Të parandalohen vetëvrasjet në sistemin e burgjeve


Sipas njoftimeve në median e dt. 18 Shkurt 2017, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Rrugën “Mine Peza”, (Burgu 302) Tiranë, i dha fund jetës 23 vjeçari, i paraburgosuri me iniciale N. L.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), duke marrë shkas nga kjo ngjarje e dhimbshme shpreh shqetësimin se, vetëm brenda këtij viti kanë ndodhur edhe dy ngjarje të tilla në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Rrogozhinë dhe Vlorë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me shtetasin E. C., i cili po ekzekutonte dënimin me burgim në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Korçë, por në kushtet kur atij i ishte dhënë leje për të shkuar në shtëpinë e tij.

KShH është në dijeni se, në këto raste organi i Prokurorisë ka filluar çështjen penale për të zbuluar shkaqet dhe motivet e vërteta të ngjarjeve të tilla të rënda, aq më tepër sepse viktimat (të paraburgosur apo të dënuar me burgim) janë nën kujdesin dhe ruajtjen e organeve shtetërore. Pavarësisht nga kjo, KShH e shikon të nevojshme t’i sugjerojë organit të Prokurorisë që, veçanërisht në raste të tilla, hetimi të jetë i shpejtë, objektiv dhe i gjithanshëm, duke njoftuar në përfundim edhe familjarët apo të afërmit e viktimave.

Është hetimi i prokurorisë dhe mbi të gjitha vendimi i gjykatës që duhet të hedhë dritë se mbi kë rëndon përgjegjësia për vetëvrasjet në sistemin e burgjeve. Nga ana tjetër, KShH vlerëson se nevojitet zgjidhja e problematikave që ka sistemi i burgjeve në drejtim të kushteve, trajtimit, ri-integrimit në shoqëri dhe rehabilitimit të të dënuarve si edhe vlerësimit dhe adresimit të drejtë të faktorëve të riskut brenda këtij sistemi.

Në disa nga çështjet e gjykuara nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), është konkluduar se vetëvrasjet në burgje, kur vijnë si rezultat i mungesës së kujdesit apo mbikëqyrjes së specializuar ndaj personave nën kontrollin e autoriteteve shtetërore mund të çojnë në shkelje të nenit 2 (e drejta e jetës) dhe nenit 3 (ndalimi i torturës) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (shih Keenan kundër Mbretërisë së Bashkuar). Në çështjen Renolde kundër Francës, GJEDNJ konstatoi shkelje të nenit 2 dhe 3 të Koventës pas ankimit të bërë nga motra e të ndjerit, i cili ishte vetëvrarë në qelinë e izolimit dhe vuante nga pasoja të çrregullimit mendor. Gjykata e argumentoi vendimin me mungesën e mbikqyrjes nëse i dënuari merrte apo jo ilaçet si dhe për shkak të vendosjes së tij në një qeli izolimi.

Bazuar në ligjin nr. 8328, dt. 16.04.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar, Rekomandimin (2006) 2, të Këshillit të Europës për Shtetet Anëtare mbi Rregullat Europiane të Burgjeve (pika 52.1), Rregullin 47, të Standarteve Minimum të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve (RSM), KShH i sugjeron Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që, në raste të tilla, të analizojë faktin nëse nga personeli përkatës i burgjeve janë marrë apo jo masat parandaluese ndaj personave të privuar nga liria që potencialisht mund të bëjnë tentativë për vetëvrasje ose e kanë kryer atë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2017 >
March
MoTuWeThFrSaSu
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031  
TOP