DISA MENDIME DHE SUGJERIME TË KOMITETIT SHQIPTAR TË HELSINKIT PËR PROJEKTLIGJIN “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10192, DT. 03.12.2009 “PËR PARANDALIMIN DHE GODITJEN E KRIMIT TË ORGANIZUAR, TRAFIKIMIT DHE KORRUPSIONIT NËPËRMJET MASAVE PARANDALUESE KUNDËR PASURISË”, I NDRYSHUAR

Në përmbushje të misionit të tij, për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të shtetasve, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka patur dhe vazhdon të ketë në vëmendje zhvillimet e sistemit tonë të drejtësisë penale, me fokus të veçantë ofrimin e oponencës ligjore gjatë procesit ligjbërës për reflektimin dhe respektimin e standarteve dhe praktikave të mira vendase dhe ndërkombëtare në parashikimet e këtij legjislacioni.

Gjithashtu, në fokus të veprimtarisë tonë ka qenë edhe kundërshtimi i disa ligjeve, në mënyrë të plotë ose të pjesshme, pranë Gjykatës Kushtetuese, për çështje, të cilat lidhen me misionin tonë. Ligji mbi të cilin propozohen ndryshimet, i njohur ndryshe si ligji antimafia, është kundërshtuar nga KShH në Gjykatën Kushtetuese, duke i kërkuar kësaj Gjykate shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ), pasi shprehja dyshim i arsyeshëm bazuar në indicie parashikuar ne nenin 3 paragrafi 1 i ligjit nuk ishte në perputhje me standardin dyshim i arsyeshëm i parashikuar në nenin 27/2 shkronja “c” të Kushtetutës nenin 5/1 të KEDNJ-së dhe nenin 228/1 të Kodit të Procedurës Penale KPP. Gjithashtu, KShH në kërkesën e tij referoi se ligj shkel të drejtën e pronës të sanksionuar nga neni 41 i Kushtetutës dhe neni 1 i Protokollit 1 të KEDNJ-së. Kërkesa jonë në atë kohë nuk u pranua me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Të bindur se legjislacioni dhe jurisprudenca e gjykatave evolon bashkë me zhvillimin e shoqërisë, me qëllim që t’I përgjigjet parandalimit dhe ndëshkimit të formave të avancuara apo sofistikuara të kriminalitetit, për KShH është e rëndësishme respektimi i të drejtave dhe lirive të shtetasve si dhe respektimi i nenit 17 të Kushtetutës në rastet kur vendosen kufizime të këtyre të drejtave.

Për lehtësi, na lejoni të paraqesim vlerësimet tona për këtë projektligj, në bazë të rendit kronologjik të dispozitave dhe propozimeve për ndryshim.

1) Për ndryshimet e propozuara në nenin 3 të ligjit, në pikën 1, fjala “indicje” do sugjeronim të elaborohet, duke kuptuar të dhëna apo prova indirekte. Edhe pse në këtë rast dyshim i arsyeshëm është i ndryshëm nga nocioni i përdorur në Kodin e Procedurës Penale, kemi mendimin se edhe ai duhet të mbështetet në disa të dhëna qoftë edhe prova indirekte që përbëjnë dyshimin e arsyeshëm.

Për pikën 2, gërma “a” – edhe këty prezumimi duhet të mbështetet në dyshime të arsyeshme, në indicie (prova indirekte) dmth jo me supozime. Lidhur me gërmën “b”, cili është ndryshimi midis “dyshimit të arsyeshëm” dhe “të dhënave të mjaftueshme”? A nuk do ishte më mirë të përdorej shprehja “dyshim i arsyeshëm”. I njëjti sugjerim vlen edhe për gërmën “c” të kësaj pike. Për nëndarjen “iii” të gërmës “c” të po kësaj pike, vlerësojmë se shprehja “nga rrethana të tjera të dobishme” i lë shkas interpretimeve të ndryshme dhe subjektive.

2) Për nenin 6 që ndryshon nenin 5 pika 2 të ligjit shprehja “dhe plotësohen nga rregulla të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale” vërejmë se është i përgjithshëm dhe fjala “plotësohen” krijon përshtypjen sikur procedura në këtë ligj është e pamjaftueshme. Në ҫ′raste plotësohen?

3) Për nenin 7 që ndryshon nenin 6, shprehja “Prokurori ndërmerr, edhe nëpërmjet policisë … …” vlerësojmë do të ishte më e qartë nëse do të formulohet si vijon ““Kur është e nevojshme prokurori urdhëron (ose udhëzon) organet e policisë gjyqësore të kryejnë hetime ndaj personave të parashikuar … …”.

4) Për nenin 10 që ndryshon nenin 10, togfjalëshi “të miratojë masat e përcaktuara në ligjet e veҫanta” mendojmë se është i përgjithshëm dhe mund t’i lejë shkas interpretimeve të ndryshme ose subjektive.

5) Për nenin 11 që ndryshon pjesën hyrëse të pikës 1 të nenit 11, pas fjalës “vendos” mendojmë të shtohet fjala “mund”.

6) Për nenin 12 që i bën shtesa dhe ndryshime nenit 12, vlerësojmë se është e paqartë në pikën 2 se kush e vë në lëvizje gjykatën dhe në ҫ′kushte do të vendosë ajo apo mund të vendosë edhe kryesisht? Për pikën 5 të këtij neni, në ҫ′raste ose përse mund të planifikohet seanca e posaҫme? Kjo bëhet kryesisht apo me kërkesën e prokurorit?

7) Për nenin 14 që riformulon nenin 13 pika 3, në praktikë mund të vërtetohet që pronari nuk është njoftuar ose është njoftuar por për shkaqe të justifikueshme mund të mos paraqitet. I njëjti sugjerim vlen edhe për pikën 7 të këtij neni. Afati mund të mos respektohet për shkaqe të justifikueshme të përligjura.

8) Për nenin 15 që riformulon nenin 14 – Për pikën 3, vlerësojmë se pas fjalës të ekzekutimit mendojmë të shtohen fjalët “të lëshuar”. Fjala “edhe nëse…” mendojmë se duhet bërë më e qartë sepse mund t’i leje shteg keqinterpretimeve apo subjektivizmit në zbatimin e kësaj dispozite.

9) Për nenin 19 që ndryshon paragrafin e nenit 19, vlerësojmë se në këtë rast gjykata duhet të bazohet në një raport ose proces- verbale të ekspertëve përkatës.

10) Për nenin 21 të ligjit pika 2, rreshti i dytë mund të përdoret në vend të togfjalëshit “barrën për të përligjur” togfjalëshi “barrën për të provuar”. Kjo terminologji në raste të tilla përdoret më shumë në legjislacionin tonë. Në pikën 3 psh thuhet: “barra e provës”. Në këtë pikë sugjerojmë se duhet bërë e qartë ҫ′duhet kuptuar me shprehjen “janë në pronësi indirekte”. Ҫ′ndryshim ka midis “në pronësi indirekte” dhe “në mënyrë të tërthortë”.

11) Për nenin 23 të ligjit, pika 2 mendojmë se afati 1 vjeҫar është i tepruar. Edhe në raste komplekse ose të veҫanta (përjashtim) do të ishte i justifikueshëm afati 6 muaj (dmth 3 muaj mbi afatin e zakonshëm).

12) Për nenin 24 të ligjit, pika 3, mendojmë se si formulim të mund të rishikohet me qëllim që të mos përdoren dy fjalë që kanë të njëjtin kuptim dmth “të përligj origjinën e ligjshme”. Natyrisht kjo ka të bëjë me teknikën ligjore.

13) Për nenin 29 që ndryshon nenin 28, për pikën 5, Këshilli i Ministrave mendojmë të ketë një afat për të përcaktuar rregullat dhe procedurat e hollësishme.

14) Lidhur me funksionimin e agjensisë së Administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuar, për pikën 6, fjalët “pa vonesë” do të ishte më mirë të kushtëzoheshin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit