Shqetësuese ndotja e ambientit në fshatin Borizanë dhe Kadias të Krujës


Duke marrë shkas nga njoftimet në media dhe nga disa ankesa të banorëve në fshatrat Borizane dhe Kadias të Krujës, të cilët ankohen se vazhdon djegia e furrave të gëlqeres, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) realizoi një mision verifikimi në terren.

KShH mori takim me përfaqësues të zgjedhur, me banorë të zonës, me pronarë të kompanive dhe nga konstatimet në vend të gjendjes rezultoi se, vërehej qartë dëmtimi i ambientit mjedisor, ndotja e rëndë e ajrit që vinte në rrezik shëndetin dhe jetën e banorëve pranë guroreve. Gurorja e vendosur në truallin pronë private, shtrihej shumë pranë banesave të fshatit Borizane. Në vijë ajrore nuk i kalonte 2 km rrugë. Pronari i truallit pohoi se për këtë aktivitet nuk dispononte leje mjedisore. Të punësuarit me të cilët kontaktuam, ishin mbuluar nga pluhuri i rënduar që lëshonte ky proces dhe nuk dispononin asnjë mjet mbrojtës që mund të parandalonte pasojat në pjesën e fytyrës dhe të frymëmarrjes.

Në fshatin Kadias situata ishte alarmante. Disa persona që nuk pranuan të identifikoheshin, ishin angazhuar në djegien e lëndëve që shkaktonin ndotje të theksuar në ajër dhe tokë. Në atmosferë përhapej një tym i zi i dendur që dilte nga djegia e gurëve gëlqerorë në thellësi të kodrave. Për djegien e furrave të tilla përdoreshin grumbuj mbeturinash gomash, lëndë plastike, industriale, etj, me pasoja të rënda për shëndetin e njerëzve.

Verifikimi i mësipërm krijon lehtësisht bindjen se ky aktivitet jo vetëm është i kundraligjshëm por përmban dhe element kriminalë sepse dëmton rëndë mjedisin, por ajo që është kryesore janë pasojat tepër të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve.

KShH e sheh të nevojshme të tërheq vëmendjen për gjendjen e përmendur më lart, aq më tepër se autoritetet shtetërore të ngarkuara për inspektime dhe kontrolle të veprimtarive të tilla, si dhe përfaqësuesit e organeve të qeverisjes vendore heshtin edhe pse janë në dijeni të kësaj gjendje.

KShH i bën thirrje strukturave përgjegjëse në varësi të Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Policisë së Shtetit që në përputhje me kompetencat e tyre të ushtrojnë me urgjencë verifikimet e nevojshme dhe sipas rastit të marrin masa për t’i dhënë fund kësaj situate shqetësuese.

KShH i bën thirrje organeve të qeverisjes vendore në Bashkinë e Krujës, të cilat me ndarjen e re territoriale – administrative kanë më shumë kompetenca, të jenë më aktive dhe të bashkëpunojnë me strukturat kompetente për referimin dhe zgjidhjen e problemeve dhe shqetësimeve të banorëve të fshatit Borizane dhe Kadias.

KShH do të vijojë ndjekjen e kësaj çështje, duke vënë në dijeni organet përkatëse që kanë përgjegjësi direkte për të mos lejuar aktivitete që dëmtojnë shëndetin dhe jetën e njerëzve.

Galeri Fotosh

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2017 >
May
MoTuWeThFrSaSu
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031    
TOP