Humbja tronditëse e jetës së shtetasit shqiptar Pëllumb Marnikollaj


Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), fillimisht i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes dhe të afërmve të viktimës, Pëllumb Marnikollaj.

KShH, mbështetur në dokumentet ndërkombëtare, nenin 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe protokollet përkatëse, si dhe praktikën e Gjykatës së Strasburgut, kur vdekja për dyshimet e bazuara për keqtrajtim të të ndaluarve, të proceduarve për vepra penale, të paraburgosurve apo të dënuarve ndodh në ambientet e organeve të policisë ose në institucionet e paraburgimit dhe në burgje, autoritetet përkatëse janë të detyruara të kryejnë hetime të pavarura, të paanshme dhe të menjëhershme, gjë që nuk është bërë.

Në fakt, viktima Pëllumb Marnikollaj, i detyruar për t’u paraqitur në organet e policisë greke humbi jetën në ambientet e policisë qysh në datën 3 Gusht 2016. Për KShH-në, pavarësisht nga përfundimi i hetimit (megjithëse ka të dhëna për dyshime të arsyeshme se ndaj tij është ushtruar dhunë në formën e keqtrajtimit ç’njerëzor), është e papranueshme që për këtë ngjarje me pasojë vdekjen nuk është njoftuar as Ambasada jonë në Athinë dhe as ndonjë nga familjarët apo të afërmit e viktimës. Është e patolerueshme dhe e dhimbshme që vetë familjarët e viktimës, mbas kërkimeve të shumta dhe të vështira, e gjetën trupin e tij në frigoriferin e varrezës “Agio-Anargiro ”. Si mund të cilësohet “pa identitet” personi ndaj të cilit është urdhëruar me vendim ‘detyrim paraqitje në organet e policisë’?! Si mund të shpjegohet fakti që autoritetet greke njoftojnë mbi ngjarjen Ambasadën tonë në Athinë vetëm kur kjo e fundit kërkon sqarime, kur Ambasada jonë duhej njoftuar menjëherë kur dihej se viktima ishte shtetas shqiptar?! Për KShH-në, edhe vetë njoftimi është i cekët dhe jo bindës.

Edhe pse Ministria jonë e Jashtme, nëpërmjet ambasadës tonë në Athinë ka kërkuar sqarime për rrethanat dhe kushtet e vdekjes së Pëllumb Marnikollaj, KShH i sugjeron Ministrisë tonë të Jashtme që këtë çështje të dhimbshme dhe tronditëse ta ndjekë me precedencë duke mos u kufizuar vetëm me njoftimin formal të policisë greke. Vetëm një hetim i plotë, i gjithanshëm dhe i paanshëm mund të sqarojë rrethanat e vdekjes së viktimës.

KShH ka parasysh se në burgjet greke në të kaluarën ka pasur edhe raste të tjera që të dënuar me shtetësi shqiptare kanë gjetur vdekjen në rrethana të dyshimta, ndërsa hetimet kanë qenë të vonuara dhe të njëanshme, si rrjedhim ato janë pushuar ose zvarritur për vite të tëra. Në raportin për Greqinë, Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës, Trajtimit dhe Dënimit Ç’njerëzor dhe Degradues (CPT), bazuar në vizitën e kryer në stacionet e policisë në datat 14-23 Prill 2015, ndër të tjerash vëren se “Për fat të keq, autoritetet greke deri më sot kanë refuzuar në mënyrë të vazhdueshme të marrin në konsideratë se keqtrajtimi është një problem serioz në Greqi dhe nuk kanë marrë masat e nevojshme për zbatimin e rekomandimeve të Komitetit dhe për të luftuar këtë fenomen. Është koha për autoritetet greke të pranojnë përgjegjësitë e tyre dhe të adresojnë me vendosmëri këtë çështje”. Në këtë raport evidentohet gjithashtu se “Keqtrajtimi i ushtruar nga oficerët e policisë të Departamentit të Sigurisë vërehet kryesisht ndaj shtetasve të huaj, duke përfshirë rastet që kanë si qëllim marrjen e dëshmisë, të cilat vazhdojnë të jenë një praktikë e përsëritur…. Në rastet e pakta kur personat e keqtrajtuar ankohen ose kur del një informacion për keqtrajtimin policor, vërehet se sistemi aktual i hetimit për këto pretendime karakterizohet nga një numër sistemik dështimesh të policisë dhe autoriteteve gjyqësore. Hetimi shpesh herë nuk përmbush kërkesat e efektivitetit të përcaktuara në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të njeriut dhe sipas standardeve përkatëse të CPT-së”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit