Thirrje publike për ekspertë vendas për monitorimin e procesit të vettingut


Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë shpall thirrjen publike për ekspertë vendas për monitorimin e procesit të vettingut. Ekspertët vendas që do të përzgjidhen do marrin fillimisht pjesë në veprimtari për rritjen e kapaciteteve profesionale për monitorimin e fazave të ndryshme të procesit të Vettingut, sipas një metodologjie të detajuar. Në fokus të këtij monitorimi, do të jenë seancat dëgjimore publike që do të zhvillohen nga organet e Vettingut dhe në mënyrë të veçantë respektimi i standardeve të procesit të rregullt ligjor ndaj subjekteve që do të rivlerësohen.

KShH inkurajon aplikimet nga kandidatë, të cilët janë të interesuar për t’u angazhuar si ekspertë në këtë proces dhe plotësojnë këto kritere të aftësisë individuale, edukimit dhe aftësisë profesionale në vijim:

Aftësitë individuale

  1. Të jetë i/e pavarur, i/e paanshëm dhe me integritet. Në mënyrë të veçantë aplikantët nuk duhet të kenë qenë të angazhuar në veprimtari të natyrës politike apo të jenë anëtar të partive politike gjatë tre viteve të fundit. Kandidatët e përzgjedhur do të firmosin një formular vetëdeklarimi ku marrin përsipër pasojat ligjore në rast se më vonë vërtetohet ekzistenca e këtyre pengesave.

  2. Te ketë aftësi të mira komunikimi dhe bashkëpunimi në ekip

  3. Të ketë aftësi analitike dhe mendim kritik

  4. Të jetë i/e përgjegjshëm për respektimin e detyrave dhe afatet e vendosura

Edukimi dhe aftësitë profesionale

  1. Të ketë përfunduar studimet bachelor dhe master ose të njehësuara me to në Fakultetin e Drejtësisë. Preferohen kandidatët që kanë master ose profilizim në të drejtën publike, me fokus të drejtën administrative.

  2. Të kenë të paktën 5 vite përvojë në profesionin si jurist. Preferohen kandidatët që kanë përvojë në procese të monitorimit, përvoje pune pranë organizatave vendase e ndërkombëtare që kanë në fokus çështjet e drejtësisë dhe çështjet e të drejtave të njeriut.

  3. Të ketë njohuri shumë të mira të kuadrit ligjor për reformën në drejtësi dhe procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokuroreve (Vetting) si dhe të jenë njohës të mirë të gjuhës angleze

Të interesuarit që dëshirojnë të jenë pjesë e rrjetit të monitoruesve vendas të zbatimit të procesit të vettingut, të shprehin interesin e tyre deri në datën 28 Korrik 2017, duke dërguar një CV, një Letër Motivimi dhe deklaratë të firmosur (skanuar) se nuk kanë pengesa të cituara në këtë thirrje. Dokumentat do të dërgohen në formë elektronike në emailin e KShH-së office@ahc.org.al. Personat e përzgjedhur do të njoftohen gjatë dy javëve të para të muajit Gusht me anë të emailit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit