Zbatimi i ligjit është i detyrueshëm për të gjithë


Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) i është drejtuar Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSh) me kërkesën për dërgimin e kopjeve të kallëzimeve penale që KLSh-ja, gjatë vitit 2014 i ka dërguar Prokurorive të Rretheve Tiranë dhe Durrës, si dhe kopjet e ankimeve të KLSh-së në gjykatë ndaj vendimeve të prokurorisë për mosfillimin ose pushimin e ndjekjes penale. Kjo kërkesë është mbështetur në nenin 23 të Kushtetutës tonë, ku është sanksionuar e drejta e cilitdo për tu informuar për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe në Ligjin Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.

Megjithëse nga data e kërkesës tonë kanë kaluar rreth 3 muaj e gjysëm, KLSh nuk ka kthyer asnjë përgjigje, gjë që bie ndesh me nenin 15 të Ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, që sipas pikës 3, afati i marrjes së informacionit në çdo rast nuk duhet të kalojë më shumë se 20 – ditë pune.

Kjo vonesë, veç shkeljes së Kushtetutës dhe ligjit ka dëmtuar punën e KShH-së për studimin e problemit të luftës kundër korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Komiteti Shqiptar i Helsinkit, me mbështetjen e Komisionit për Demokraci të Granteve të vogla në Ambasadën e Sh.B.A në Tiranë, është duke zbatuar një projekt për evidentimin e praktikës hetimore dhe gjyqësore shqiptare në çështjet penale të lidhura me korrupsionin, me synim rritjen e llogaridhënies së sistemit gjyqësor dhe besueshmërisë së publikut ndaj saj, në luftën kundër këtij fenomeni. Ndër të tjera, KShH ka planifikuar në kuadër të këtij projekti të zhvillojë një studim të veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSh) në trajtimin dhe kallëzimin e rasteve të mundshme të korrupsionit apo shpërdorimit të detyrës nga zyrtarë shtetërorë gjatë vitit 2014, si dhe hetimin e kallëzimeve nga organi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Durrës.

Kontrolli i Lartë i Shtetit është një organ kushtetues dhe institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar, që veç të tjerave është i ngarkuar me kontrollin e veprimtarisë ekonomike të institucioneve shtetërore dhe personave të tjerë në sektorin privat apo publik, si dhe përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qëndror dhe atij vendor (Neni 163, shkronja a) dhe b) të Kushtetutës).

KLSh, gjithashtu, ka të drejtën dhe detyrën që në raste të veçanta t’u drejtohet organeve të ndjekjes penale, si dhe gjykatave me padi, në përputhje me nenin 15, shkronja “gj” dhe “h” të ligjit nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Komiteti shqiptar i Helsinkit konstaton gjithashtu me keqardhje se, mosdhënia e informacionit të kërkuar bie ndesh edhe me bashkëpunimin e vendosur midis KLSh-së dhe KShH-së, në kuadër të nënshkrimit të një Marrëveshje Bashkëpunimi, në dt.19.10.2015, në të cilën përmendet edhe ligji mbi të drejtën e informimit.

Në përfundim, e shikojmë të nevojshme të theksojmë se, derisa KLSh-ja nuk zbaton ligjin, marrëveshja e mësipërme mbetet krejt formale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit