Nuk duhet vonuar me ngritjen e KZAZ-ve


Dje, më 7 Prill 2015, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në zbatim të nenit 17 të ligjit 31/2015 ”Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 ”Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar”, vendosi të përcaktojë datën 9 Prill 2015, si afatin e fundit për partitë parlamentare, të pozitës dhe opozitës, për të paraqitur emrat që propozojnë për anëtarë dhe sekretarë të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-ve). Gjithashtu KQZ përcaktoi datën 13 Prill 2015, si datë përfundimtare të krijimit të KZAZ-ve, për gjithë territorin e vendit.

Këto afate të ngushta kohore, të përcaktuara me vendim të organit më të lartë për administrimin e zgjedhjeve, pasqyrojnë situatën e emergjencës në të cilën është vënë ky organ nga klasa politike e vendit, për shkak të vonesës së miratimit të ligjit të sipërshënuar. Afatet e ngushta kohore, të sipërcituara, janë dhe një mundësi potenciale për cenimin e garancive të zgjedhësve për një proces të drejtë e të rregullt zgjedhor, sepse çdo nxitim në krijimin e organeve të administrimit zgjedhor mund të shkaktojë keqfunksionimin e tyre. Situata emergjente e krijuar është pasojë e vonesave të pajustifikuara të Kuvendit të Shqipërisë për të bërë ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor (KZ), të cilat imponoheshin nga organizimi i ri administrative-territorial në vend, ndërsa mungesa e transparencës dhe përfshirjes së shtetasve në këtë proces është nënvleftësim i rolit të rëndësishëm që shtetasit kanë në procesin zgjedhor. Zgjedhjet nuk janë pronë e partive politike, e administratës publike, apo e administratës zgjedhore. Zgjedhjet janë momenti ku shtetasit ushtrojnë pushtetin dhe zgjedhin përfaqësuesit që do të qeverisin në emër të tyre. Kjo i bën zgjedhësit subjektet më të interesuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për cilësinë e legjislacionit që e rregullon këtë proces.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) e shikon të nevojshme që, nëpërmjet kësaj deklarate publike, të tërheqë vëmendjen e partive politike parlamentare dhe t’u bëjë thirrje që, me ndjenjë të lartë përgjegjësie ndaj zgjedhësve dhe vendit, të mos bëhen më shkaktarë për vonesa të mëtejshme në realizimin e procesit parazgjedhor dhe t’i paraqesin KQZ-së, në afatin e caktuar, emrat e personave që propozojnë për të qenë anëtarë dhe sekretarë të KZAZ-ve.

Pas KQZ-së, KZAZ-të janë komisionet më të rëndësishme për administrimin e zgjedhjeve në territorin e njësive vendore, prandaj krijimi i tyre në kohë e me cilësinë e duhur është domosdoshmëri për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 21 Qershorit 2015. Afatet e parashikuara me ligj ose akte të KQZ-së nuk janë të rastësishme dhe pa ndonjë vlerë. Ato përcaktojnë një rend kronologjik, që mundëson kryerjen në kohë të gjithë hapave të domosdoshëm për përgatitjen e procesit zgjedhor, për ngritjen, konstituimin dhe kualifikimin e të gjitha organeve të administrimit zgjedhor. Këto organe, në tërësinë e tyre, duke zbatuar kompetencat që u janë caktuar me ligj, do të krijojnë kushtet e përshtatshme për ushtrimin e të drejtës së votës nga shtetasit dhe realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Së fundi, theksojmë se, çdo vonesë e mëtejshme e partive politike parlamentare për dorëzimin e emrave të kandidatëve për anëtarë të KZAZ-ve mund të ndikojë negativisht edhe në veprimtarinë e KQZ-së, lidhur me verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore, ose praninë e papajtueshmërive, që mund të kenë kandidatët e propozuar për të qenë anëtarëve dhe sekretarëve të KZAZ-ve. Vonesa mund të ndikojë edhe në kryerjen e detyrave të shumta që kanë për të kryer KZAZ-të, përfshirë këtu dhe trajnimin e tyre, në kohë dhe cilësinë e duhur, gjë që ka përbërë problem dhe ka shkaktuar vështirësi serioze në zgjedhjet e kaluara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2017 >
April
MoTuWeThFrSaSu
     12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
TOP