.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2017 >
May
MoTuWeThFrSaSu
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031    
TOP