Në 16 dhjetor 1990, në kontekstin e valës së parë të lëvizjeve për transformimin demokratik të Shqipërisë, një grup intelektualësh publikë themeluan Forumin Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, i cili më vonë u emërtua “Komiteti Shqiptar i Helsinkit” (KSHH). KSHH u themelua që në krye të herës si një organizatë me anëtarësi dhe si një subjekt jofitimprurës, joqeveritar dhe jopartiak. Organizata u fokusua fillimisht në të drejtat e personave të persekutuar nga regjimi totalitar, që sundoi Shqipërinë në gjysmën e dytë të shekullit XX, dhe luajti rol udhëheqës në edukimin e shoqërisë shqiptare lidhur me kuadrin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.
Në 22 mars të vitit 1992 KSHH u bë anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, me qendër në Vjenë. Në këtë çerek shekulli, KSHH ka qenë dhe mbetet organizata më në zë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri, si dhe një partner kryesor për organizatat e tjera joqeveritare, institucionet publike shqiptare, agjenci dhe programe ndërkombëtare që punojnë për përparimin e respektimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri. KSHH me qendër në Tiranë ushtron veprimtarinë e tij në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu, në Kukës, Gjirokastër, Fier, Vlorë, Korçë, Elbasan, Shkodër tashmë funksionon një rrjet korrespondentësh që ka qëllim vëzhgimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut në fusha të ndryshme në rrethet përkatëse.
Organi më i lartë drejtues i KSHH është Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve, e përbërë nga 14 anëtarë (aktualisht 2 gra e 12 burra), e cila zgjedh Bordin Drejtues. Ky Bord përbëhet nga 5 anëtarë (aktualisht 1 grua dhe 4 burra) dhe funksionon si organ vendim-marrës mes dy mbledhjeve të Asamblesë. Puna e KSHH drejtohet nga Drejtori/ja Ekzekutiv/e (aktualisht grua), i cili/e cila zgjidhet nga Bordi Drejtues. KSHH punëson aktualisht 8 persona me kohë të plotë (shiko organogramën më poshtë) dhe, sipas nevojave të projekteve, punëson me kohë të pjesshme ekspertë te fushave të ndryshme, të cilët i përzgjedh nga grupi i bashkëpunëtorëve dhe aktivistëve të trajnuar e kualifikuar të organizatës (rreth 200 bashkëpunëtorë, nga të cilët 150 janë të specializuar në monitorimin e zgjedhjeve).
KSHH ka ngritur, po ashtu, një rrjet me 7 korrespondentë (të punësuar me kohë të pjesshme) me banim në Kukës, Gjirokastër, Fier, Vlorë, Korçë, Elbasan, dhe Shkodër (3 gra dhe 4 burra).
Ky rrjet bashkëpunëtorësh vëzhgon dhe monitoron respektimin e të drejtave të njeriut në rrethet përkatëse dhe luan rolin e organizatorit në zbatimin e nismave e aktiviteteve të KSHH në këto rrethe.