Trajnim dy ditor për ngritjen e kapaciteteve të vëzhguesve që do të monitorojnë respektimin e të drejtave të azilkërkuesve dhe refugjatëve


Komiteti Shqiptar i Helsinkit, zhvilloi në në datat 30 dhe 31 Mars 2017 në Gjirokastër, një trajnim me temë “Rritja e kapaciteteve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe të Organizatave të tjera të Shoqërisë Civile”. Ky aktivitet realizohet në kuadër të inisiativës së ndërmarrë nga KShH, duke j’u referuar dinamikave të migrimit në Ballkanin Perëndimor dhe parashikimeve të bëra nëse Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor do të mund të preken nga një fluks refugjatësh apo jo. Numri i konsiderueshëm i refugjatëve që ndodhen në territorin e shtetit Grek dhe që tentojnë të kalojnë tranzit nëpërmjet territorit të vendit tonë si dhe ndikimi që ka patur marrëveshja midis Turqisë dhe kryetarëve të shteteve/qeverive anëtare të Bashkimit Evropian kërkon një mobilizim dhe aktivizim më të lartë nga organizatat dhe institucionet e pavarura që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut. Kjo situatë kërkon gjithashtu lobim dhe advokim për përmirësimin e respektimit të të drejtave të emigrantëve, refugjatëve, azilkërkuesve dhe shtetasve të vendeve të treta.

Ky aktivitet u realizua në bashkëpunim me UNHCR-në, Qendrën Kroate të Ligjit dhe Këshillin Hollandez për Refugjatët, të cilët sollën përvojën e tyre në trajtimin e cështjeve që janë me interes për monitorimet në vazhdim që KShH do të kryejë në këtë fushë. Përvec stafit të KSHH-së, pjesëmarrës në trajnim ishin edhe përfaqësues të Avokatit të Popullit, përfaqësuesi i UNCHR-së në Gjirokastër, nga Terre des Hommes, Refugees and Migrants Services in Albania dhe organizata të tjera të shoqërisë civile në nivel vendor. Trajnimi u kombinua edhe me realizimin e një vizite në Pikën e Kalimit të Kufirit Kakavijë.

Me shumë rëndësi në këtë aktivitet ishte prania Shkëlqesisë së saj, Znj. Dewi van de Weerd, Ambasadore e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë, e cila përshëndeti aktivitetin dhe ritheksoi edhe një herë faktin që standardet e zbatuara ligjore të të drejtave të njeriut për refugjatët dhe azilkërkuesit ende nuk përputhem me standardet ndërkombëtare në këtë fushë. Ajo qe ngriti si dicka të rëndësishme Znj. Ambasadore ishte gjithashtu që duhet të vazhdojë mikëpritja e shtetit tonë për këtë kategori vulnerabël, duke bërë thirrje që të ketë më shumë vëmendje në këtë drejtim.

KShH, në vijim do të realizojë misione monitorimi në pikat e kalimit kufitar, në institucionet ku mbahen emigrantët e parregullt dhe azil kërkuesit , me qëllim evidentimin e situatës së respektimit të të drejtave të këtyre kategorive individësh. Disa prej këtyre monitorimeve do të kryhen në bashkëpunim me organizatat dhe institucionet që morrën pjesë në këtë trajnim dy ditor.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Kontribut për një respektim më të mirë të të drejtave të azilkërkuesve dhe refugjatëve në Shqipëri”, të mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë se Vendeve te Ulta, në kuadër të Programit Matra për Shtetin e së Drejtës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2017 >
April
  • No Events
TOP