Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) vëren dhe ndjek me shqetësim se kohët e fundit kriminaliteti në disa fusha është në rritje.
KShH mendon se analizat e thelluara dhe të gjithanshme të këtij fenomeni mungojnë ose, për më keq akoma, ato nuk bëhen publike. KShH është i ndërgjegjshëm se ky fenomen me rrezikshmëri të theksuar shoqërore zhvillohet me zigzake, por ai mund të reduktohet nëse masat parandaluese janë në nivelin e duhur.
Është tronditës fakti që vetëm në këto 4 ditët e fundit për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit jeta e një familjeje të tërë prej 4 personash u shua, ndërsa në Velipojë ditën e djeshme katër persona u vranë e dy të tjerë u plagosën.
Motivet mund të jenë nga më të ndryshmet. Zbulimi i tyre është i një rëndësie të veçantë. Hetimi dhe gjykimi i shpejtë i autorëve të krimit, veç të tjerave, ka efekt parandaluese. Ky është apeli i opinionit të gjerë shoqëror që u drejtohet sidomos organeve të rendit, të procedimit dhe gjykimit të veprave kriminale. Praktika ka vërtetuar se menjëherë pas ngjarjeve të tilla të rënda dhe tepër të dhimbshme kalohet në përgatitje projektesh për ashpërsimin e dënimeve ose në marrjen e masave të tjera ndëshkimore.
KShH mendon se masa të tilla, edhe pse në momente të caktuara mund të kenë efektin e tyre, nuk janë kryesore. Prandaj, masat parandaluese duhen vlerësuar si prioritare. Organet e specializuara kanë sigurisht përgjegjësinë e tyre, por, pa angazhimin e gjithë shoqërisë dhe të krejt opinionit publik për të qenë pjesë aktive e këtij fronti të përbashkët, nuk mund të arrihen rezultatet e kërkuara.
Nëpërmjet organeve të medias shpesh jepen njoftime të arrestimit të personave që shëtisin apo udhëtojnë me armë zjarri pa leje.
Është pozitive që kohët e fundit janë zbuluar ambiente ku mbaheshin arsenale të tëra armësh të llojeve të ndryshme. Por, është tepër shqetësues fakti që pas 30 vjetëve dhe pas disa thirrjeve për dorëzim vullnetar të armëve, si vitin e kaluar edhe këtë vit ndeshemi me një fenomen të tillë që është burim dhe bazë për organizim të krimit të organizuar dhe të strukturuar.
KShH e shikon të arsyeshme t’u sugjerojë organeve kompetente shtetërore që në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore dhe shoqërinë civile brenda gjashtë mujorit të dytë të këtij viti të analizojnë bashkërisht shkaqet dhe motivet e disa veprave penale që vazhdojnë të jenë shqetësuese, duke përcaktuar në të njëjten kohë edhe masat parandaluese.