Dënojmë aktin e paprecedentë në sallën e gjyqit, me pasojë vdekjen e gjyqtarit Astrit Kalaja
Me hidhërim të thellë, KShH dënon ashpër aktin kriminal dhe tepër të rrezikshëm ndaj gjyqtarit te Apelit, Astrit Kalaja.
Si pasojë e këtij akti të paprecedentë, autori i krimit guxoi të qëlloi me armë në sallën e gjyqit, në ambientet e Gjykatës së Apelit gjyqtarin, viktimën Astrit Kalaja, i cili sipas njoftimeve në media rezulton se ka ndërruar jetë. Gjithashtu, si pasojë e këtij akti kanë mbetur të plagosur dy shtetas të tjerë.
Kjo është një dhimbje e thellë për familjen dhe të afërmit e gjyqtarit Astrit Kalaja, të cilëve KShH i shpreh ngushëllimet e thella.
Ky akt i urrejtshëm është gjitjhashtu një manifestim i rëndë presioni ndaj organeve te drejtësisë. KShH shpreh solidaritet të plotë me trupën gjyqësore në vendin tonë.
Në të njëjtën kohë, KShH u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që marrin në mbrojtje godinat ku ushtrojnë detyrën funksionarët e sistemit të drejtësisë të rrisin vigjilencën dhe të japin llogari për aktin e paprecedentë që mori jetën e një gjyqtari në ambientet e gjykatës.
KShH i sugjeron organit të prokurorisë hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm për të zbuluar jo vetëm motivin e vërtetë të kësaj ngjarje, por edhe përgjegjësinë e personave për të kontrolluar sipas rregullave të sigurisë, ata që hyjnë ne keto ambiente.
Mbrojtja e gjyqtarëve, prokurorëve dhe e institucioneve të drejtësisë është thelbësore për shtetin e së drejtës, rendin kushtetues dhe sigurinë publike.