Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) po ndërgjegjëson grupet e interesit si dhe po monitoron zbatimin e Ligjit nr. 146/2014 “Për njoftim dhe konsultimin publik”.
Gjatë monitorimit të veprimtarisë së hartimit të projekt-akteve nga ana e Ministrive, KShH mori dijeni për miratimin e projekt-ligjit “Për dhënie amnistie” në datë 07.12.2016 nga Këshilli i Ministrave. Ky projektligj është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më datë 22 Dhjetor 2016. Në relacionin shoqërues të projektligjit referohej se, për shkak të natyrës së veçantë që paraqet ky projekt-akt nuk i është nënshtruar një procesi konsultimi paraprak sipas kërkesave të Ligjit “Për njoftimin dhe konsultimin publik”.
KShH konstatoi se projekt-ligji i mësipërm nuk i nënshtrohet kufizimeve të parashikuar në nenin 4, të Ligjit nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”. Ndodhur në këto kushte, KShH iu drejtua me ankim Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (Komisioneri) duke sjellë në vëmendje të këtij institucioni faktet dhe argumentet që Ministria e Drejtësisë, e cila kishte hartuar projekt-aktin nuk kishte respektuar kërkesat për njoftim dhe konsultim publik. Pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve, me Vendimin nr 288/1 datë 13.02.2017, Komisioneri vendosi pranimin e ankesës së KShH kundër Ministrisë së Drejtësisë dhe i propozoi organit publik/Ministrisë së Drejtësisë marrjen e masave administrative ndaj personit përgjegjës, sipas legjislacionit për shërbimin civil në fuqi.
Nga informacioni që KShH disponon, ky është vendimi i parë quasi – gjyqësor (ende jo i formës së prerë), me të cilin Komisioneri pranon ankesën e paraqitur nga një organizatë jofitimprurëse për mosrespektim të procedurave të parashikuara për njoftimin dhe konsultimin publik. KShH i bën thirrje të gjitha grupeve të interesit, përfaqësuesve dhe organizatave të biznesit, organizatave të shoqërisë civile, përfaqësuesve dhe organizatave të medias, grupimeve studentore dhe organizatave të të rinjve si dhe çdo grupimi tjetër jopolitik që vëren se nuk respektohet procedura për të thithur mendime dhe sugjerime për projekt-akte që kanë interes, të ushtrojë mjetet e ankimit të parashikuara nga Ligji “Për njoftimin dhe konsultimin publik”.
Teksa Ligji për të Drejtën e Informimit sa vjen e po gjen më shumë zbatim si rezultat edhe i ushtrimit të mjeteve të ankimit, KShH vëren se për ligjin për njoftimin dhe konsultimin publik ka shumë pak interes për të ushtruar mjetin e ankimit tek titullari i institucionit gjatë hartimit të projektaktit ose tek Komisioneri, brenda afatit ligjor nga miratimi i projekt-aktit. KShH shpreh gatishmërinë për të ofruar asistencë ligjore ndaj të gjitha grupeve të interesit, në rast se të drejtat tuaja të parashikuara në Ligjin 146/2014 janë cenuar.
KShH falënderon Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), për mbështetjen financiare të kësaj iniciative.