Të parandalohen vetëvrasjet në sistemin e burgjeve


Sipas njoftimeve në median e dt. 18 Shkurt 2017, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Rrugën “Mine Peza”, (Burgu 302) Tiranë, i dha fund jetës 23 vjeçari, i paraburgosuri me iniciale N. L.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), duke marrë shkas nga kjo ngjarje e dhimbshme shpreh shqetësimin se, vetëm brenda këtij viti kanë ndodhur edhe dy ngjarje të tilla në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Rrogozhinë dhe Vlorë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me shtetasin E. C., i cili po ekzekutonte dënimin me burgim në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Korçë, por në kushtet kur atij i ishte dhënë leje për të shkuar në shtëpinë e tij.

KShH është në dijeni se, në këto raste organi i Prokurorisë ka filluar çështjen penale për të zbuluar shkaqet dhe motivet e vërteta të ngjarjeve të tilla të rënda, aq më tepër sepse viktimat (të paraburgosur apo të dënuar me burgim) janë nën kujdesin dhe ruajtjen e organeve shtetërore. Pavarësisht nga kjo, KShH e shikon të nevojshme t’i sugjerojë organit të Prokurorisë që, veçanërisht në raste të tilla, hetimi të jetë i shpejtë, objektiv dhe i gjithanshëm, duke njoftuar në përfundim edhe familjarët apo të afërmit e viktimave.

Është hetimi i prokurorisë dhe mbi të gjitha vendimi i gjykatës që duhet të hedhë dritë se mbi kë rëndon përgjegjësia për vetëvrasjet në sistemin e burgjeve. Nga ana tjetër, KShH vlerëson se nevojitet zgjidhja e problematikave që ka sistemi i burgjeve në drejtim të kushteve, trajtimit, ri-integrimit në shoqëri dhe rehabilitimit të të dënuarve si edhe vlerësimit dhe adresimit të drejtë të faktorëve të riskut brenda këtij sistemi.

Në disa nga çështjet e gjykuara nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), është konkluduar se vetëvrasjet në burgje, kur vijnë si rezultat i mungesës së kujdesit apo mbikëqyrjes së specializuar ndaj personave nën kontrollin e autoriteteve shtetërore mund të çojnë në shkelje të nenit 2 (e drejta e jetës) dhe nenit 3 (ndalimi i torturës) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (shih Keenan kundër Mbretërisë së Bashkuar). Në çështjen Renolde kundër Francës, GJEDNJ konstatoi shkelje të nenit 2 dhe 3 të Koventës pas ankimit të bërë nga motra e të ndjerit, i cili ishte vetëvrarë në qelinë e izolimit dhe vuante nga pasoja të çrregullimit mendor. Gjykata e argumentoi vendimin me mungesën e mbikqyrjes nëse i dënuari merrte apo jo ilaçet si dhe për shkak të vendosjes së tij në një qeli izolimi.

Bazuar në ligjin nr. 8328, dt. 16.04.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar, Rekomandimin (2006) 2, të Këshillit të Europës për Shtetet Anëtare mbi Rregullat Europiane të Burgjeve (pika 52.1), Rregullin 47, të Standarteve Minimum të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve (RSM), KShH i sugjeron Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që, në raste të tilla, të analizojë faktin nëse nga personeli përkatës i burgjeve janë marrë apo jo masat parandaluese ndaj personave të privuar nga liria që potencialisht mund të bëjnë tentativë për vetëvrasje ose e kanë kryer atë.

1 Comment to “ Të parandalohen vetëvrasjet në sistemin e burgjeve”

  1. Oni zefi says :Reply

    JANE KUSHTET MIZERABEL TE JETESES NE BURGJET SHQIPETARE ESHTE MENYRA E ULET DHE VULGARE E TRAJTIMIT TE PARABURGOSURVE SHKAK PER VETEVRASJE KJO PASI I BURGOSURI NGARKOHET PSIKOLOGJIKISHT DHE NUK GJEN ASNJE SHPRESE PER TE ARDHMEN.
    USHQIMI NUK KAP NORMAT NORMALE,KUSHTET E BANIMIT TMERRESISHT JO NJEREZORE ASNJE AKTIVITET ARTISTIK APO SPORTIV NUK ORGANIZOHET AKOMA ME SHUME TE BURGOSURIT TRAJTOHEN PA RRESPEKT DHE LIHEN ME DITE DHE JAVE PA ILACE.PSIKOLOGET NUK E BEJNE PUNEN E TYRE SI PSIKOLOGE POR JANE VETEM HULUMTUES DHE GERMUES DHE NUK DINE TE LEHTESOJNE GJENDJEN PSIKOLOGJIKE TE TE BURGOSURVE.SHUMICA E TE PARABURGOSURVE JANE TE PA FAJSHEM POR ASKUSH NUK JA JEP TE DREJTEN LIGJORE DHE SKA ME BESIM TEK LIGJI.PERSDERISA NE SHQIPERI BURGOSESH PA PROVA PA FAKTE POR VETEM ME FJALE GOJE DHE GENJESHTRA TE OPGJ DHE PROKURORIT SKA ME DREJTESI.GJYQTARI BEN SI DO DHE SI I BUSHET MENDJA DHE NUK BAZOHET NE ASNJE LIGJE PASI NUK PERMEND ASNJE LIGJE NE PROCES GJYKIMI.VETEM NE SHQIPERI NDODH CDO DITE QE NJE I ARRESTUAR QENDRON 10 MUAJ NE BURG PA JU BERE GJYQI. AKOMA ME SHUME NUK DUHET TE LEJOHET KJO PRAKTIKE GJYKIMI ME NJE GJYQTAR NE SHKALLEN E PARE.SI KA MUNDESI QE NJE NJERI I VETEM VENDOS PER JETEN DHE LIRINE E NJE INDIVIDI? KY GJYQTAR MUND TE JETE NJE I DROGUAR,OSE NJE I PIRE OSE JO NE RREGULL ME PSIKOLOGJINE PERSONALE. NE BURGJET SHQIPETARE MUNGOJNE EDHE KUSHTET ELEMENTARE TE JETESES.DHE ME E KEQJA ESHTE QE ASKUSH NUK NGRIHET TI NDRYSHOJE APO TI MBROJE TE PARABURGOSURIT LERE PASTAJ TE BURGOSURIT.GJEJA ME E THJESHTE QE NDODH NE BURG ESHTE QE DREJTORIA E BURGUT NUK TE DERGON ANKESAT OSE LETRAT OSE KERKESAT ME POSTE POR I MBAN DHE I ZHDUK. NUK KA TE DREJTE FJALE OSE ANKIMI PER TE BURGOSURIT PASI ATA KERCENOHEN DHE TRANSFEROHEN NE BURGJE TE TJERA NESE FLASIN.KA SHUME PEE TE THENE POR VETEM KETO CKA PERMENDA SHTO EDHE HUMBJEN E BESIMIT TEK E ARDHMJA TEK JETA DHE TE BURGOSURIT VDEKJA I DUKET LULE PERBALLE REALITETIT MAKABER QE AI JETON.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2018 >
August
MoTuWeThFrSaSu
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031  
TOP