Komiteti Shqiptar i Helsinkit është duke zbatuar projektin: “Media dixhitale në një fushë të re: Rruga drejt vetërregullimit, etikës dhe pavarësisë”, i mbështetur financiarisht nga qeveria holandeze.
Qëllimi kryesor i këtij projekti është forcimi i etikës, profesionalizmit dhe pavarësisë në sektorin e medias në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke promovuar dhe shtyrë drejt rrjetëzimit, si dhe zgjidhjeve dhe politikave të qëndrueshme pozitive.
Në këtë kuadër, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë, organizon Konferencën Rajonale të Medias, e cila ka për qëllim të adresojë në nivel rajonal për shtetet e Ballkanit Perëndimor, sfidat me të cilat përballet sektori i medias, në drejtim të profesionalizmit, etikës dhe pavarësisë si dhe të analizojë dhe adresojë zgjidhje konkrete në këtë drejtim.
Në këtë konferencë do të marrin pjesë përfaqësues dhe ekspertët më të mirë të fushës për çështjet e medias, në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe nga Holanda e Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Konferenca rajonale është parashikuar të zhvillohet në Tiranë, në datat 18-19 Mars 2021. Në përputhje me protokollet dhe udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), konferenca rajonale do të zhvillohet me pjesëmarrje fizike dhe online në ditën e parë, ndërsa dita e dytë e punimeve do të jetë tërësisht online.
Në këtë kuadër, Komiteti Shqiptar i Helsinkit shpall thirrjen për angazhimin e një kompanie prodhimi për materiale audiovizive.
Kompania duhet të:
- Angazhohet në prodhimin e një videoje ndërgjegjësuese, që do të fokusohet në sfidat e medias në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Videoja duhet të konceptohet, duke përfshirë kontributin e pjesëmarrësve më aktivë në Konferencën Rajonale të Medias;
- Angazhohet në prodhimin e një post-traileri rreth 15 minuta, i cili reflekton momentet më të rëndësishme në Konferencën Rajonale të Medias;
- Montojë 1-2 video të shkurtra (rreth 1 minutë), që do të transmetohen gjatë Konferencës Rajonale të Medias. Montazhi konsiston në shkurtimin dhe vendosjen e titrave në video, që do të vihen në dispozicion nga stafi i KSHH-së;
- Sigurojë vendosjen e titrave në gjuhën angelze në çdo video të prodhuar;
- Japë asistencë për mbarëvajtjen e realizimit të të gjithë materialeve të sipërpërmendur, sipas parashikimeve të bëra në projekt;
- Të bashkëpunojë ngushtë me stafin e KSHH-së, ekspertin e medias dhe ekspertin e marrëdhënieve me publikun.
Periudha e angazhimit të kompanisë së prodhimit të materialeve audiovizive do të jetë 1 Mars – 31 Maj 2021.
KSHH inkurajon aplikimet nga kompani, që plotësojnë kriteret e mëposhtme:
- Eksperiencë 4-vjeçare në përgatitjen e produkteve audiovizive;
- Disponim i pajisjeve (kamera, mikrofonë, etj.) të teknologjisë së fundit;
- Njohje e teknikave të avancuara të montazhit të videove.
Kompanitë e interesuara duhet të dërgojnë:
- Ofertë financiare, përfshirë taksat (TVSH/ Tatim në burim).;
- CV të kompanisë;
- Shembuj të punëve të mëparshme;
- Kopje të kualifikimeve (nëse ka);
- Një material përmbledhës mbi bazat kryesore të metodologjisë që do të përdorë (1-2 faqe).
Dokumentet duhet të dërgohen në formë elektronike, në adresën office@ahc.org.al , brenda datës 23 shkurt 2021.
Vetëm kompania e përzgjedhur do të njoftohet.
Faleminderit!
Komiteti Shqiptar i Helsinkit