Të ndihmojmë për njohjen dhe zbatimin efektiv të legjislacionit për ndihmën juridike të garantuar nga shteti në Shqipëri

Mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

Kohëzgjatja e projektit: Dhjetor 2018 – Shtator 2019

Qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i aksesit në drejtësi të shtetasve në nevojë, duke nxitur dhe promovuar zbatimin e Ligjit nr. 111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti” dhe akteve nënligjore të tij. Objektivat specifikë të projektit janë: 1. Ndërgjegjësimi i grupeve të interesit lidhur me standartet dhe mekanizmat e rinj ligjore të ndihmës juridike të garantuar nga shteti, në përputhje me ligjin nr.111/2017; 2. Përmirësimi i kuadrit ligjor dhe zbatimit të legjislacionit për ofrimin e ndihmës juridike të garantuar nga shteti në përputhje me standartet më të mira dhe praktikat pozitive.

Rezultatet: KSHH ka publikuar një video ndërgjegjësuese, e cila ofron informacion për ndërmarrjen e hapave konkrete monitorues nga ana e KShH-së. Me përfshirjen dhe asistencën profesionale të 2 ekspertëve të njohur të fushës, KSHH përpiloi metodologjinë e monitorimit të skemës së funksionimit të shërbimeve të ndihmës juridike parësore. KSHH hartoi 1 fletëpalosje ndërgjegjësuese në kuadër të ofrimit të ndihmës juridike parësore. Me atashimin e dy paraligjorëve dhe asistencën e korrespondentëve lokalë të KSHH në 3 qytete të vendit (Durrës, Shkodër dhe Vlorë) u ofrua shërbimi i ndihmës juridike parësore ndaj 260 qytetarëve. Personat të cilët janë përfitues të skemës së ndihmës juridike parësore falas, që ju është ofruar ky shërbim përbëjnë rreth ½ e numrit total të qytetarëve (124 qytetarë ose rreth 47%). Paraligjorët kanë përpiluar 1 databazë të personalizuar për çdo qytet, e cila ofron të dhëna të kategorizuara të ankesës së trajtuar, ofrimit të këshillimit ligjor, përfshirjes së ankuesit në kategorinë e shtetasve me të ardhura dhe pasuri të pamjaftueshme, ose përfitues në mënyrë të drejtpërdrejtë në skemë për shkak të statusit të veçantë. Është përpiluar 1 Raport paraprak i pjesshëm mbi monitorimin e funksionimit të skemës së ndihmës juridike parësore falas të garantuar nga shteti, i cili i është përcjellë në rrugë zyrtare institucioneve kompetente. KSHH ka realizuar 1 mision monitorimi me qëllim ofrimin e konsulencës për qytetarët dhe realizimin e bashkëbisedimeve me OJF-të dhe Klinikat e Ligjit të Universiteteve Publike. Në vijim, do të realizohen 2 misione monitoruese në qytetet në të cilat kjo nismë po zbatohet dhe do të publikohet 1 raport final në format elektronik.

  • CATEGORY
  • TAGS