Deklaratë: Tiranë, më 20 Mars 2006


Të drejtat dhe liritë e njeriut janë themeli i shtetit të së drejtës dhe demokracisë që duam të ndërtojmë. Shteti ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë ato. Ky parim bazohet në nenin 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Respektimi i kufijve dhe diskrecionit që përcakton Kushtetuta për aksionin politik është garanci thelbësore për respektimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë.

Politikat anti-korrupsion janë inisiativa të domosdoshme të cilat mbështeten nga shoqëria civile dhe shtetasit në përgjithësi. Këto politika janë të rëndësishme për zhvillimin e vendit, për konsolidimin e demokracisë dhe për përmbushjen e aspiratave të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian. Por duhet patur parasysh se politikat qeveritare nuk mund të cënojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Respektimi i të drejtave të njeriut në përputhje me Kushtetutën përbën një parakusht për suksesin e këtyre inisiativave.


Aktorë të veçantë të shoqërisë civile kanë vëzhguar dhe shqyrtuar me vëmendje disa nisma ligjore qeveritare të kohëve të fundit të ndërmarra në kuadrin e politikave antikorrupsion. Objekt diskutimi dhe debati janë bërë:

  • Projektligji “Për bashkëpunimin e publikut në luftën kundër korrupsionit”;

  • Vendimet e Këshillit të Ministrave për shmangjen e nepotizmit në administratën publike, tatimore dhe doganore konkretisht Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 43, datë 27.I.2006 “Për shmangien e nepotizmit dhe ndikimit të pushtetit në rekrutimin dhe karrierën e personelit të administratës tatimore”; Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 44, datë 27.1.2006 “Për shmangien e nepotizmit në administratën publike”; Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.48, datë 27.1.2006 “Për disa shtesa në vendimin nr.205, datë 13.IV.1999 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e dispozitave zbatuese të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar.

  • Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin Nr. 8457, datë 11.2.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”.

  • Moratoriumi mbi mjetet e lundrimit

Por, me shqetësim konstatojmë se këto inisiativa cënojnë të drejtat e njeriut në mënyrë të pajustifikuar dhe bien ndesh me frymën dhe parashikimet e Kushtetutës. Mosrespektimi i të drejtave vë në diskutim suksesin dhe arritjen e qëllimeve të këtyre nismave.

Organizatorët e kësaj tryeze i bëjnë thirrje autoriteteve shtetërore dhe në mënyrë të veçantë parlamentit dhe qeverisë që janë përgjegjës për inisiativat legjislative që të vlerësojmë më me kujdes respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në çdo nismë që ato ndërmarrin, pavarësisht nga objektivat dhe qëllimet e tyre të cilat janë të mirëpritura nga të gjithë

Shoqëria civile, në mënyrë të veçantë organizatat e të drejtave të njeriut, kanë tashmë një përvojë dhe eksperiencë të konsiderueshme në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Këto organizata kanë kontribuar në oponencat ligjore dhe në ekpertiza të ndryshme.

Në këtë kuadër e konsiderojmë të rëndësishme përfshirjen e këtyre organizatave dhe grupeve të interesit në procesin e hartimit dhe diskutimit të këtyre iniciativave ligjore. Kjo do të ishte një kontribut i vlefshëm për respektimin e parimeve kushtetuese dhe të shtetit ligjor si edhe në të njëjtën kohë për rritjen e cilësisë së këtyre inisiativave në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të shtetit të së drejtës.

Edhe njëherë, organizatat tona shprehin angazhimin për të bashkëpunuar me autoritetet shtetërore në drejtim të respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe forcimit të shtetit të së drejtës.

Gjithashtu, garantojmë vullnetin tonë për të reaguar në mënyrë konstruktive kur do të vlerësohet se ka një cënim të të drejtave kushtetuese të qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit