Zhvillimet dhe ndryshimet e vazhdueshme të marrëdhënieve shoqërore, domosdoshmërisht duhet të reflektojnë në legjislacion, në veçanti atë procedural. Miratimi i Kodit të ri të procedurave administrative dhe ndryshimet që pësoi mënyra e organizimit dhe funksionimit të sistemit të ri gjyqësor sollën nevojën e reflektimit të ndryshimeve në Ligjin për Gjykatat Administrative (LGJA), i cili është një ligj relativisht i ri në kuadrin tonë ligjor.
Procedurat gjyqësore për gjykimin e çështjeve të çdo natyre janë të rëndësishme, pasi ato duhet t’u garantojnë të gjithë shtetasve akses efektiv, gjykim të drejtë, gjykim Brenda një afati të arsyeshëm, paanshmëri dhe pavarësi si dhe garanci të tjera të rregulluara nën suazën e nenit 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që sanksionon të drejtën për një proces të rregullt.
Në përmbushje të misionit të tij, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka në fokus të vazhdueshëm të veprimtarisë së tij zhvillimet e sistemit tonë të drejtësisë, në veçanti ndryshimet dhe përmirësimin e legjislacionit material dhe procedural. KShH synon të shprehë në vijim disa mendime dhe sugjerime për ndryshime në projektligjin, të cilat mund t’i vinë në ndihmë Kuvendit për përmirësimin e draftit. Mbrojtja më e mirë e të drejtave të qytetarëve, garantimi i procesit të rregullt ligjor, rritja e efikasitetit të gjykatave administrative, harmonizimi i LGJA me ligjet e tjera në fuqi, ka qenë pikënisja jonë për t’u shprehur mbi këtë nismë ligjore.
1. Si fillim, duke pasur parasysh se organizimi i gjykatave, përfshirë edhe gjykatat administrative, tani rregullohet me Ligjn Nr.98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” dhe Ligjit Nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, do të sugjeronim ndryshimin e titullit të ligjit.
2. Komente mbi nenet 3 dhe 4 të projektligjit
Nenet 3 dhe 4 të projektligjit bëjnë ndryshime të rëndësishme mbi kompetencat lëndore të gjykatave administrative. Neni 3 dhe 4 i projektligjit pas më shumë se 3 vitesh nga ngritja e gjykatave administrative në vend, kanë nxjerr jashtë kompetencës juridiksionale “mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës të punonjësve në administratën publike, gjykatë ose zyrë prokurorie, kontrata e të cilëve bazohet në Kodin e Punës” dhe i ka kufizuar gjykatat administrative në fushën e marrëdhënieve të punës të trajtojnë paditë e lidhura me “mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës të nëpunësve civilë ose nëpunësve civilë gjyqësorë, siç përcaktohet me ligj”.
Në këndvështrim tonë, këto dy nene krijojnë paqartësi në ushtrimin e të drejtave nga punonjësit e administratës dhe për më tepër do të sjellin probleme në zbatimin e tyre në praktikë, duke venë në diskutim frymën e LGJA. Më konkretisht:
Një nga qëllimet kryesore të krijimit të gjykatave administrative në Shqipëri ishte ndarja e juridiksioneve dhe çështjeve me interes publik dhe privat. Përjashtimi i padive të punonjësve të administratës nuk mund të bëhet bazuar mbi ligjin që rregullon këtë marrëdhënie, por nëse interesi për këto çështje është publik apo privat. Në thelb, nuk ka rëndësi ligji që rregullon marrëdhënien e punës, por fakti që punëdhënësi është organ publik dhe marrëdhënia i përket sferës publike. Në relacionin që shoqëron projektligjin nuk jepet asnjë argument se çfarë e shtyn legjislatorin për të ndërmarrë një nisëm të tillë. Nëse nevoja për këtë ndërhyrje ligjore është thjesht ulja e numrit të çështjeve në gjykatat administrative, për shkak të ngarkesës me të cilën përballen (trajtuar kjo edhe në dokumentin Analiza e Sistemit të Drejtësisë 2015), mendojmë se ligje të tjera që lidhen me organizimin gjyqësor dhe organet kompetente duhet të gjejnë mekanizmat për të ulur fluksin në gjykatat administrative.
Pavarësisht modeleve të ndryshme në Evropë, ku mund të jenë bazuar si shembull ndryshimet mbi kompetencat juridiksionale të GJA në vendin tonë, duhet të mbajmë parasysh se koncepti nëpunës civil në shumë vende është i ndryshëm nga koncepti i ligjit shqiptar dhe po ashtu është edhe modeli i specializimit të gjyqtarëve.
Përfshirja e padive në kompetencën lëndore të GJA vetëm për nëpunësit civilë, nënkupton që pjesa më e madhe e punonjësve të administratës nuk do të kenë akses në këto gjykata. Dëshirojmë të evidentojmë se në Shqipëri, sipas të dhënave të Departamentit të Administratës Publike ushtrojnë detyrën përafërsisht 18.000 nëpunës civilë, ndërkohë që numërohen përafërsisht 100.000 të punësuar në administratë.
Procesi në gjykatat administrative ka disa garanci që nuk i ka procesi në gjykatat civile. Në procesin administrative barra e provës si rregull i takon organit publik, afatet e gjykimit janë më të shpejta, vazhdon procesi edhe kur mungon përfaqësuesi i organit, mundësia e zgjatjes së proceseve gjyqësore nga organet publike është më e vogël pasi jo për të gjitha vendimet bëhet ankim në Gjykatën e Apelit apo rekurs në Gjykatën e Lartë, gjyqtarit i jepet rol aktiv në ekzekutimin e vendimeve etj. Të gjitha këto janë garanci ligjore për një proces të shpejtë dhe efektiv për punonjësit, të cilët nuk gëzojnë statusin e nëpunësit civilë i humbasin.
Përgjegjësia që mban organi publik për të justifikuar veprimtarinë e ligjshme përpara gjykatës nuk është e njëjtë me punëdhënësit privat. Veprimtaria e ligjshme e administratës publike dhe kontrolli i saj në mënyrë profesionale, të shpejtë, pa rënduar pozitat e palëve private janë çështje të interesit publik dhe një ndër një arsyet bazë për krijimin e GJA dhe nuk mund të jenë objekt shqyrtimi në gjykata ku ballafaqohen interesat private të palëve.
Shqyrtimi i çështjeve nga një gjykatë profesionale, është element i procesit të rregullt ligjor. Gjyqtarët e gjykatave administrative janë specializuar në këto çështje dhe duhet të mbajmë parasysh se marrëdhënia e punës në administratë nuk është thjesht çështje e interpretimit të Kodit të Punës, sikurse në konfliktet mes palëve private, por edhe e interpretimit të një sërë aktesh nënligjore që rregullojnë strukturat e institucioneve, pagat, përshkrimet e punës etj., me të cilat gjyqtarët e gjykatave civile nuk kanë kontakte në punën e tyre. Gjithashtu, ristrukturimet në administratë ose heqja e statusit për shkak ligji, shkaktojnë shpesh paqartësi nëse i punësuari në administratën publike e gëzon statusin e nëpunësit civil. Në të gjitha këto raste, nuk është e thjeshtë në praktikë për gjyqtarët të interpretojnë afatet fillimit/ humbjes të statusit të nëpunësit civilë dhe aq më shumë do të jetë e vështirë për individët të depozitojnë padinë në gjykatën kompetente brenda afateve, në rast se do të kemi gjykata të ndryshme për marrëdhëniet e punës, duke rrezikuar zvarritje të proceseve gjyqësore.
Në proceset civile, në bazë të KPrC palët janë të barabarta dhe barrën e provës e ka paditësi. Kjo i vendos punonjësit e administratës në një situatë tërësisht të pafavorshme dhe të pabarabartë përballë administratës, ku duhet të jetë individi ai që duhet të vërtetojë paligjshmërinë e akteve të administratës dhe jo administrata ajo që vërteton se po kryen detyrën parësore të respektimit të parimit të ligjshmërisë në ushtrimin e funksioneve të saj.
Për të gjitha arsyet e mësipërme KShH vlerëson se këto ndryshime do të sjellin më shumë paqartësi në praktikë dhe krijojnë premisa për diskriminim të një kategorie punonjësish kundrejt punonjësve të tjerë. Parimi i mosdiskriminimit nënkupton trajtim të ndryshëm në situata objektivisht të ndryshme dhe rregullimi i marrëdhënieve të punës me ligje të ndryshme, nuk mund të shërbejë si shkak për fragmentarizimin e padive lidhur me mosmarrëveshjet e punës. Ky ndryshim ligjor nuk është studiuar se çfarë efekti do të ketë në gjykatat civile. Ulja e ngarkesës së punës së një gjykate, nuk është zgjidhje oportune kur mbingarkohet sërish një gjykatë tjetër. Ndryshimet e shpeshta në legjislacion, të paargumentuara rrisin mosbesimin e publikut t institucionet dhe shtojnë paqartësitë për ushtrimin e mjeteve ligjore të ankimit.
3. Nëse legjislatori është i vendosur në ndryshimin e dispozitave të analizuara më sipër, ka dy situata tejet të rëndësishme që duhet të zgjidhen në këtë projektligj:
a. Projektligji nuk ka asnjë dispozitë tranzitore për paditë që janë në proces në gjykatat administrative, duke rrezikuar të krijojë paqartësi në praktikën e gjykatave për çështjet në shqyrtim apo për të cilat është depozituar padia. Një dispozitë tranzitore do të ishte e domosdoshme në përputhje me parimet kushtetuese për ligjin procedural që do të zbatohet;
b. Projektligji nuk ka parashikuar asnjë rregullim ligjor për kategorinë e të punësuarve në administratë, të cilët nuk gëzojnë statusin e nëpunësit civilë dhe marrëdhënia e tyre e punës nuk rregullohet as me Kodin e Punës. Ky është rasti i rregullimit të marrëdhënieve të punës me ligje të veçanta si Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Shtetëror, Shërbimi i Jashtëm, funksionarët politikë, etj. Në këtë projektligj kjo kategori nuk gjen rregullim duke mos u parashikuar as si kategori që kanë të drejtë të ngrenë padi në bazë të nenit 3 të projektligjit dhe as si kategori që përjashtohen me nenin 4.
4. Komente mbi nenin 2 të projektligjit që shfuqizon nenet 6, 6/1, 6/2, 6/3, 6/4, 6/5.
Shfuqizimet e neneve të mësipërme që rregullojnë veprimtarinë e ndihmësave ligjorë në gjykatat administrative reflektojnë ndryshimet në Ligjin Nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjit Nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Megjithatë mosrregullimi i statusit ligjor të këtyre punonjësve dhe ndërpreprja e marrëdhënieve të tyre të punës pa ofruar një alternativë të barazvlefshme me pozicionin që ata kanë aktualisht mund të përbëjë shkak për kundërshtimin e këtij ligji (nëse miratohet) në Gjykatën Kushtetuese, me argumentin se vjen në kundërshtim me parimin e njohur të sigurisë juridike.
Në bazë të LGJA, gjatë këtyre viteve të funksionimit të gjykatave administrative, gjyqtari i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit Administrativ, ndihmohet nga ndihmësi ligjor. Në ligjin nr. 98/2016 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në përkufizimet e ligjit (neni 1, gërma “e”) përcaktohet se ndihmësat ligjor në vijim do të ushtrojnë funksionet në njësinë e shërbimit ligjor pranë gjykatave të apelit.
Nga analiza e dispozitave të ligjit Nr. 98/2016 është e paqartë se si do rregullohet marrëdhënia e punës për ndihmësit ligjor, të cilët aktualisht ushtrojnë detyrën pranë gjykatave administrative të shkallës së parë. Në dispozitat tranzitore të ligjit të sipërcituar (neni 85) parashikohet vlerësimi i kritereve formale dhe mundësitë ekzistuese për sistemimin e punonjësve në gjykata, por duke lënë jashtë këtij rregullimi kancelarët, këshilltarët dhe ndihmësit ligjor.
Ndërkohë, në ligjin Nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në dispozitat tranzitore (neni 165), sanksionohet se ndihmësit ligjorë, këshilltarët e gjyqtarëve dhe inspektorët jomagjistratë vazhdojnë të qëndrojnë përkohësisht në detyrë, në përputhje me parashikimet ligjore, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, përveç kur marrëdhënia e punës përfundon për arsye ligjore, ose si rezultat i procesit të rivlerësimit.
Sjellim në vemendje se Gjykata Kushtetuese e ka trajtuar disa herë në praktiken e saj duke argumentuar se “Siguria juridike parakupton, veç të tjerash, besueshmërinë e qytetarëve tek shteti dhe pandryshueshmërinë e ligjit për marrëdhëniet e rregulluara. Besueshmëria ka të bëjë me faktin se qytetari nuk duhet të shqetësohet vazhdimisht për ndryshueshmërinë dhe pasojat negative të akteve normative që cënojnë dhe përkeqësojnë një gjendje të vendosur me akte të mëparshme” .
Në vendimin nr.33/2010, Gjykata Kushtetuese thekson se siguria juridike nënkupton, veç të tjerash, edhe mbrojtjen e të drejtave të fituara të personave, të cilët kanë të drejtë të presin në mënyrë të arsyeshme që të drejtat e fituara, nëpërmjet akteve ligjore të vlefshme, t’u garantohen për të gjithë periudhën dhe të zbatohen realisht. Ligji duhet të ofrojë siguri dhe vijimësi me qëllim që individët të mund të kryejnë veprimet në mënyrën e duhur. Duke qenë se këto ligje e vendime perceptohen si burime pritshmërie të ligjshme për individët, ato nuk mund të ndryshohen e shfuqizohen në një fazë të mëvonshme. Ky parim u lejon individëve një lloj mbrojtjeje kundër ndryshimeve të menjëhershme e të pajustifikueshme të rregullave. Gjykata ka theksuar, gjithashtu, edhe se parimi i sigurisë juridike nuk mund të prevalojë në çdo rast. Kjo do të thotë se, nëse paraqitet rasti që një rregullim ligjor ndryshe i një marrëdhënieje ndikohet drejtpërdrejt nga një interes i rëndësishëm publik, me të gjitha elementet e tij thelbësore, ky interes mund të ketë përparësi ndaj parimit të sigurisë juridike (Shih vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 26, datë 02.11.2005).
Nga leximi i neneve të mësipërme është e paqartë se kur përfundon marrëdhënia e punës për ndihmësit ligjor në shkallë të parë për shkak ligji, me hyrjen në fuqi të ligjit 96/2016 dhe ligjit 98/2016 dhe cilat janë alternativat që i ofrohen personave që mbajnë këto pozicione për të mos humbur të drejtat e fituara nga një marrëdhënie pune e mëparshme. Ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor dhe ai i statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat kanë filluar zbatimin, e vendosin LGJA në një situatë post factum për të rregulluar në një dispozitë tranzitore përfundimin e marrëdhënieve të punës si ndihmës ligjor. Nga ana tjetër, legjislatori duhet të jetë tepër i kujdesshëm për të vlerësuar mundësitë që do t’u ofrohen ndihmësve ligjorë aktualë pas përfundimit të marrëdhënieve të tyre të punës.
Këto ligje ometojnë mbi statusin dhe rregullimin e marrëdhënies së punës për ndimësit ligjor në gjykatën administrative të shkallës së parë dhe njëkohësisht është e paqartë se çfarë nënkuptohet me termin “përfundim për shkak të ligjit”. Cili është interesi publik që dikton nevojën për t’i dhënë fund marrëdhënieve të punës së ndihmësve në shkallë të parë dhe nëse ky interes justifikohet nga legjislatori, çfarë garancish ofron LGJA që të paktën të ofrojë për këta shtetas një pozicion të barasvlefshëm në administratën publike, me qëllim që të mos cënohen të drejtat e fituara nga ligji i mëparshëm.
5. Komente mbi nenin 4 pika (ç) të projektligjit
Në nenin 4, gërma (ç) të projektligjit sanksionohet se janë jashtë kompetencës së GJA “mosmarrëveshjet kontraktuale ku njëra palë është organ i administratës publike e të cilat janë të natyrës së të drejtës private në përputhje me ligjin”. Duke kuptuar qëllimin e formulimit të mësipërm për shkak të problemeve që hasen në praktikë në gjykatat shqiptare në kontrollin e kontratave administrative dhe diferencimin e tyre nga kontratat e të drejtës private ku njëra nga palët është organ publik, mendojmë se ky propozim ka nevojë për saktësime ose duhet të suprimohet.
Së pari, kujtojmë se Kodi i Procedurave Administrative (KPA) ka dhënë përkufizimin e kontratës administrative dhe kushtet që duhet të plotësojë kjo kontratë. Nga leximi i KPA është e qartë se kur marrëdhëniet nuk janë të së drejtës publike, atëherë nuk kemi të bëjmë me kontratë administrative thjesht për faktin se njëri nga kontraktuesit është organ publik. Për pasojë, është e qartë se GJA nuk kanë tagra për të shqyrtuar paditë e ngritura mbi kontrata të së drejtës private. Mendojnë se pika 4 (ç) nuk sjell asnjë një rregullim të ri në projektligj në këtë drejtim.
Së dyti, togfjalëshi në ndryshimin e propozuar “në përputhje me ligjin” është i paqartë se kujt ligji i referohemi apo nëse termi “ligj” është në kuptimin e zgjeruar të legjislacionit në fuqi. Në referencën sqaruese në draftin e projektligjit, krijohet përshtypja se është pasur parasysh në konsideratë KPA dhe është marrë e mirëqenë që do ketë amendim të KPA. KPA nuk mund të përkufizojë kontratat private apo të vendosë kriteret që ndajnë kontratat private nga ato publike, pasi nuk është objekt i rregullimit të këtij Kodi rregullimi apo saktësimi i kontratave private. Gjithashtu, nuk mund të prezumohet që legjislatori do të ndërhyjë në KPA, për të bërë një ndryshim të tillë. Shtimi i togfjalëshit “në përputhje me ligjin” për aq kohë sa nuk ka ligje që përkufizojnë qartë dallimet mes kontratave administrative dhe kontratave private do të sjell më tepër konfuzion në gjykata.
Së treti, në kushtet kur kontratat administrative janë komplekse, do të ishte e këshillueshme që disa nga rregullat për shqyrtimin e padive për kontratat administrative të diferencoheshin nga procedurat që ndjek gjykata për veprimet administrative. Shqyrtimi i një akti të dyanshëm si kontrata administrative, duke marrë parasysh vështirësitë në praktikë për përcaktimin e juridiksionit mes gjykatave, kompleksitetin e provave që i duhen gjykatës, nuk mund të trajtohet me po atë procedurë si për një akt të thjeshtë administrativ.
Afati 45 ditor për të depozituar padinë vendos palët private në pozita të pabarabarta me organin publik për mbledhjen e fakteve dhe argumentimin e padisë. Gjithashtu, shqyrtimi i padive me objekt kontratat administrative në dhomë këshillimi shpesh është i vështirë. Shqyrtimi i ankimit në Gjykatën e Apelit dhe i rekursit në Gjykatën e Lartë (nenet 49/1 dhe 69/1), si rregull bëhet mbi bazë dokumentesh në dhomë këshillimi. Kjo e vështirëson procesin për palët, sepse e drejta për t’u dëgjuar varet nga vlerësimi i nevojës që ka gjykata. Do ishte e sugjerueshme, që palët të kishin të drejtën për të bërë kërkesë për t’u dëgjuar në rastin e padive për kontratat administrative për shkak të specifikave që kanë, sikurse parashikon ligji në rastet e proceseve ne gjykatat në shkallë të parë për të gjitha rastet (neni 34).
6. Komente mbi nenin 5 të projektligjit që ndryshon nenin 58 të LGJA.
Neni 5 i projektligjit bën ndryshime mbi shkaqet për të cilat bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, duke hequr mundësinë e rekursit për “shkelje të rënda procedurale, të cilat kanë ndikuar dukshëm në dhënien e vendimit”. Lidhur me këto ndryshime është e nevojshme të saktësohet në një dispozitë tranzitore se çfarë do të ndodh me paditë e depozituara për të cilat nuk ka filluar shqyrtimi.
Sugjerojmë një formulim të ngjashëm: “Çështjet administrative që janë në gjykim ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të vazhdojnë të gjykohen sipas ligjit të kohës së paraqitjes së kërkesë padisë, apelit dhe rekursit”.
7. Sugjerime për ndryshime të tjera në projektligj
7.1 Legjitimimi i shoqatave apo grupeve të interesit – nga leximi i nenit 15 të LGJA, mendojmë se ligji ka nevojë për disa plotësime:
Së pari, në nenin 15 pika (d) duket se vullneti i ligjvënësit për t’i dhënë të drejtën e padisë shoqatave dhe grupeve të interesit ka qenë zgjerimi i aksesit në GJA. Por, në këtë nen dhe në nenet e tjera të ligjit nuk ka rregullime ligjore nëse çdo shoqatë do legjitimohet për çështje që përbën interes publik të cenuar dhe i mbetet gjyqtarit diskrecion i gjerë për të interpretuar rast past rasti se cilat shoqata legjitimohen dhe cilat çështje quhen interes publik.
Nisur nga mungesa e rregullimeve ligjore të plota dhe të qarta, për mos të lënë diskrecion të gjerë të gjyqtarit, që potencialisht mund të prekin aksesin e shoqatave dhe për të uniformizuar interpretimin nga gjykatat e ndryshme, sugjerojmë një formulim të ngjashëm: “E drejta e padisë … çdo shoqatë në përputhje me misionin dhe fushën e veprimtarisë apo grup interesi, që pretendon se është cënuar një interes i ligjshëm publik”.
Në këtë mënyrë, shoqatat orientohen për të mos investuar gjykatën për çështje që nuk janë në misionin dhe objektin e tyre të veprimtarisë. Nga ana tjetër, Gjyqtarët janë më të orientuar për të vlerësuar një kriter objektiv për të vendosur legjitimimin ose jo. Në rastin e grupeve të interesit ky rregullim nuk mund të aplikohet, për shkak të konceptit të gjerë dhe gjykata është e detyruar të analizojë rast pas rasti.
Së dyti, duket se neni 15 i kufizon shoqatat dhe grupet e interesit për ngritjen e padive në rast se interesat e ligjshme publike preken nga aktet normative dhe nga aktet administrative dhe kur një gjë e tillë kërkohet me ligj. Në këtë nen nuk parashikohet e drejta e padisë për mosveprimet e administratës, por vetëm për veprimet administrative siç është akti administrativ i përmendur.
KPA njeh si palë në procedurat administrative edhe mbajtësit e interesave publikë të autorizuar me ligj, si dhe mbajtësit e interesave kolektivë apo interesave të gjerë të publikut, nëse këta interesa mund të cënohen nga rezultati i procedurës administrative (Neni 33). Gjithashtu, KPA njeh të drejtën e palëve të ankohen për veprime dhe mosveprime të organit publik. Në rast se një shoqatë kërkon për interes publik nxjerrjen e një akti administrativ dhe organi nuk vepron, duket se ligji nuk i jep siguri për vijimin e procesit në GJA për të detyruar organin të nxjerr aktin. Për të mundësuar aksesin e shoqatave dhe ndjekjen e frymës së KPA, sugjerojmë të plotësohet pika (ii): “E drejta e padisë…nga një akt administrativ ose nga refuzimi i organit për të nxjerr aktin administrativ… “.
7.2 Ekzekutimi i vendimeve, për kundërvajtjet administrative dhe dënimin me heqje lirie.
Ligji Nr. 10 279, datë 20.5.2010 “Për Kundërvajtjet Administrative” parashikon se procedura e ekzekutimit të dënimit me heqje lirie për një kundërvajtje administrative bëhet sipas procedurave për ekzekutimin e vendimit të dënimit me heqje lirie për një vepër penale (Neni 45).
Ndërkohë, LGJA i ka dhënë kompetencë gjykatave administrative të shqyrtojnë kërkesat e organeve për kundërvajtjet administrative dhe të japin dënimin me heqje lirie deri në 30 ditë. Po në këtë ligj parashikohet se: “Vendimi përfundimtar i gjykatës administrative, që ka marrë formë të prerë, dhe vendimi për sigurimin e padisë vihen në ekzekutim nga përmbaruesi gjyqësor me kërkesën e kreditorit’’ (Neni 65). Në kushtet kur ekzekutimet e dënimeve me heqje lirie janë kompetencë e Prokurorisë, sugjerojmë që në LGJA të bëhet një përjashtim shprehimisht për ekzekutimin nga përmbarimi gjyqësor i dënimeve administrative me heqje lirie.
7.3 Harmonizimi me ligje te tjera në proces ndryshimi në Kuvend
LGJA duhet të harmonizohet me ndryshimet ne Kodin e Procedurës Civile. Ka disa momente në ligj ku janë bërë referime në nene të caktuara të KPrC, psh. dispozitat për ekzekutimin e vendimeve. Së pari, sugjerojmë heqjen e neneve konkrete nga referimet, sepse mund të ndryshojë numërtimi i tyre. Së dyti, LGJA duhet të miratohet pasi të harmonizohet me ndryshimet e mundshme të KPrC.
LGJA duhet të harmonizohet dhe duhet të merret në konsideratë shtimi i disa dispozitave për ndihmën juridike falas. Sipas projektligjit “Për ndihmën juridike”, pjesë e paketës së reformës në drejtësi, do të jetë gjykata ajo që do të vlerësojë në vijim ofrimin e ndihmës juridike. Ky rregullim duhet paralelisht të gjejë vend në dispozitat e LGJA. Nga ana tjetër, duhet saktësuar se kush do t’i ndjekë procedurat e ndihmës juridike parësore dhe dytësore, në kushtet e ngarkesës së punës së gjyqtarëve në GJA, duke marrë edhe në konsideratë që në gjykatat e shkallës së parë nuk do ketë në vijim ndihmës ligjor.