Komiteti Shqiptar i i Helsinkit nënshkroi marrveshjen e bashkëpunimit me Fakultetin e Drejtesise, Universiteti i Tiranës.
E lidhur sot, më datë 20 prill 2017 në Tiranë, ndërmjet palëve të mëposhtme:
1. Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës (i quajtur në vijim Fakulteti), i përfaqësuar nga Z.Artan Hoxha, Dekan.
Dhe
2. Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), organizatë jofitimprurëse, regjistruar fillimisht pranë Ministrisë së Drejtësisë me urdhërin nr. 17/1, datë 12/01/1991 dhe më pas në gjykatën e rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 2/1, datë, 19/07/2002, me seli në Tiranë, rruga Brigada e VIII, pallati Teknoprojekt, shkalla 2, ap 10, përfaqësuar nga Znj. Erida Skëndaj, Drejtore Ekzekutive.
Palët janë marrë vesh që për të realizuar qëllimin e përbashkët do të respektojnë dispozitat e kësaj marrëveshjeje të shprehura më poshtë.
Neni 1
Objekti dhe Qëllimi
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është vendosja e urave të bashkëpunimit në fushën akademike si dhe për të kontribuar në procesin e formimit profesional të studentëve dhe pedagogëve, me fokus të veçantë të drejtat e njeriut, gjyqësorin dhe fuqizimin e shtetit të së drejtës.
Bashkëpunimi institucional ndërmjet Fakultetit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit ka për objekt:
-
Vendosjen e një bashkëpunimi afatgjatë dhe të frytshëm në kuadrin e praktikës mësimore , kërkimit shkecor, hartimit dhe zbatimit të projekteve të përbashkëta në përputhje me misionin dhe fushën e përgjegjësisë të të dy palëve.
-
Angazhimin e studentëve dhe pedagogëve të Fakultetit në studime, monitorime dhe veprimtari të tjera ndërgjegjësuese dhe trajnuese të organizuara nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit;
-
Angazhimin e studentëve në praktika mësimore me kohëzgjatje të caktuar pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit;
Neni 2
Detyrimet e Palëve
Fakulteti merr përsipër:
-
Të identifikojë studentë të dalluar nga pikëpamja e përgatitjes dhe formimit dhe t’ja propozojë KShH-së, bazuar në kërkesën e këtij të fundit, për t’u angazhuar në veprimtari të ndryshme monitoruese, ndërgjegjësues dhe trajnuese të organizatës.
-
Të identifikojë pedagogë të interesuar, me përgatitje të dalluar në fushën e mësimdhënies dhe sipas fushës dhe ekspertizës së tyre dhe t’ja propozojë KShH-së, bazuar në kërkesën e këtij të fundit, për t’u angazhuar në veprimtari studiuese, analizuese, trajnuese, ofrimit të shërbimeve ligjore , etj.
-
Të njoftojë studentët për mundësitë e zhvillimit të praktikës mësimore me kohëzgjatje 1-4 mujore, pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit, në bashkëpunim me këtë të fundit.
-
Të promovojë, sipas mundësisë, në aktivitet që organizon dhe/apo merr pjesë bashkëpunimin me Komitetin Shqiptar të Helsinkit.
-
Të kontribuojë me literaturë dhe burime njerëzore, kur krijohet mundësia, për kërkimet dhe studimet e Komiteti Shqiptar të Helsinkit në fushën e drejtësisë, shtetit të së drejtës.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit merr përsipër:
-
Në varësi të projekteve dhe mundësive financiare t’i kërkojë Fakultetit të Drejtësisë, angazhimin me pagesë të studentëve dhe pedagogëve të dalluar në aktivitete të ndryshme me karakter monitorues, studimor, përfaqësime në gjykatë dhe ofrim shërbimesh ligjore, trajnime, seminare etj.
-
T’i krijojë mundësi studentëve të Fakultetit të kryejnë praktikën mësimore me kohëzgjatje 1-4 mujore pranë kësaj organizate. Praktika mësimore do të jetë pa pagesë. Numri i studentëve që kryejnë praktikën mësimore do të kufizohet në varësi të nevojave dhe mundësisë së stafit të KShH-së që do të monitorojë praktikën.
-
Të përpilojë një raport përshkrues dhe vlerësues për punën dhe sjelljen studentit gjatë periudhës së praktikës mësimore pranë zyrave të organizatës.
-
Të promovojë, sipas mundësisë, në aktivitetet që organizon dhe/apo merr pjesë bashkëpinimin me Fakultetin.
-
T’i dhurojë bibliotekës së Fakultetit një kopje të botimeve të saj, në masën që kjo është e munduar për Komitetin Shqiptar të Helsinkit.
-
Të kontribuojë me literaturë, kur krijohet mundësia, për kërkimet dhe studimet e Fakultetit në fushat relevante me veprimtarinë e Komitetit.
Fakuleti dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit marrin përsipër bashkëpunojnë për:
-
Realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe drejtësisë.
-
Organizimin e aktiviteteve të përbashkëta si forume, seminare, trajnime, duke inkurajuar organizimin e tyre në ambientet e Fakultetit.
-
Përzgjedhjen e studentëve që do të kryejnë praktikën mësimore.
-
Shkëmbimin rregullisht të informacioneve në lidhje me ecurinë e praktikës mësimore.
-
Shkëmbimin e informacioneve në lidhje me veprimtarinë e secilës palë, për çështje që paraqesin interes për aktivitetin institucional të palës tjetër.
Neni 3
Komunikimi
Secila palë do të caktojë një person kontakti, përgjegjës për të bashkërenduar aktivitetet e Marrëveshjes, me qëllim që komunikimi dhe shkëmbimi i informacionit të jetë i shpejtë, konkret dhe i efektshëm. Personi përkatës i komunikohet palëve respektive të kësaj marrëveshje brenda javës së parë mbasj firmosjes së saj.
Neni 4
Amendimet e Marrëveshjes
Kjo marrëveshje mund të ndryshojë pjesërisht ose tërësisht, nëse për këtë palët bien dakord më parë mes tyre.
Neni 5
Afati i Marrëveshjes
Kjo marrëveshje lidhet për një afat kohor të pacaktuar. Ajo mund të shfuqizohet me kërkesën e njërës palë, pas njoftimit me shkrim, e cila parashtron edhe arsyet e shfuqizimit, të paktën 3 muaj përpara datës së shfuqizimit.
Neni 6
Dispozita të fundit
Marrëveshja përgatitet dhe nënshkruhet në 3 (tre) kopje me të njëjtën vlerë juridike. Palët angazhohen se janë të gatshme të bashkëpunojnë për realizimin dhe zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Kjo marrëveshje bashkëpunimi u nënshkrua sot, më datë 6 Prill 2017 dhe hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit të saj.