Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), me rastin e Ditës Ndërkombëtare Anti-korrupsion, në dt.9 Dhjetor 2021, konsultoi në një tryezë me aktorët e sistemit të drejtësisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, gjetjet dhe rekomandimet kyç në kuadër të një analize profesionale, të pavarur dhe konstruktive të veprimtarisë së dy Këshillave dhe gjykatave me ngarkesën më të lartë në vend. Ky aktivitet ishte pjesë e nismës së reformës në drejtësi, mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla i Komisionit për Demokraci i Ambasadës së ShBA-së, në Tiranë[1].
Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), dy organet kyç të qeverisjes së drejtësisë, kanë patur veprimtari voluminoze, duke përmbushur prioritete kyç si plotësimi i disa vakancave në Gjykatën e Lartë, krijimi i SPAK-ut dhe Gjykatave të Posaçme, etj.
Megjithatë, Këshillat janë përballur me vështirësi, në kushtet e krijimit të tyre me vonësë si dhe vakancave të konsiderueshme në prokurori dhe gjykata[2]. Në tërësi, sistemi gjyqësor po i përgjigjet me vështirësi ofrimit të shërbimit për drejtësi ndaj qytetarëve, në situatën kur numërohen 76 vakanca gjyqtarësh (prej të cilave rreth gjysma në gjykatat e apelit[3]) dhe 57 vakanca prokurorësh. Plotësimi i mëtejshëm i vendeve vakante në Gjykatën e Lartë vijon të mbetet prioritet kyç[4], teksa një muaj më parë shënoi një numër prej 36,140 (tridhjetë e katër mijë e njëqind e dyzet) çështjesh në pritje për t’u gjykuar. Përpjekje të mëtejshme nevojiten për të rritur efiçencën e gjyqësorit dhe të prokurorisë, duke vlerësuar shtimin e ndihmësave, nxitjen e debatit të brendshëm midis gjyqtarëve si dhe mbështetjen me buxhet të një sistemi të ri që ofron statistika në kohë reale për ngarkesën e gjyqtarëve dhe çështjet gjyqësore.
Gjykatat e Posaçme numërojnë 14 vende vakante, ndërkohë që sfida madhore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkon plotësimin e vendeve vakante, staf të specializuar dhe burimet e nevojshme. Kjo do të kontribuonte pozitivisht në Zzvillimin e hetimeve pro-aktive dhe gjykime të paanshme dhe profesionale, me qëllim përmbushjen e pritshmërisë kryesore të publikut; dhënies fund ndëshkueshmërisë së korrupsionit, veçanërisht në radhët e zyrtarëve apo ish zyrtarëve të nivelit të lartë.
KShH vlerëson përpjekjet e Këshillave, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe organeve të vettingut për të bashkëpunuar, por hapa të mëtejshëm janë të nevojshëm për harmonizimin e proceseve të lidhura me karrierën dhe procedimet disiplinore[5]. Vettingu i kandidatëve që kërkojnë të promovohen në detyrë sugjerojmë të realizohet me ritme dinamike, ndërkohë që nevojiten përpjekje më sistematike dhe të koordinuara për të motivuar promovimin e magjistratëve të vettuar.
KShH rikonfirmon sugjerimin realizimin e transparencës dhe konsultimin me shoqërinë civile, të procesit të ri-organizimit gjyqësor, i cili rezulton i vonuar[6]. Përpjekje të qëndrueshme nevojiten për të mundësuar aksesin e duhur për median në mbledhjet e Këshillave dhe publikimin në kohë të informacionit të plotë dhe në mënyrë të kuptueshme për publikun e gjerë.
[1] Nisma “Drejt një efiçence dhe integriteti më të mirë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
[2] Kryesisht si rezultat i vettingut, dorëheqjeve apo shkaqeve të tjera ligjore.
[3] Gjykata Administrative e Apelit aktualisht është në përfundim të gjykimit të çështjeve gjyqësore të regjistruara në vitin 2016. Në Gjykatën e Apelit Tiranë (juridiksioni i përgjithshëm) janë duke u gjykuar çështjet e vitit 2017.
[4] Në Gjykatën e Lartë, aktualisht ushtrojnë detyrën 9 gjyqtarë nga 19 gjyqtarë.
[5] KLGJ-ja ka realizuar ngritje në detyrë bazuar mbi kalimin me sukses të vettingut; KLP ka patur qëndrim të ndryshëm.
[6] Qëllimi i hartës së re gjyqësore është ri-organizimi i gjykatave për rritjen e efiçiencës dhe aksesin e qytetarëve në drejtësi.