Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), pasi u njoh me “Deklaratën për Media” të SPAK-ut, të dt.14 Dhjetor 2023, e sheh të nevojshme të shprehë publikisht objeksionet e mëposhtme:
Është i kuptueshëm shqetësimi i SPAK-ut se në datën 10.12.2023 në faqen e internetit të medias audiovizive “Ora News” janë botuar artikuj të shkruar nga gazetari E.Q. me përmbajtje të disa pjesëve nga thëniet në hetuesi të një bashkëpunëtori të drejtësisë që përbëjnë sekret hetimor.
Prokuroria e Posaçme rezulton se ka thirrur gazetarin E.Q si person që kishte dijeni dhe që mund të ndihmonte në zbardhjen e çështjes, megjithëse gazetari ligjërisht nuk ishte i detyruar të zbulonte burimin e këtij informacioni. Edhe në vetë “Deklaratën për Media” të SPAK-ut theksohet se gazetari E.Q është përgjigjur se “burimi ka qenë konfidencial dhe nuk mund të deklaroj për shkak të sekretit që lidhet me profesionin që kam”. KShH mendon se, pas këtij momenti, nuk do të ishte e bazuar dhe e justifikueshme që me synim gjetjen e dokumenteve, provave materiale apo të dhënave të tjera t’i kërkohej gazetarit të dorëzonte për të këqyrur telefonin që përdorte, por që në fakt, siç përmendet në deklaratën e SPAK-ut gazetari refuzoi.
Lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme dhe vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që vendosi lejimin e kontrollit personal të gazetarit E.Q. të banesës së tij si dhe të zyrave të TV “ORA NEWS” ku ai punon dhe për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike, kjo praktikë mbart premisa për zbulimin e burimit të informacionit të gazetarit. Pavarësisht se kjo Vendimmarrje është e ankimueshme dhe i takon një gjykate më të lartë të shprehet lidhur me bazueshmërinë e saj, për KShH vlen të theksohet qëndrimi i mbajtur nga vendimin e ndërmjetëm të Gjykatës së Strasburgut (GJEDNJ) në çështjen Shullaku dhe të tjerë kundër Shqipërisë, ku i kërkohet autoriteteve shqiptare të përmbahet nga sekuestrimi i çdo pajisje për ruajtjen e të dhënave dhe pajisjeve kompjuterike/elektronike që u përkasin aplikantëve, me profesion gazetar.
GjEDNj ka një praktikë të gjatë dhe të konsoliduar lidhur me mbrojtjen e burimeve të informacioneve të gazetarëve. Në vendimin “Goodwin kundër Mbretërisë së Bashkuar”, GjEDNj, e konsideroi të padrejtë masën administrative kundër gazetarit që kishte refuzuar të tregonte burimin e informacionit. Duke pasur parasysh rëndësinë që ka mbrojtja e burimeve gazetareske për lirinë e shtypit në një shtet dhe shoqëri demokratike dhe efektin e mundshëm tkurrës në ushtrimin e kësaj lirie që vjen si rezultat i vendimeve për zbulimin e këtyre burimeve, një masë e tillë nuk mund të përputhet me nenin 10 të KEDNJ-së që garanton lirinë e shprehjes, përveç rasteve kur justifikohet nga një kërkesë mbizotëruese me interes publik.
Duke patur në konsideratë informacionin e bërë publik lidhur me këtë çështje, dilema që lind në rastin e gazetarit E.Q është nëse u ndërmorën veprimet e nevojshme nga organet e drejtësisë për të hetuar përgjegjësinë e zyrtarëve publikë prej të cilëve mund të kenë dalë këto të dhëna, dhe që janë subjekte të posaçme të veprave penale sipas neneve 295/a/3 dhe 313/1 të Kodit Penal? Fakti që vendimi i GjKKO-së u dha 3 ditë pas publikimit të artikujve krijon dyshime serioze se nuk janë shteruar mjetet e tjera të hetimit që nuk do të preknin burimin e informacionit të gazetarit nëpërmjet sekuestrimit të mjeteve të punës së tij e rrjedhimisht dhe ushtrimin e profesionit të lirë prej tij.