Më shumë mbrojtjen për gazetarinë investigative liria e shprehjes është e garantuar ajo duhet respektuar.


Para disa ditësh, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) zhvilloi një takim me shtetasen Alida Tota, me profesion gazetare, e cila pretendoi largim të padrejtë nga puna për shkak të investigimit gazetaresk të kryer në Landfillin e Sharrës, ku humbi jetën 17 vjeçari A.Gj. Sipas gazetares, largimi nga puna çoi në transmetimin e pjesshëm të këtij investigimi në Televizionin ku ajo ishte e punësuar. Gjithashtu sipas saj, ky transmetim u censurua në një program të ri televiziv në një Televizion tjetër privat.

KSHH, është njohur me këtë çështje nëpërmjet informacionit të dhënë nga mediat dhe gazetarja e pushuar nga puna. Gjithashtu, jemi njohur me reagimet në mediat dhe portalet online në mbrojtje të gazetares. KShH i mbështet këto reagime pasi ato adresojnë nevojën për mbrojtjen dhe respektimin e lirisë së shprehjes dhe ndalimin e censurës paraprake të mjeteve të komunikimit, në përputhje me nenin 22 të Kushtetutës dhe nenin 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

KSHH e shikon të nevojshme të përmendë se në disa vendime të Gjykatës së Strasburgut është theksuar roli i rëndësishëm i medias, në një shoqëri të lirë dhe demokratike, sidomos i medias investigative. Në këto vendime nënvizohet se, “Mediat kanë një rol thelbësor. Ato kanë jo vetëm të drejtën por dhe quasi detyrimin për të përcjellë informacion dhe ide për publikun, duke mundësuar kështu shprehjen e lirë të analizave”.

Nuk është në funksion të KSHH-së të vlerësojë saktësinë apo mangësinë e investigimit të kryer nën drejtimin e gazetares së pushuar nga puna, aq më tepër se për ngjarjen e mësipërme ka filluar ndjekja penale nga organi i prokurorisë. Megjithatë vlen të theksohet se, media, në përmbushje të misionit të saj ka të drejtë të marrë dhe të japë informacionin që ajo gjykon se ka interes për publikun. Kjo theksohet edhe në Rezolutën 428 (1970) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku thuhet se, e drejta për lirinë e shprehjes “përfshin të drejtën për të kërkuar, marrë, dhënë, për të bërë publike ose për të shpërndare informata të interesit publik” dhe media ka detyrën të shpërndajë informacion të përgjithshëm dhe të plotë për çështjet e interesit publik.

Duke u mbështetur në dokumentacionin dhe informacionin e përcjellë nga gazetarja Alida Tota, në njoftimet e publikuara në media si dhe në jetëshkrimin profesional dhe përvojën e gjatë të gazetares në ushtrimin e profesionit, KShH vlerëson se gazetaria investigative ka nevojë për më shumë mbrojtje dhe inkurajim dhe se gazetaria serioze nuk mund të ekzistojë pa burimet e informacionit. Liria e shprehjes është e garantuar në legjislacionin e vendit tonë dhe rrjedhimisht duhet të respektohet nga të gjithë.

Së fundmi, bazuar nenin 32, pika 1, germa “c” të Ligjit nr. 10 221, dt. 4.2.2010, “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, Komiteti Shqiptar i Helsinkit i rekomandon Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi të kryejë një hetim administrativ kryesisht (ex-officio) për këtë rast të bërë publik, me qëllim kryerjen e një verifikimi të specializuar të pretendimeve për diskriminim në marrëdhëniet e punësimit të Gazetares A.Tota.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit