Në 16 dhjetor 1990, në kontekstin e valës së parë të lëvizjeve për transformimin demokratik të Shqipërisë, një grup intelektualësh publikë themeluan Forumin Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, i cili më vonë u emërtua “Komiteti Shqiptar i Helsinkit” (KSHH). KSHH u themelua që në krye të herës si një organizatë me anëtarësi dhe si një subjekt jofitimprurës, joqeveritar dhe jopartiak. Organizata u fokusua fillimisht në të drejtat e personave të persekutuar nga regjimi totalitar, që sundoi Shqipërinë në gjysmën e dytë të shekullit XX, dhe luajti rol udhëheqës në edukimin e shoqërisë shqiptare lidhur me kuadrin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit po zbaton nismën “Jo Korrupsionit, Po Demokracisë” në bashkëpunim me Ambasadën Suedeze në Shqipëri, si pjesë e Iniciativës “Drive for Demoracy”/”Të vendosur për Demokracinë”, mbështetur financiarisht nga SIDA.
Projekti ka për synim fuqizimin e sektorit të shoqërisë civile në rolin e tyre si aktorë të rëndësishëm në luftën ndaj korrupsionit dhe kontributin në zhvillimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, duke ushtruar një presion pozitiv ndaj autoriteteve publike. Pjesë e kësaj nisme është edhe angazhimi dhe trajnimi i korrespondentëve të KShH lidhur me konceptet kryesore të demokracisë.
Pak historik mbi rolin e korrespondentit të KShH.
Korrespondentët janë pjesë e strukturës së KShH, që veprojnë jo me kohë të plotë, megjithatë roli i tyre është shumë i rëndësishëm. Kapacitetet e tyre, të fuqizuara vit pas viti, i japin mundësi organizatës të verifikojë, të monitorojë dhe të ndërhyjë, në kohë rekord, për ngjarje e situata të shkeljes së të drejtave të njeriut kudo në Shqipëri. Korrespondentët janë, gjithashtu edhe një pikë mbështetëse në rastet e zhvillimit të veprimtarive në zonën ku ata veprojnë duke vepruar si koordinatorët kryesorë të KShH-së.
Rrjeti i korrespondentëve të KShH është një rrjet proaktiv bazuar në baza vullnetare dhe në varësi të mundësive atyre i besohen shumë aktivitete të rëndësishme të projektit të zbatuara nga KShH, si: ofrimi i ndihmës juridike falas; procesi i monitorimit të zgjedhjeve; misionet monitoruese në terren; lehtësimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese etj. Rrjeti i korrespondentëve të KShH është instruktuar e kualifikuar në vazhdimësi, si për çështje konkrete për të cilat janë thirrur të veprojnë, ashtu dhe për çështje bazike të të drejtave të njeriut.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka korrespondentë në 8 qytete të Shqipërisë dhe po kërkon 4 kolegë që të japin kontributin e tyre si korrespondentë në qarkun e Kukësit, Fierit, Gjirokastrës dhe Shkodrës. Angazhimi i korrespondentëve është kryesisht me baza vullnetare dhe në varësi të mundësive shpërblehen menjë pagesë të caktuar për çdo angazhim specifik në kuadër të projekteve të caktuara të zbatuara nga KShH.
KShH mirëpret aplikime nga të interesuarit që përmbushin kriteret e mëposhtëm:
Kritere individuale:
- Të kenë përfunduar studimet e larta (preferohen degët e shkencave politike, sociale, juridike, ekonomike)
- Të kenë përvojë profesionale jo më pak se 5 vite
- Të mos kenë qenë të angazhuar në parti politike
- Të mos jenë të dënuar penalisht
- Të gëzojnë integritet profesional dhe moral;
- Të kenë aftësi të mira analitike dhe mendimi kritik.
- Të jenë angazhuar në veprimtari për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në vend
Aftësi profesionale:
- Të jenë të njohur në jetën publike të qytetit të tyre(për shkak të nevojës për të patur dhe zhvilluar kontakte të qëndrueshme me institucione vendore, organizata, media, universitete etj)
- Preferohet të kenë përvojë të mëparshme angazhimi në shoqërinë civile;
- Të menaxhojnë mirë afatet kohore sipas udhëzimeve të stafit zbatues të projektit;
- Të kenë aftësi të mira menaxhimi të grupeve të individëve;
- Të hartojnë në mënyrë cilësore dhe profesionale raportet e monitorimit;
- Të jenë njohës dhe përdorues të mirë të produkteve bazë të kompjuterit.
- Monitorimi i respektimit të të drejtave të njeriut në qytetet përkatëse
Detyrat dhe përgjegjësitë kryesore që do të ushtrohen në përmbushje të këtij pozicioni janë si vijon:
- Ofrimi i informacionit të shpejtë dhe të verifikuar në vend për situata të ndryshme që rrezikojnë të drejta e njeriut
- Verifikimi, monitorimi dhe ndërhyrja në mënyrë të menjëhershme, për ngjarje e situata të shkeljes së të drejtave të njeriut në qytetin ku korrespondentët ushtrojnë veprimtarinë e tyre.
- Të mbështesin stafin e KShH-së në zhvillimin e veprimtarive në zonën ku korrespondentët ushtrojnë veprimtarinë e tyre.
- Të angazhohen sipas ekspertizës së tyre në projekte monitorimi e vëzhgimi të situatave, objekt i projekteve që organizata ka në zbatim.
- Të marrin pjesë në aktivitete, trajnime, seminare dhe evente të tjera të zhvilluara nga KShH për forcimin e kapaciteteve të tyre
KShH inkurajon ekspertët e interesuar që të dërgojnë në formë elektronike në adresën e e-mailit të KShH-së office@ahc.org.al, deri në datën 30 Nëntor 2022 dokumentacionin e mëposhtëm (në mënyrë kumulative):
- CV (Curriculum Vitae);
- Letër motivimi
- Kopje të diplomës
- Kopje të librezës së punës
- Rekomandim nga punëdhënës të mëparshëm
- Deklarim për gjendjen penale
- Vetëdeklarim për mungesë anëtarësie dhe angazhimi në parti politike
Vetëm ekspertët e përzgjedhur do të njoftohen.
Me konsideratë,
Komiteti Shqiptar i Helsinkit