Konferencë e Nivelit të Lartë mbi të Ardhmen e Gjykatës Europiane për Të Drejtat e Njeriut Deklarata e Brajtonit


Takimi i Konferencës së Nivelit të Lartë në Brajton më 19 dhe 20 prill 2012, me nismën e Kryesisë së
Mbretërisë së Bashkuar të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës (“Konferenca”) deklaron si më
poshtë:

1. Shtetet Palë në Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“Konventa”)
riafirmojnë përkushtimin e tyre të thellë dhe të palëkundur ndaj Konventës dhe ndaj përmbushjes së
detyrimit të tyre sipas Konventës për t’i siguruar cilitdo brenda juridiksionit të tyre të drejtat dhe liritë e
përkufizuara në Konventë.
2. Shtetet Palë gjithashtu riafirmojnë përkrahjen e tyre për të drejtën për aplikim individual pranë
Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (“Gjykata”) si gur themeli i sistemit për të mbrojtur të drejtat
dhe liritë e përcaktuara në Konventë. Gjykata i ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm mbrojtjes së të
drejtave të njeriut në Europë për mbi 50 vjet.
3. Shtetet Palë dhe Gjykata ndajnë përgjegjësinë për realizimin e zbatimit të efektshëm të Konventës,
të nënvizuar nga parimi themelor i subsidiaritetit. Konventa u arrit, inter alia, mbi bazën e barazisë
sovrane të Shteteve. Shtetet Palë duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë e garantuara nga Konventa
dhe duhet të zgjidhin në mënyrë të efektshme të gjitha shkeljet në nivel kombëtar. Gjykata vepron si roje
për shkeljet që nuk janë trajtuar në nivel kombëtar. Aty ku Gjykata gjen shkelje, Shtetet Palë duhet të
respektojnë gjykimin përfundimtar të Gjykatës.
4. Shtetet Palë dhe Gjykata gjithashtu kanë përgjegjësi të përbashkët për të siguruar prakticitetin e
mekanizmit të Konventës. Shtetet Palë janë të vendosura të punojnë në partneritet me Gjykatën për ta
arritur këtë, duke u bazuar edhe mbi punën e rëndësishme të Komitetit të Ministrave dhe Asamblesë
Parlamentare të Këshillit të Europës si edhe të Komisionerit për Të Drejtat e Njeriut dhe të tjera
institucione e organe të Këshillit të Europës, si dhe duke punuar me frymë bashkëpunimi me shoqërinë
civile dhe Institucionet Kombëtare të Të Drejtave të Njeriut.
5. Konferenca e Nivelit të Lartë në Interlaken (“Konferenca e Interlakenit”) në Deklaratën e saj të 19
shkurtir 2010 vërente me shqetësim të thellë që deficiti midis aplikimeve të paraqitura dhe aplikimeve të
refuzuara vazhdoi të rritej; ajo gjykoi që kjo situatë dëmtonte efektshmërinë dhe besueshmërinë e
Konventës si dhe mekanizmin e saj mbikqyrës, si dhe paraqiste një kërcënim ndaj cilësisë dhe
konseguencës së praktikës gjyqësore dhe autoritetit të Gjykatës. Konferenca e Nivelit të Lartë në Izmir
(“Konferenca e Izmirit”) në Deklaratën e saj më 27 prill 2011 mirëpriti përparimin konkret që ishte arritur
pas Konferencës së Interlakenit. Shtetet Palë i janë shumë mirënjohëse Kryesive Zvicerane dhe Turke të
Komitetit të Ministrave për organizimin e këtyre konferencave dhe të gjithë atyre që kanë ndihmuar
përmbushjen e planeve të veprimit dhe atyre pasuese.
6. Rezultatet e arritura deri tani në kuadrin e Protokollit Nr. 14 janë inkurajuese, sidomos si rezultat i
masave të marra nga Gjykata për të rritur eficiencën dhe për të trajtuar numrin e aplikimeve dukshëm të
papranueshme që qëndronin pëpara saj. Megjithatë, numri në rritje i aplikimeve potencialisht me bazë që
qëndrojnë përpara Gjykatës është një problem serioz që shkakton shqetësim. Në dritën e situatës së
tanishme të Konventës dhe të Gjykatës, hapat përkatëse të parashikuara nga Konferencat e Interlakenit
dhe të Izmirit duhet të vazhdojnë të përmbushen plotësisht dhe potenciali i plotë i Protokollit Nr. 14 duhet
shfrytëzuar. Megjithatë, siç vihej në dukje nga Konferenca e Izmirit, Protokolli Nr. 14 më vete nuk do të
arrijë të ofrojë një zgjidhje afatgjatë dhe tërësore për problemet me të cilat përballet sistemi i Konventës.
Për rrjedhojë, nevojiten edhe masa të mëtejshme për t’u siguruar që sistemi i Konventës do të mbetet i
efektshëm dhe mund të vazhdojë të mbrojë të drejtat dhe liritë e mbi 800 milionë njerëzve në Europë.
A. Zbatimi i Konventës në nivel kombëtar
7. Zbatimi i plotë i Konventës në nivel kombëtar kërkon që Shtetet Palë të ndërmarrin masa të
efektshme për të parandaluar shkeljet. Të gjitha ligjet dhe politikat duhen formuluar dhe të gjithë zyrtarët
e Shteteve duhet të kryejnë përgjegjësitë e tyre, në mënyrë të tillë që mundëson efektin e plotë të
Konventës. Shtetet Palë gjithashtu duhet të ofrojnë mjetet me anë të të cilave mund të bëhet ankimim për
shkelje të pretenduara të Konventës. Gjykatat kombëtare duhet të marrin parasysh Konventën si edhe
praktikën gjyqësore të Gjykatës. Në mënyrë kolektive, këto masa duhet të ulin numrin e shkeljeve të
Konventës. Po ashtu, duhet të ulin edhe numrin e aplikimeve me bazë që i paraqiten Gjykatës, duke
ndihmuar kështu lehtësimin e barrës së punës së saj.
8. Këshilli i Europës luan një rol kritik për të ndihmuar dhe nxitur zbatimin kombëtar të Konventës, si
pjesë e punës së tij më të gjerë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Dispozita për asistencë teknike për Shtetet Palë bazuar mbi kërkesat e këtyre të fundit, si kur ofrohet nga
Këshilli i Europës ashtu edhe në plan dypalësh nga Shtete të tjera Palë, ndihmon përhapjen e praktikave
të mira dhe ngre më lart respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut në Europë. Mbështetja e
dhënë nga Këshilli i Europës duhet ofruar në mënyrë efiçente duke iu referuar përfundimeve të
përcaktuara, në bashkëpunim me punën më të gjerë të organizatës.
9. Për rrjedhojë, Konferenca:
a) Afirmon përkushtimin e fortë të Shteteve Palë për të përmbushur përgjegjësinë e tyre parësore për
ta vënë në zbatim Konventën në nivel kombëtar;
b) Nxit fort Shtetet Palë që të vazhdojnë të marrin plotësisht parasysh rekomandimet e Komitetit të
Ministrave lidhur me zbatimin e Konventës në nivel kombëtar gjatë procesit të hartimit të legjislacionit,
politikave dhe praktikave për të siguruar efekt të plotë të Konventës;
c) Në veçanti, shpreh vendosmërinë e Shteteve Palë për të siguruar zbatimin e efektshëm të
Konventës në nivel kombëtar duke marrë masat e mëposhtme specifike, për aq sa janë të aplikueshme:
i) Ngritjen, nëse nuk e kanë bërë ende deri tani, e një Institucioni Kombëtar të Të Drejtave të Njeriut
të pavarur;
ii) Zbatimin e masave praktike për t’u siguruar që politikat dhe legjislacioni përputhen plotësisht me
Konventën, përfshirë duke iu ofruar parlamenteve të vendeve informacion mbi përputhshmërinë e
projektligjeve të propozuara nga Qeveria me Konventën;
iii) Shqyrtimi i paraqitjes, nëse ka nevojë, i mjeteve të reja të brendshme të ankimimit, si të një natyre
specifike ashtu edhe të përgjithshme, për shkelje të pretenduara të të drejtave dhe lirive të njohura nga
Konventa;
iv) Mundësimi dhe nxitja e gjykatave kombëtare që të marrin parasysh parimet përkatëse të
Konventës, duke mbajtur në mend praktikën gjyqësore të Gjykatës, gjatë kryerjes së procedurave
gjyqësore dhe formulimit të gjykimeve; dhe në veçanti, mundësimi i palëve ndërgjyqëse, brenda
parametrave të përshtatshëm të procedurës gjyqësore kombëtare por pa pengesa të panevojshme, që të
tërheqin vëmendjen e gjykatave kombëtare mbi çfarëdo dispozitash përkatëse të Konventës dhe
jurisprudencës së Gjykatës;
v) Furnizimi i zyrtarëve publikët me informacion përkatës mbi detyrimet sipas Konventës; dhe në
veçanti trajnimi i zyrtarëve që punojnë në sistemin e drejtësisë, përgjegjës për zbatimin e ligjit, apo
përgjegjës për kufizimin e lirisë së një personi lidhur me mënyrën për të përmbushur detyrimet sipas
Konventës;
vi) Ofrimi i informacionit dhe trajnimit të përshtatshëm lidhur me Konventën në studimin, trajnimin dhe
zhvillimin profesional të gjyqtarëve, avokatëve dhe prokurorëve; dhe
vii) Ofrimi i informacionit mbi Konventën për aplikantët e mundshëm, sidomos lidhur me shtrirjen dhe
kufizimet e mbrojtjeve prej saj, juridiksionin e Gjykatës dhe kriteret e pranimit;
d) Nxit Shtetet Palë që, nëse nuk e kanë bërë ende:
i) Të sigurohen që gjykimet e rëndësishme të Gjykatës përkthehen apo përmblidhen në gjuhët
vendase aty ku kjo është e nevojshme që këto gjykime të merren si duhet parasysh;
ii) Të përkthejnë Udhëzuesin Praktik të Gjykatës mbi Kriteret e Pranimit në gjuhët kombëtare; dhe
iii) Të marrin parasysh contribute vullnetare shtesë për programet e Këshillit të Europës për të drejtat e
njeriut apo për Fondin e Trustit të Të Drejtave të Njeriut;
e) Nxit të gjitha Shtetet Palë të shfrytëzojnë polotësisht asistencën teknike dhe të japin dhe marrin
sipas kërkesës asistencë teknike dypalëshe në frymën e bashkëpunimit për mbrojtjen e plotë të të
drejtave të njeriut në Europë;
f) Fton Komitetin e Ministrave që:
i) Të shqyrtojë mënyrën më të mirë për t’u siguruar që asistenca teknike e kërkuar iu ofrohet
Shteteve Palë që u nevojitet më shumë;
ii) Përtej nënparagrafëve c(iii) dhe (iv) më sipër, të përgatisë një udhëzues për praktikat e mira në
përputhje me mjetet vendase për ankimim; dhe
iii) Përtej nënparagrafit c(v) më sipër, të përgatisë një paketë të cilën Shtetet Palë mund ta përdorin
për të informuar zyrtarët e tyre publikë lidhur me detyrimet e Shtetit sipas Konventës;
g) Fton Sekretarin e Përgjithshëm që t’iu propozojë Shteteve Palë, nëpërmjet Komitetit të Ministrave,
mënyra praktike për të përmirësuar:
i) Dhënien e asistencës teknike dhe programeve të bashkëpunimit të Këshillit të Europës;
ii) Bashkërendimin midis aktorëve të ndryshëm të Këshillit të Europës në ofrimin e asistencës; dhe
iii) Shënjestrimin e asistencës teknike përkatëse që është në dispozicion të çdo Shteti Palë mbi baza
dypalëshe, duke marrë parasysh gjykime të caktuara të Gjykatës;
h) Fton Gjykatën të bëjë të njohura ato gjykime të saj që do t’i rekomandonte posaçërisht për përkthim
në gjuhët kombëtare; dhe
i) Thekson rëndësinë e bashkëpunimit midis Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian, sidomos
për të siguruar zbatimin e efektshëm të programeve të përbashkëta dhe koherencë midis përparësive të
tyre përkatëse në këtë fushë.
B. Bashkëveprim midis Gjykatës dhe autoriteteve kombëtare
10. Shtetet Palë të Konventës janë të detyruara t’i sigurojnë cilitdo brenda juridiksionit të tyre të drejtat
dhe liritë e përcaktuara në Konventë, si dhe të ofrojnë mjete të efektshme ankimimi përpara një autoriteti
kombëtar për këdo që i janë shkelur të drejtat apo liritë. Gjykata interpreton me autoritet Konventën. Ajo
vepron edhe si rojtare për individët të drejtat e liritë e të cilëve nuk sigurohen në nivel kombëtar.
11. Jurisprudenca e Gjykatës bën të qartë që Shtetet Palë gëzojnë një marzh vlerësimi për mënyrën se
si e aplikojnë dhe zbatojnë Konventën, në varësi të rrethanave të çështjes dhe të drejtat dhe liritë në fjalë.
Kjo pasqyron faktin që sistemi i Konventës është plotësues për ruajtjen e të drejtave të njeriut në nivel
kombëtar dhe që autoritetet kombëtare në parim janë në pozita më të favorshme se sa një gjykatë
ndërkombëtare për të vlerësuar nevojat dhe kushtet vendase. Marzhi i vlerësimit shkon krah për krah me
mbikqyrjen sipas sistemit të Konventës. Në këtë kuptim, roli i Gjykatës është të vlerësojë nëse vendimet e
marra nga autoritetet kombëtare janë në përputhje me Konventën, duke treguar respektin e duhur për
marzhin e vlerësimit të Shtetit.
12. Prandaj, Konferenca:
a) Mirëpret zhvillimin nga Gjykata në praktikën e saj gjyqësore të parimeve të tilla si subsidiariteti dhe
marzhi i vlerësimit, si dhe e nxit Gjykatën t’i japë epërsi të madhe dhe t’i aplikojë në mënyrë konseguente
këto parime në gjykimet e veta;
b) Arrin në përfundimin që, për arsye transparence dhe aksesibiliteti, në Preambulën e Konventës
duhet përfshirë referenca për parimin e subsidiaritetit dhe doktrinës së marzhit të vlerësimit siç është
zhvilluar në praktikën gjyqësore të Gjykatës, si dhe fton Komitetin e Ministrave që të adoptojnë
instrumentin e nevojshëm amendues deri në fund të vitit 2013, ndërkohë që kujton përkushtimin e
Shteteve Palë për të përmbushur plotësisht detyrimin e tyre për të siguruar të drejtat dhe liritë e
përkufizuara në Konventë;
c) Mirëpret dhe nxit dialogje të hapura mes Gjykatës dhe Shteteve Palë si mjet për zhvillimin e të
kuptuarit të përmirësuar të roleve të tyre përkatëse në kryerjen e përgjegjësisë së përbashkët për të
aplikuar Konventën, përfshi sidomos dialogjet midis Gjykatës dhe:
i) Gjykatave më të larta të Shteteve Palë;
ii) Komitetit të Ministrave, përfshi lidhur me parimin e subsidiaritetit dhe me qartësinë dhe
konseguencën e praktikës gjyqësore të Gjykatës; dhe
iii) Agjentëve qeveritarë dhe ekspertëve ligjorë të Shteteve Palë, sidomos lidhur me çështje
procedurale dhe nëpërmjet konsultimesh që kanë të bëjnë me propozime për të amenduar Rregulloren e
Gjykatës;
d) Vëren që ndërveprimi midis Gjykatës dhe autoriteteve kombëtare mund të forcohej me anë të
prezantimit në Konventë të një fuqie të mëtejshme të Gjykatës, të cilin Shtetet Palë mund të kenë
mundësinë ta pranojnë, për të ofruar opinione këshilluese pas kërkesave mbi interpretimin e Konventës
në kontekstin e një çështjeje specifike në nivel të brendshëm, pa paragjykuar karakterin jodetyrues të
opinioneve për Shtetet e tjera Palë; fton Komitetin e Ministrave të hartojnë tekstin e një protokolli opsional
për Konventën që të ketë këtë efekt deri në fund të vitit 2013; dhe më tej, fton Komitetin e Ministrave që
paskëtaj të vendosë nëse do ta adoptojë atë; dhe
e) Kujton që Konferenca e Izmirit e ftoi Komitetin e Ministrave të shqyrtojnë më tej çështjen e masave
të ndërmjetme sipas Rregullit 39 të Rregullores së Gjykatës; dhe fton Komitetin e Ministrave që të
vlerësojë edhe nëse ka pasur ulje domethënëse në numrin e tyre, edhe nëse aplikimet në të cilat
aplikohen masat e ndërmjetme tani trajtohen më shpejt, si dhe të propozojë ndonjë veprim të nevojshëm.
C. Aplikimet në Gjykatë
13. E drejta për aplikim individual është një gur themeli i sistemit të Konventës. E drejta për të paraqitur
një aplikim përpara Gjykatës duhet të jetë e realizueshme praktikisht dhe Shtetet Palë duhet të sigurojnë
që ato nuk e pengojnë në ndonjë mënyrë ushtrimin efektiv të kësaj të drejte.
14. Kriteret e pranueshmërisë në Nenin 35 të Konventës përkufizojnë se cilat aplikime Gjykata duhet t’i
shqyrtojë më tej bazuar mbi meritat e tyre. Ato duhet t’i paraqesin Gjykatës mjetet praktike për t’u siguruar
që ajo mund të përqendrohet në ato çështje në të cilat parimi apo domethënia e shkeljes kërkon
shqyrtimin prej saj. Është në dorë të Gjykatës që të vendosë lidhur me pranueshmërinë e aplikimeve.
Është me rëndësi në këtë veprim që Gjykata të vazhdojë të aplikojë në mënyrë strikte dhe konseguente
kriteret e pranueshmërisë, me qëllim që të përforcohet besimi në rigorozitetin e sistemit të Konventës dhe
të sigurohet që ngarkesa e punës së saj të mos ketë trysni të panevojshme.
15. Prandaj, Konferenca:
a) Mirëpret sugjerimin e Gjykatës që afati kohor sipas Nenit 35 (1) të Konventës brenda të cilit duhet
bërë një aplikim në Gjykatë mund të shkurtohet; arrin në përfundimin që një kufi kohor prej katër muajsh
është i përshtatshëm; dhe fton Komitetin e Ministrave që të adoptojë instrumentin e nevojshëm
amendues deri në fund të vitit 2013;
b) Mirëpret aplikimin më rigoroz të afatit kohor në Nenin 35(1) të Konventës parashikuar nga Gjykata;
dhe thekson rëndësinë që ka që Gjykata të aplikojë plotësisht, në mënyrë konseguente dhe të
parashikueshme kriteret e pranueshmërisë përfshi rregullat lidhur me shtrirjen e juridiksionit të saj, si për
të siguruar aplikimin efiçient të drejtësisë ashtu edhe për të ruajtur rolet përkatëse të Gjykatës dhe
autoriteteve kombëtare;
c) Arrin në përfundimin që Neni 35(3)(b) i Konventës duhet amenduar për të hequr fjalët “dhe me
kusht që asnjë çështje të mos refuzohet mbi këtë bazë që nuk është shqyrtuar si duhet nga një gjykatë
vendase;” dhe e fton Komitetin e Ministrave të adoptojë instrumentin e nevojshëm amendues deri në fund
të vitit 2013;
d) Afirmon që aplikimi duhet shqyrtuar si dukshëm i keqmbështetur brenda kuptimit të Nenit 35(3)(a),
inter alia, deri në masën që Gjykata konsideron që aplikimi ngre një ankimim që është shqyrtuar si duhet
nga një gjykatë vendase duke aplikuar të drejtat që garantohen nga Konventa në dritën e një praktike
gjyqësore të konsoliduar të Gjykatës, përfshirë edhe marzhin e vlerësimit sipas rastit, përveç rasteve kur
Gjykata gjen që aplikimi ngre një çështje serioze që vë në pikëpyetje interpretimin apo aplikimin e
Konventës; dhe nxit Gjykatën që të marrë parasysh nevojën për të demonstruar një përqasje strikte dhe
konseguente në deklarimin e këtyre aplikimeve të papranueshme, duke sqaruar sipas nevojës edhe
praktikën e vet gjyqësore;
e) Mirëpret ofrim më të madh nga Gjykata të informacionit për aplikantët mbi procedurat e saj, dhe
sidomos mbi kriteret e pranueshmërisë;
f) Fton Gjykatën të ofrojë specifikisht në Rregulloren e Gjykatës një vendim të veçantë që merret mbi
pranueshmërinë bazuar mbi kërkesën e Qeverisë përkatëse kur ka interes të posaçëm që Gjykata të
marrë vendim mbi efektshmërinë e një mjeti ligjor ankimi që diskutohet në çështje; dhe
g) Fton Gjykatën të zhvillojë praktikën e saj gjyqësore mbi shterrimin e mjeteve të brendshme për
ankim në mënyrë që t’i kërkojë aplikantit, aty ku kanë pasur në dispozicion një mjet ligjor, se duhet të ketë
argumentuar përpara gjykatave kombëtare shkeljen e pretenduar të të drejtave të Konventës apo një
dispozitë ekuivalente të ligjit të brendshëm, duke iu lejuar kështu gjykatave kombëtare mundësinë që të
aplikojnë Konventën në dritën e praktikës gjyqësore të Gjykatës.
D. Përpunimi i aplikimeve
16. Numri i aplikimeve që bëhen çdo vit pranë Gjykatës është dyfishuar prej vitit 2004. Numra të mëdha
aplikimesh tani janë në pritje përpara të gjitha formacioneve gjyqësore parësore të Gjykatës. Shumë
aplikantë, përfshi ata me aplikime potencialisht të mirëmbështetura, duhet të presin me vite për një
përgjigje.
17. Në dritën e rëndësisë së të drejtës për aplikim individual, Gjykata duhet të jetë në gjendje të hedhë
poshtë aplikimet e papranueshme në mënyrë sa më efiçiente të mundur, me sa më pak ndikim në
burimet e saj. Gjykata tashmë ka ndërmarrë hapa domethënëse për ta arritur këtë brenda kuadrit të
Protokollit Nr. 14, të cilat duhen përshëndetur.
18. Aplikimet e përsëritura në shumicën e rasteve burojnë nga çështje sistemike apo strukturore në
nivelin kombëtar. Është përgjegjësia e një Shteti Palë, nën mbikqyrjen e Komitetit të Ministrave, që të
sigurohet që çështje të tilla dhe shkeljet që rrjedhin prej tyre të zgjidhen si pjesë e ekzekutimit të
efektshëm të gjykimeve të Gjykatës.
19. Numri në rritje i çështjeve që presin përpara Dhomave të Gjykatës është gjithashtu një çështje që
përbën shqetësim të madh. Gjykata duhet të jetë në gjendje të përqendrojë vëmendjen e saj mbi shkeljet
e reja e të mirëmbështetura.
20. Prandaj, Konferenca:
a) Mirëpret përparimet e bëra tashmë nga Gjykata në përpunimin e aplikimeve, sidomos adoptimin e:
i) Politikës së saj prioritare, e cila e ka ndihmuar të përqendrohet në çështjet më të rëndësishme dhe
më serioze; dhe
ii) Metodave të punës që thjeshtojnë procedurat sidomos për trajtimin e çështjeve të papranueshme
dhe të përsëritura, ndërkohë që ruan përgjegjësinë e duhur gjyqësore;
b) Vëren me mirënjohje vlerësimin e Gjykatës se mund të hedhë poshtë aplikimet pezull përpara saj
që janë qartazi të papranueshme deri më 2015; pranon kërkesën e Gjykatës për vënien e mëtejshme në
dispozicion të gjyqtarëve dhe avokatëve të pavarur të nivelit të lartë, kombëtarë, në Regjistrin e vet që të
mund ta arrijë këtë; dhe nxit Shtetet Palë që të organizojnë më tej këto vënie në dispozicion;
c) Shpreh shqetësim të vazhdueshëm mbi numrin e madh të aplikimeve të përsëritura që gjenden
përpara Gjykatës; mirëpret përdorimin e vazhdueshëm nga Gjykata të masave proaktive, sidomos
gjykimeve pilot, për të hedhur poshtë shkeljet e përsëritura në mënyrë të efektshme; dhe nxit Shtetet
Palë, Komitetin e Ministrave, dhe Gjykatën që të punojnë sëbashku për të gjetur mënyra për të zgjidhur
numrin e lartë të aplikimeve që lindin nga çështje sistemike të identifikuara nga Gjykata, duke marrë në
konsideratë idetë e ndryshme që janë paraqitur, përfshi implikimet e tyre ligjore, praktike dhe financiare,
si dhe duke mbajtur në mend parimin e trajtimit të barabartë të të gjitha Shteteve Palë;
d) Mbi bazën e procedurës së gjykimit pilot, fton Komitetin e Ministrave të shqyrtojë përshtatshmërinë
dhe modalitetet e një procedure me të cilën Gjykata mund të regjistrojë dhe të vendosë mbi një numër të
vogël aplikimesh përfaqësuese nga një grup aplikimesh që pretendojnë të njëjtën shkelje kundër të njëjtit
Shtet Palë përkatës, nëse një përcaktim i tillë ka vlerë për të gjithë grupin;
e) Vëren që, për të mundësuar Gjykatën të vendosë në kohë të arsyeshme aplikimet përpara
Dhomave të saj, mund të jetë e nevojshme që në të ardhmen të emërohen gjyqtarë shtesë pranë
Gjykatës; vëren më tej që këta gjyqtarë mund të kenë nevojë të kenë një mandat të ndryshëm dhe/ose
një gamë të ndryshme funksionesh nga gjyqtarët ekzistues të Gjykatës; dhe fton Komitetin e Ministrave
që të vendosë deri në fund të vitit 2013 nëse do të vazhdojë apo jo me amendimin e Konventës për të
mundësuar emërimin e gjyqtarëve të tillë pas një vendimi unanim të Komitetit të Ministrave bazuar mbi
informacion të ardhur nga Gjykata;
f) Fton Gjykatën të konsultohet me Shtetet Palë teksa shqyrton aplikimin e një interpretimi më të
gjerë të konceptit të praktikës gjyqësore të konsoliduar brenda kuptimit të Nenit 28(1) të Konventës, me
qëllim që të mund të gjykojë më shumë çështje me një procedurë të Komitetit, pa paragjykuar shqyrtimin
përkatës të rrethanave individuale të çështjes dhe karakterin jodetyrues të gjykimeve kundër një Shteti
Palë;
g) Fton Gjykatën të marrë në konsideratë, në konsultim me Shtetet Palë, shoqërinë civile dhe
Institucionet Kombëtare të Të Drejtave të Njeriut, nëse:
i) Në dritën e përvojës së projektit pilot, duhet të merren masa të tjera për të lehtësuar që aplikimet
të bëhen online, dhe procedura për komunikimin e çështjeve për pasojë të thjeshtohet, ndërkohë që
sigurohet që të vazhdojnë të pranohen aplikimet nga aplikantët që nuk kanë mundësi të aplikojnë online;
ii) Forma e aplikimeve pranë Gjykatës mund të përmirësohet për të lehtësuar paraqitjen dhe trajtimin
më të mirë të aplikimeve;
iii) Vendimet dhe gjykimet e Gjykatës mund të vihen në dispozicion të palëve të çështjes në një kohë
të shkurtër përpara paraqitjes publike; dhe
iv) Pretendimet e komentet lidhur me sa të kënaqura janë palët, përfshirë edhe kostot, mund të
paraqiten më herët pranë Dhomës dhe Dhomës së Madhe;
h) Parashikon që zbatimi i plotë i këtyre masave me burimet e nevojshme në parim do ta mundësonte
Gjykatën që të vendoste nëse një çështje duhet komunikuar brenda një viti, dhe më pas të gjitha çështjet
e komunikuara të bëhen subjekt i një vendimi apo gjykimi brenda dy vitesh nga komunikimi;
i) Shpreh më te përkushtimin e Shteteve Palë për të punuar në partneritet me Gjykatën për t’i arritur
këto rezultate; dhe
j) Fton Komitetin e Ministrave që, në konsultim me Gjykatën, të përcaktojë se si do të vendosë nëse,
deri në vitin 2015, këto masa do jenë provuar si të mjaftueshme për ta mundësuar Gjykatën që ta trajtojë
me sukses ngarkesën e çështjeve, apo nëse do të ketë nevojë për masa të mëtejshme më pas.
E. Gjyqtarët dhe jurisprudenca e Gjykatës
21. Autoriteti dhe besueshmëria e Gjykatës varen në një masë të madhe nga cilësia e gjyqtarëve të saj
dhe gjykimeve që ata japin.
22. Kalibri i lartë i gjyqtarëve që zgjidhen në Gjykatë varet nga cilësia e kandidatëve që propozohen
pranë Asamblesë Parlamentare për t’u zgjedhur. Roli i Shteteve Palë për të propozuar kandidatë të
cilësisë më të lartë të mundshme, për rrjedhojë, është me rëndësi themelore për suksesin e
vazhdueshëm të Gjykatës, siç është një Regjistër i cilësisë së lartë, me avokatë të zgjedhur për aftësitë e
tyre ligjore dhe njohuritë e ligjit dhe praktikës së Shteteve Palë, çka i ofron mbështetje të çmuar
gjyqtarëve të Gjykatës.
23. Gjykimet e Gjykatës duhet të jenë të qarta dhe konseguente. Kjo promovon sigurinë ligjore.
Ndihmon gjykatat kombëtare që të aplikojnë në mënyrë më precize Konventën, dhe ndihmon aplikantët e
mundshëm të vlerësojnë nëse kanë apo jo një aplikim të mirëmbështetur. Qartësia dhe konseguenca
janë posaçërisht të rëndësishme kur Gjykata trajton çështje të një parimi të përgjithshëm. Konseguenca
në aplikimin e Konventës nuk kërkon që Shtetet Palë ta zbatojnë Konventën në mënyrë uniforme. Gjykata
ka lënë të kuptohet se po shqyrton një amendim të Rregullores së Gjykatës duke e bërë të detyrueshme
për një Dhomë që të braktisë juridiksionin aty ku parashikon devijim nga praktika gjyqësore e konsoliduar.
24. Një gjyqësor i qëndrueshëm promovon konseguencën e Gjykatës. Për rrjedhojë, në parim, është e
padëshirueshme që çdo gjyqtar të shërbejë më pak se sa mandati i plotë që përcaktohet në Konventë.
25. Për rrjedhojë, Konferenca:
a) Mirëpret miratimin nga Komiteti i Ministrave të Udhëzimeve mbi përzgjedhjen e kandidatëve për
postin e një gjyqtari në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe nxit Shtetet Palë t’i zbatojnë ato;
b) Mirëpret ngritjen e Panelit Këshillimor të Ekspertëve për Kandidatët për t’u Zgjedhur si Gjyqtarë të
Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut; vëren që Komiteti i Ministrave ka vendosur të shqyrtojë
funksionimin e Panelit Këshillimor pas një periudhe fillestare prej tre vitesh; dhe fton Asamblenë
Parlamentare dhe Komitetin e Ministrave që të diskutojnë se si mund të përmirësohen më tej procedurat
për zgjedhjen e gjyqtarëve;
c) Mirëpret hapat që Gjykata po ndërmerr për të ruajtur dhe përforcuar cilësinë e lartë të gjykimeve të
saj për t’u siguruar që qartësia dhe konseguenca e gjykimeve rriten edhe më tej; mirëpret pranimin prej
kohësh nga Gjykata të faktit që është në interes të sigurisë, parashikueshmërisë dhe barazisë ligjore që
ajo të mos devijojë nga precedentët e parashtruar në çështje të mëparshme pa pasur arsye bindëse; dhe
në veçanti, fton Gjykatën të tregojë konsideratë për rëndësinë e konseguencës aty ku gjykimet lidhen me
aspekte të të njëjtës çështje, në mënyrë që të sigurohet që ndikimi i tyre përmbledhës vazhdon t’iu
akordojë Shteteve Palë një marzh të duhur vlerësimi;
d) Në dritën e rolit qendror të luajtur nga Dhoma e Madhe për të arritur konseguencë në
jurisprudencën e Gjykatës, arrin në përfundimin që Neni 30 i Konventës duhet amenduar për të hequr
fjalët “përveçse kur një prej palëve në çështje kundërshton;” fton Komitetin e Ministrave që të adoptojë
instrumentin e nevojshëm amendues, dhe të shqyrtojë nëse për pasojë kërkohen edhe ndryshime të
tjera, deri në fund të vitit 2013; dhe nxit Shtetet Palë të mos kundërshtojnë ndonjë propozim për heqje
dorë (nga sovraniteti) bërë prej një Dhome në pritje të hyrjes në fuqi të instrumentit amendues;
e) Fton Gjykatën të shqyrtojë nëse përbërja e Dhomës së Madhe do të përforcohej prej përfshirjes ex
officio të Zëvendës Presidentëve të çdo Seksioni; dhe
f) Arrin në përfundimin që Neni 23(2) i Konventës duhet amenduar për të zëvendësuar kufirin e
moshës për gjyqtarët me një kërkesë që gjyqtarët nuk duhet të jenë më shumë se 65 vjeç në kohën kur
fillon mandati i tyre; dhe fton Komitetin e Ministrave që të adoptojë instrumentin e nevojshëm amendues
deri në fund të vitit 2013.
F. Ekzekutimi i gjykimeve të Gjykatës
26. Çdo Shtet Palë ka marrë përsipër të respektojë gjykimet përfundimtare të Gjykatës në çdo çështje
në të cilën është palë. Nëpërmjet mbikqyrjes së vet, Komiteti i Ministrave siguron që gjykimet e Gjykatës
të kenë efektin e duhur, përfshi edhe me anë të zbatimit të masave të përgjithshme për të zgjidhur çështje
më të gjera sistemike.
27. Për rrjedhojë, Komiteti i Ministrave duhet të shqyrtojë në mënyrë të efektshme dhe të drejtë nëse
masat e marra nga një Shtet Palë e kanë zgjidhur shkeljen. Komiteti i Ministrave duhet të jetë në gjendje
të ndërmarrë masa të efektshme në lidhje me një Shtet Palë që dështon t’iu përmbahet detyrimeve të
veta sipas Nenit 45 të Konventës. Komiteti i Ministrave duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë shkeljeve
që zbulojnë një problem sistemik në nivel kombëtar dhe duhet të sigurohet që Shtetet Palë zbatojnë
gjykime pilot shpejt dhe me efektshmëri.
28. Komiteti i Ministrave po mbikqyr ekzekutimin e një numri gjithnjë në rritje gjykimesh. Teksa Gjykata
punon me aplikimet potencialisht të mirëmbështetura që presin përpara saj, mund të pritet që edhe
volumi i punës i Komitetit të Ministrave të rritet më tej.
29. Për rrjedhojë, Konferenca:
a) Nxit Shtetet Palë:
i) të zhvillojnë kapacitete dhe mekanizma të brendshme për të siguruar ekzekutimin e shpejtë të
gjykimeve të Gjykatës, përfshirë nëpërmjet zbatimit të Rekomandimit 2008(2) të Komitetit të Ministrave,
dhe të ndajë praktikat e mira në këtë drejtim;
ii) të hartojnë plane veprimi për ekzekutimin e gjykimeve që të jenë sa më të aksesueshme që të jetë
e mundur, përfshirë, aty ku mundet, nëpërmjet botimit në gjuhët kombëtare; dhe
iii) të lehtësojnë rolin e rëndësishëm të parlamenteve kombëtare për të inspektuar efektshmërinë e
masave zbatuese që janë marrë;
b) Rithekson ftesën e bërë nga Konferencat e Izmirit dhe Interlakenit që Komiteti i Ministrave të
aplikojë plotësisht parimin e subsidiaritetit me anë të të cilit Shtetet Palë mund të zgjedhin se si t’i
përmbushin detyrimet e tyre që rrjedhin nga Konventa;
c) Fton Komitetin e Ministrave që të vazhdojë të shqyrtojë se si të përmirësojë procedurat e veta me
qëllim që të sigurohet mbikqyrja e efektshme e ekzekutimit të gjykimeve, sidomos nëpërmjet:
i) marrjes në konsideratë në mënyrë më të strukturuar të çështjeve strategjike dhe sistemike në
takimet e tij; dhe
ii) një publiciteti më të fortë për takimet e tij;
d) Fton Komitetin e Ministrave që të shqyrtojë nëse ka nevojë për masa më të efektshme në lidhje me
Shtetet që dështojnë të zbatojnë gjykimet e Gjykatës në kohë; dhe
e) Mirëpret raportet dhe debatet e rregullta të Asamblesë Parlamentare lidhur me ekzekutimin e
gjykimeve.
G. E ardhmja më afatgjatë e sistemit të Konventës dhe Gjykatës
30. Kjo deklaratë trajton çështjet imediate me të cilat përballet Gjykata. Megjithatë, është po ashtu
jetësore të sigurohet efektshmëria e sistemit të Konventës në të ardhmen. Për ta arritur këtë, ka nevojë
për një proces që të parashikojë sfidat që janë përpara dhe të zhvillohet një vizion për të ardhmen e
Konventës, në mënyrë që vendimet e ardhshme të merren në kohë dhe në mënyrë konseguente.
31. Si pjesë e këtij procesi, mund të jetë e nevojshme të vlerësohet roli themelor dhe natyra e Gjykatës.
Një vizion afatgjatë duhet të sigurojë aftësinë e rolit kyç të Gjykatës në sistem për të mbrojtur dhe
promovuar të drejtat e njeriut në Europë. E drejta për aplikim individual mbetet një gur themeli i sistemit të
Konventës. Reformat në të ardhmen duhet të përforcojnë aftësinë e sistemit të Konventës për të trajtuar
shkeljet e rënda me shpejtësi dhe efektshmëri.
32. Zbatimi i efektshëm i Konventës në nivel kombëtar do ta lejojë Gjykatën, nga pikëpamja afatgjatë, që
të marrë një rol më të fokusuar dhe të shënjestruar. Sistemi i Konventës duhet t’i mbështesë Shtetet të
përmbushin përgjegjësinë e tyre parësore për të zbatuar Konventën në nivel kombëtar.
33. Në përgjigje të një zbatimi më të efektshëm në nivel kombëtar, Gjykata duhet të jetë në pozitë që t’i
përqendrojë përpjekjet e saj tek shkeljet e rënda apo të përhapura, problemet sistemike apo strukturore,
si dhe çështjet e rëndësishme të interpretimit e aplikimit të Konventës dhe, për pasojë, do duhet të trajtojë
më pak shkelje vetë dhe rrjedhimisht të japë më pak gjykime.
