Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) vlerëson në mënyrë të veçantë që kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë të gëzojnë besimin e publikut në zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në 25 Prill 2021. Në këtë drejtim, një nga kërkesat kryesore është zbatimi rigoroz i ligjit N. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen ose ushtrojnë funksione publike”. Në mbështetje të përmbushjes së këtij qëllimi, KShH parashtron opinionet dhe sugjerimet e mëposhtme:
Sipas nenit 67 të Kodit Zgjedhor, subjektet zgjedhore duhet të dorëzojnë në KQZ listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve, pra jo më vonë se data 5 Mars 2021. KQZ-ja, nëse gjatë verifikimit vëren mospërputhje apo mangësi lidhur me kërkesat e parashikuara në Kodin Zgjedhor, e kthen listën për korrigjim jo më vonë se data 10 mars 2021, ndërsa dokumenti i korrigjuar duhet të depozitohet në KQZ jo më vonë se data 13 mars 2021. Pas kësaj KQZ-ja publikon listën e plotë në media dhe në faqen zyrtare të saj (pikat 1, 2 dhe 3 të nenit 73 të Kodit Zgjedhor). Pas miratimit përfundimtar të listës shumëemërore, ajo nuk ndryshon (pika 4 e nenit 73 të Kodit Zgjedhor).
KShH vlerëson se, sipas parashikimeve të afateve të mësipërme ligjore, KQZ-ja dhe Prokuroria e Përgjithshme e kanë të vështirë të bëjnë verifikimet përkatëse në zbatim të Ligjit N. 138/2015.
Përvoja e zgjedhjeve të mëparshme ka vërtetuar se, në disa raste, deputetë, kryetarë bashkie apo anëtarë të Këshillave të organeve të qeverisjes vendore janë zgjedhur në kundërshtim me ligjin e mësipërm. Për të parandaluar në maksimumin e mundshëm raste të tilla, KShH u sugjeron partive politike dhe koalicioneve zgjedhore (subjekteve zgjedhore) që paraqitjen e listës shumëemërore të kandidatëve për deputetë ta publikojnë dhe depozitojnë në KQZ para afatit të përcaktuar në ligj. Duke patur parasysh se në Kodin Zgjedhor përdoret shprehja: “jo më vonë se”, sugjerimi i KShH-së nuk bie ndesh me ndonjë dispozitë ligjore.
KShH mendon gjithashtu se përmbushja e këtij sugjerimi nga partitë politike do ti shërbente transparencës dhe besueshmërisë ndaj publikut, pasi do të krijonte kushte dhe mundësi më të mira dhe më të mëdha për një verifikim më të saktë dhe më të plotë nga KQZ-ja dhe Prokuroria e Përgjithshme lidhur me garantimin e integritetit të kandidatëve për deputetë.
Nëse ky sugjerim do të vlerësohej i drejtë, i nevojshëm dhe i efektshëm, do të krijonte gjithashtu për zgjedhësit një mundësi më tepër që në kuadrin e transparencës të sinjalizonin në kohë vërejtjet apo të dhënat që mund të dispononin për kandidatë të veçantë që sipas ligjit N. 138/2015 nuk duhet të kandidojnë. Është e kuptueshme që çdo e dhënë do t’i nënshtrohej verifikimeve të gjithanshme dhe objektive nga organet kompetente të ngarkuara në ligj.