Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) është njohur me anë të medias për projektligjin e propozuar nga qeveria për parandalimin, ndryshimin dhe marrjen e masave ndaj krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve të rënda (e prezantuar publikisht si paketa speciale anti-kçk).
Referuar deklaratave publike të përfaqësuesve të ekzekutivit, vlerësohet se kjo nismë do të shqyrtohet në Kuvend në formën e një akti normativ me fuqinë e ligjit. Kjo do të thotë se ky akt do të futet automatikisht në programin e punës së Kuvendit, duke përshpejtuar në këtë mënyrë procedurën e shqyrtimit të tij dhe duke cenuar kështu konsultimin gjithëpërfshirës dhe transparent. KShH e shikon të nevojshme të sugjerojë publikimin zyrtar të këtij projekti me qëllim që ti krijohet mundësia të gjithë organizatave të shoqërisë civile, ekspertëve të fushës të interesuar por gjithashtu edhe grupeve të interesit për të shfaqur mendimet e tyre brenda afateve ligjore, para se ai të bëhet objekt shqyrtimi në procedurat parlamentare.
KShH tërheq vëmendjen, se e vetmja masë e jashtëzakonshme dhe e përkohshme (tranzitore) në kuadër të reformimit të drejtësisë dhe luftës së korrupsionit në sistemin e drejtësisë është vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kuadri kushtetues dhe ligjor për vettingun është hartuar nga ekspertë të drejtësisë të nominuar nga vetë institucionet e drejtësisë, ekspertë të misioneve ndërkombëtare të asistencës (EURALIUS dhe OPDAT), si dhe është konsultuar me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit, dhe në mënyrë të veçantë me ekspertizën e Komisionit të Venecias.
KShH i bën thirrje Këshillit të Ministrave të reflektojë seriozisht që në paketën ligjore të propozuar të mos parashikohet asnjë masë tjetër tranzitore apo e jashtëzakonshme në këtë fazë të rëndësishme të zbatimit të reformës në drejtësi që cenon parimet për pavarësi të gjyqësorit, paanshmëri të trupës së gjyqtarëve dhe të prokurorëve, disiplinim të tyre nga vetë organet e qeverisjes së drejtësisë (KLGJ dhe KLP) dhe vetëm me nismën e tyre (ILD) dhe jo me nismën e ekzekutivit. KShH vlerëson realizimin e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar nga strukturat e reja të drejtësisë që po ngrihen (SPAK dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar). Çdo paketë ligjore që do të cenonte këto parime do të përbënte regres ndaj rezultateve të deritanishme të reformës në drejtësi dhe do të minonte pavarësinë dhe përgjegjshmërinë konform standarteve të gjyqësorit.
Kryesore është që kjo paketë ligjore, me të cilën ende nuk jemi njohur në formën zyrtare, të respektojë parimet kushtetuese dhe të drejtat e parashikuara në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ). Në këtë drejtim, dëshirojmë të sjellim në vëmendje nenin 17, paragrafi i dytë i Kushtetutës ku parashikohet se kufizimet e lirive dhe të drejtave të njeriut të parashikuara në Kushtetutë nuk mund të cenojnë thelbin e tyre dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në KEDNJ.