34. Konferenca e Interlakenit e ftoi Komitetin e Ministrave që të vlerësojë, gjatë viteve 2012 deri 2015,
se në ç’masë e ka përmirësuar situatën e Gjykatës zbatimi i Protokollit Nr. 14 dhe Planit të Veprimit të
Interlaken. Ajo kërkoi që, mbi bazën e këtij vlerësimi, Komiteti i Ministrave duhet të vendosë përpara vitit
2015 nëse ka nevojë për veprime të mëtejshme. Gjithashtu kërkoi që, përpara fundit të vitit 2019, Komiteti
i Ministrave duhet të vendosë nëse masat e adoptuara janë provuar si të mjaftueshme për të siguruar
funksionimin e qëndrueshëm të mekanizmit të kontrollit të Konventës apo nëse ka nevojë për ndryshime
më të gjithanshme.
35. Për rrjedhojë, Konferenca:
a) Mirëpret procesin e reflektimit mbi të ardhmen më afatgjatë të Gjykatës, filluar në Konferencën e
Interlakenit dhe vazhduar në Konferencën e Izmirit; dhe mirëpret kontributin e konferencës informale në
Uilton Park në këtë reflektim;
b) Fton Komitetin e Ministrave që të përcaktojë deri në fund të vitit 2012 procesin me anë të të cilit do
të përmbushë mandatet e tjera sipas kësaj Deklarate dhe Deklaratave të adoptuara nga Konferencat e
Interlakenit dhe Izmirit;
c) Fton Komitetin e Ministrave, në kontekstin e përmbushjes së mandatit të tij sipas Deklaratave të
adoptuara nga Konferencat e Interlakenit dhe Izmirit, për të shqyrtuar të ardhmen e sistemit të
Konventës, dhe ky shqyrtim përfshin sfidat e ardhshme ndaj gëzimit të të drejtave dhe lirive të garantuara
nga Konventa dhe mënyrën në të cilën Gjykata mund të përmbushë më së miri rolin e saj të të vepruarit
si rojtare e individëve të drejtat dhe liritë e të cilëve nuk sigurohen në nivel kombëtar dhe të interpretimit
me autoritet të Konventës;
d) Propozon që Komiteti i Ministrave ta kryejë këtë detyrë brenda strukturave ekzistuese, teksa siguron
pjesëmarrjen e këshillat e ekspertëve të jashtëm sipas nevojës me qëllim që të ofrohet një gamë e gjerë
ekspertize dhe të lehtësohet analiza më e plotë e mundshme e çështjeve dhe zgjidhjeve të mundshme;
e) Parashikon që Komiteti i Ministrave, si pjesë e kësaj detyre, do të kryejë një analizë përfshirëse të
opsioneve të mundshme për rolin dhe funksionin e ardhshëm të Gjykatës, përfshi analizën se si sistemi i
Konventës mund të ruhet në thelb në formën e tij të tanishme, si dhe shqyrtimin e ndryshimeve më të
thella lidhur me mënyrën e zgjidhjes së aplikimeve nga sistemi i Konventës me qëllim uljen e numrit të
çështjeve që duhen trajtuar nga Gjykata.
f) Më tej, fton Shtetet Palë, përfshi nëpërmjet Komitetit të Ministrave, që të iniciojnë shqyrtimin e
gjithanshëm të:
i) procedurës për mbikqyrjen e ekzekutimit të gjykmieve të Gjykatës dhe rolin e Komitetit të
Ministrave në këtë proces; dhe
ii) akordimin e mundësisë që aplikantët të jenë të kënaqur sipas Nenit 41 të Konventës; dhe
g) Si hap i parë, fton Komitetin e Ministrave të arrijë një pikëpamje të përkohshme mbi këto çështje
deri në fund të vitit 2015.
H. Dispozita të përgjithshme dhe përfundimtare
36. Hyrja e Bashkimit Europian në Konventë do të përforconte aplikimin koherent të të drejtave të njeriut
në Europë. Për rrjedhojë, Konferenca vëren me kënaqësi përparimin në përgatitjen e projektmarrëveshjes
së aderimit, dhe bën thirrje për një përfundim të shpejtë e të suksesshëm të kësaj pune.
37. Po ashtu, Konferenca vëren me vlerësim shqyrtimin e vazhduar, sipas mandatimit nga Konferencat
e Interlakenit dhe Izmirit, të faktit nëse mund të prezantohej një procedurë e thjeshtëzuar për amendimin
e dispozitave të Konventës që lidhen me çështje organizative, qoftë me anë të një Statuti për Gjykatën
apo një dispozitë të re në Konventë, dhe bën thirrje për një përfundim të shpejtë dhe të suksesshëm të
kësaj pune që merr parasysh plotësisht marrëveshjet kushtetuese mes Shteteve Palë.
38. Aty ku vendimet për t’i dhënë kësaj Deklarate efekt kanë implikime financiare për Këshillin e
Europës, Konferenca fton Gjykatën dhe Komitetin e Ministrave që t’i përllogarisin këto kosto sa më shpejt
që të jetë e mundur, duke marrë parasysh parimet buxhetore të Këshillit të Europës dhe nevojën për
mature buxhetore.
39. Konferenca:
a) Fton Kryesinë e Mbretërisë së Bashkuar që të përcjellë këtë Deklaratë dhe Procedurat e
Konferencës pranë Komitetit të Ministrave;
b) Fton Shtetet Palë, Komitetin e Ministrave, Gjykatën dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të
Europës që ta realizojnë plotësisht këtë Deklaratë; dhe
c) Fton Kryesimet e ardhshme të Komitetit të Ministrave që të sigurojnë ritmin e ardhshëm të reformës
së Gjykatës dhe zbatimin e Konventës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit