Demokracia parlamentare nuk pajtohet me gjuhën e urrejtjes


Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) edhe më parë ka reaguar publikisht kundër gjuhës së urrejtjes dhe sjelljeve agresive, që shpesh janë përdorur në Kuvend, si nga deputetë të maxhorancës dhe ata të opozitës. Është për të ardhur keq, madje është bërë tepër shqetësues fakti se ky fenomen, kohët e fundit, po manifestohet gjithnjë e më i ashpër, si gjatë veprimtarisë së Komisioneve Kuvendore, ashtu dhe në seancat plenare.

Publiku i gjerë ndihet i shqetësuar dhe i cenuar në të drejtën për të marrë informacion lidhur me veprimtarinë e organit më të lartë përfaqësues, në kushtet kur seancave parlamentare shpesh u mungon etika e komunikimit, kur nga goja e disa deputetëve dëgjohen fyerje të rënda dhe shprehje poshtëruese ndaj dinjitetit të kolegëve të tyre, apo personave të tjerë, jo të pranishëm në sallën e Kuvendit. Sigurisht seanca të tilla nuk mund të ndiqen normalisht nga shtetasit, pasi ato në vend që të informojnë rreth veprimtarisë që zhvillon Kuvendi, në përmbushje të misionit të vet, përcjellin një model të shëmtuar komunikimi, mungesë bashkëpunimi e mirëkuptimi në të mirë të vendit. Nga ana tjetër këto sjellje të përfaqësuesve më të lartë të popullit janë dhe një model i keq veprimi, që u përcillet shtetasve për ta përdorur në jetën e tyre, pa përjashtuar këtu rrezikun për fëmijët dhe brezin e ri, të cilët mund ta përvetësojnë këtë model, duke rrezikuar që kjo situatë jonormale pune në Kuvendin e Shqipërisë të përcillet edhe në jetën shoqërore.

KShH i ndërgjegjshëm për rolin e rëndësishëm të Kuvendit të Shqipërisë në kuadër të zhvillimeve demokratike dhe shtetit të së drejtës në vend, bën thirrje për t’i dhënë fund gjuhës së urrejtjes dhe sjelljeve agresive dhe pret nga përfaqësuesit e popullit, pavarësisht përkatësisë politike, të angazhohen më shumë dhe më seriozisht për zgjidhjen e problemeve që preokupojnë popullin, për përmirësimin e jetës dhe mirëqenies së tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit