Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), i ndërgjegjshëm për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në qytetin e Elbasanit, lidhur me vrasjen e Avokatit Ravik Gurra, i shpreh ngushëllimet e thella familjes dhe të afërmve të viktimës.
KShH i bashkohet gjithashtu edhe indinjatës njerëzore të avokatëve dhe shoqatave të avokatëve në vendin tonë, ndaj këtij akti të rëndë kriminal që i mori jetën kolegut të tyre.
Jeta është e çmuar dhe e shenjtë për çdo njeri, ndaj ajo duhet mbrojtur me çdo kusht. Shteti ka detyrimin pozitiv për të mbrojtur jetën e çdo shtetasi, ndërkohë që është detyrë e organeve të specializuara që në përputhje me ligjin të zbulojnë dhe të godasin çdo person që kryen një vepër kriminale.
KShH u njoh me njoftimin e Komitetit Drejtues të Dhomës së Avokatëve Shqiptarë të datës 25.03.2019 që i drejtohet të gjithë avokatëve që në shenjë proteste të ndërpresin përfaqësimin para çdo gjykate dhe organi procedues në Republikën e Shqipërisë për ditën e mërkurë, të enjte dhe të premte, në datat 27, 28 dhe 29 Mars 2019 (përjashtim bëjnë proceset për masat e sigurimit). KShH-së lidhur me këtë njoftim, i tërheq vëmendjen fakti se në të thuhet gjithashtu se, vendimi i mesipërm ka efekt për të gjithë avokatët anëtarë të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe thyerja e këtij vendimi nga avokatë të veçantë do të përbëjë shkak për procedurë disiplinore.
KShH vlerëson se format pasqësore të protestës janë të ligjshme. Megjithatë, në rastin konkret avokatët e regjistruar pranë Dhomës mund të ndjekin çështje, ku mosparaqitja e detyrueshme në proces mund të dëmtojë në një farë mase interesat dhe të drejtat e shtetasve, si dhe të cenojë funksionimin normal të organeve të drejtësisë.
Paralajmërimi që u bëhet avokatëve që nëse nuk e zbatojnë këtë vendim mund të përbëjë shkak për fillimin e procesit disiplinor, kemi mendimin se nuk është i mbështëtur në ligj. Pjesëmarrja ose jo në tubime apo protesta është e natyrës vullnetare dhe jo urdhëruese apo paralajmëruese për procedime disiplinore.
Në përfundim, KShH i bën thirrje organit të prokurorisë të kryejë një hetim të plotë dhe të gjithëanshëm, për të zbardhur ngjarjen dhe motivet e vrasjes së avokatit Ravik Gura, me qëllim vendosjen para përgjegjësisë penale të autorëve të këtij akti të rëndë kriminal.