Të merren masa serioze në lidhje me pagesat e personave me aftësi të kufizuara


Koalicioni Shqiptar Aftësia e Kufizuar dhe Zhvillimi shpreh shqetësim për situatën, në të cilën janë përfshirë një pjesë e personave me aftësi të kufizuara, në disa rrethe, qytete, e komuna të vendit, situatë e cila lidhet me vonesën e pagesave që ata duhet të përfitonin, veçanërisht gjatë periudhës së fundit të vitit. Kjo problematikë ka zenë vend gjërësisht edhe në median e shkruar dhe elektronike, të cilat i falenderojmë për këtë mbështetje.

Koalicioni Shqiptar Aftësia e Kufizuar dhe Zhvillimi tërheq vëmendjen e institucioneve përgjegjëse dhe të gjithë komunitetit se vonesa e këtyre pagesave ka ndikim në jetën e përditëshme të këtyre personave dhe familjeve të tyre, duke bërë që të mos kenë mundësi për të plotësuar nevojat bazë më të domosdoshme, si sigurimi i ushqimit, ilaceve, shërbimin e kujdestarit, etj. Tërheqim vëmendjen e strukturave përgjegjëse, si dhe të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi se një veprim i tillë, ndaj kategorisë së personave me aftësi të kufizuara, i ve këta të fundit në pozita të disfavorëshme dhe diskriminuese, mbi baza territoriale, ose në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë.

Koalicioni Shqiptar Aftësia e Kufizuar dhe Zhvillimi, gjithashtu, kërkon nga këto institucione, në nivel qëndror dhe vendor, që të marrin masa urgjente për të normalizuar situatën, duke shfrytëzuar të gjitha burimet financiare në dispozicion, e më tej të analizojnë shkaqet e këtij fenomeni, që rezulton të jetë i përsëritur më shumë se një here. Institucionet përgjegjëse duhet të nxjerrin përgjegjësinë e punonjësve që e kanë shkaktuar këtë situatë dhe në të njëjtën kohë të kryejnë një planifikim real fondesh, për periudhën në vazhdim, për të mos lejuar përsëritjen e këtij fenomeni. Një masë urgjente, që ne do të sugjeronim, është finalizimi i strukturimit të procesit të vlerësimit të personave me aftësi të kufizuara, tashmë i filluar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, process që duhet të përfundojë sa më parë. Kjo do të ndikonte pozitivisht në realizimin e një planifikimi real të fondeve për aftësinë e kufizuar, si dhe do të shmangë rastet e abuzimit brenda skemës aktuale. Koalicioni Shqiptar Aftësia e Kufizuar dhe Zhvillimi do të ndjekë me vëmendje zhvillimet në lidhje me këtë situatë të disfavorshme për personat me aftësi të kufizuara, duke shpresuar se institucionet përgjegjëse do të marrin masa të menjëhershme për t’u dhënë pagesat e vonuara personave me aftësi të kufizuara, për ta normalizuar procedurën, si edhe për të parandaluar shfaqjen e situatave të ngjashme në të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit