Vendim i nxituar me pasoja të dëmshme


Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim debatin lidhur me urdhërin e KKRT-së për heqjen nga pika e “Taraboshit” të antenave të “Vizion+” dhe “Top Channel” që mundësuan përhapjen e sinjalit të këtyre stacioneve në territorin e Shkodrës.

Ky vendim drastik dhe i pakonsultuar paraprakisht jusitifikohet me nevojën për zbatimin e ligjit, kur dihet se mos-rregullimi i këtij problemi nuk ka ndodhur për fajin e televizioneve ndaj të cilëve aplikohet masa e mësipërme.

KSHH mendon se zvarritjet burokratike dhe mungesa e vullnetit politik janë shkaqet kryesore për mos-amendimin në kohën e duhur të legjislacionit përkatës objekt diskutimi.

Në këtë vështrim, zbatimi formal i ligjit pa marrë parasysh pasojat veç të tjerave, bie ndesh me parimet kushtetuese dhe qëllimin e ligjit që synojnë garantimin e mediave të lira dhe të drejtën e informimit.

KSHH vlerëson dhe mbështet reagimin e qytetarëve që nuk pajtohen me një vendim të tillë pikërisht sepse ata privohen padrejtësisht nga informacioni i domosdoshëm që marrin nëpërmjet operatorëve televizivë që siç dihet luajnë një rol të pazëvendësueshëm.

KSHH, marrjen e kësaj mase nga KKRT e konsideron të nxituar edhe për faktin se vetë institucioni ka deklaruar se ky problem do të zgjidhet brenda një kohe relativisht të shkurtër. Është kjo arsyeja që për KSHH-në është e pakuptimtë përse ky nxitim kaq i madh kur dihet se kjo gjendje është toleruar prej disa vjetësh, gjë që vërtetohet edhe në memorandumin e nënshkruar mes KKRT-së dhe OSBE-së për prodhimin e kartës së frekuencës.

KSHH mendon se KKRT-ja mund të mos kalonte deri në marrjen e masave të tilla, por të jepte liçensa rajonale ose kombëtare në përputhje me fushat e lira, që siç thuhet, ekzistojnë në Shqipëri.

KSHH shpreh shqetësimin e tij edhe për faktin se urdhëri i KKRT-së godet fillimisht televizionet më të fuqishme që kanë justifikuar edhe para publikut rolin e tyre informues dhe edukativ, sikur këto dy televizione të ishin shkelësit më të mëdhenj të ligjit. Për KSHH-në, masa të tilla, krijojnë përshtypjen e qëndrimeve selektive, pavarësisht nga deklaratat se ky operacion do të shtrihet edhe ndaj televizioneve të tjera. Për KSHH-në, nëse do të ndodhte kjo, pasojat e dëmshme do të ishin edhe më të rënda. KSHH mendon se detyra kryesore e KKRT-së është garantimi i mbrojtjes së mediave të lira dhe si pasojë, informimi i pandërprerë dhe objektiv i publikut të gjerë. Në këtë aspekt, i rëndësishëm është edhe përmirësimi i mëtejshëm i legjislacionit në këtë fushë.

KSHH e shikon të nevojshme t’i sugjerojë KKRT-së të rivlerësojë masat e marra ndaj televizioneve të mësipërme dhe të sigurojë të drejtën e informimit në ato vende ku kjo e drejtë është kufizuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2019 >
December
MoTuWeThFrSaSu
      1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031     
TOP