Të rishikohet statusi i personelit të burgjeve


Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), ka monitoruar vazhdimisht respektimin e të drejtave të të dënuarve dhe të paraburgosurve. Bazuar në gjetjet dhe përfundimet e këtyre monitorimeve, KShh ka bërë sugjerime për përmirësimin e gjendjes, ndërsa në raste të veçanta ka reaguar edhe publikisht.

Për KShH-në, është shqetësues fakti që brenda një kohe relaitivisht të shkurtër, janë ndryshuar ose shkarkuar drejtuesit e Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (burgje), Para disa kohësh, Drejtori i Përgjithshëm dhe zëvendësi i tij, u proceduan penalisht dhe u gjykuan për korrupsion. Edhe shkarkimet në radhët e punonjësve të niveleve të tjera në këtë sistem nuk kanë qenë të pakta. Shkaqet kanë qenë nga më të ndryshmet, të lidhura me korrupsionin, shpërdorimin e detyrës, shkelje të ndryshme ligjore, veprime apo mos veprime që bien ndesh me masat për të garantuar sigurinë, etj.

Vlerësimi lidhur me bazueshmërinë në ligj të lëvizjeve/shkarkimeve të personelit në sistemin e burgjeve i takon gjykatës, e cila vihet në lëvizje me kërkese të personave të prekur. Megjithatë, KShH e shikon këtë çështje në një aspektë më të gjerë. Ne mendojmë se një nga faktorët që ndikon negativisht në paqëndrueshmërinë e administratës së burgjeve, është sistemi që ka të bëjë më statusin e personelit të burgjeve.

Rregullat standard minimum të Kombeve të Bashkuara, kërkojnë që personeli i burgjeve në të gjitha nivelet, të ketë statusin e nëpunësit civil. Sipas Rregullave të mësipërme, rëndësi të veçantë duhet t’i jepet, kushteve dhe kriterve për rekrutimin e tyre. Ata duhet të kenë nivelin e duhur të arsimit dhe disa njohuri të nevojshme. Para marrjes së tyre në detyrë, ata duhet t’i nënshtrohen një kursi kualifikues dhe në të njejtën kohë, figura e tyre duhet të jetë e pastër dhe e papërlyer. Personeli edhe mbas fillimit të detyrës duhet të trajnohet në mënyrë të vazhdueshme, me qëllim që të garantohet një trajtim human i personave me liri të kufizuar, të cilët duhet të rehabilitohen dhe ri-integrohen efektivisht në shoqëri.

Duke marrë shkas nga kjo çështje, kohët e fundit është diskutuar në media edhe kryerja e vettingut për personelin në sektorë të rëndësishëm të administratës publike. Vlen të përmendeet se, vettingu është një proces që është sanksionuar në Kushtetutën e vendit tonë dhe është rregulluar me ligj të veçantë për funksionarët e sistemit të drejtësisë (veçanërisht për gjyqtarët/prokurorët). Ky proces është mbështetur në disa disa garanci që kërkojnë respektimin e të drejtës për një proces të rregullt dhe realizimi i tij nga institucione të pavarura, me funksionarë që gëzojnë integritet të lartë moral e profesional.

Rrjedhimisht, KShH sugjeron që zbatimi i vettingut në sektorë kyç të administratës publike, nëse vlerësohet i nevojshëm, duhet të reflektohet së pari me ndryshime përkatëse në legjislacionin në fuqi dhe duke respektuar të drejtat themelore të shtetasve. Në këtë mënyrë, edhe besimi i publikut në procesin e vettingut, pavarësisht nga sektori se ku do të kryhet, nuk do të pësonte lëkundje. Për çdo punonjës publik që do i nënshtrohej këtij procesi duhet të ofrohen të gjitha garancitë e nevojshme ligjore dhe institucionale për realizimin tij në mënyrë objektive, të paanshme dhe profesionale. Për KShH-në, vettingu, duke patur parasysh specifikën e sektorit apo të fushës, mund të zbatohet edhe për personelin e Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit