Për zvarritjet e theksuara e të pamotivuara të gjykimeve duhet të nxirret përgjegjësia e atyre që i shkaktojnë ato
Prej monitorimeve të kryera nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në shumë gjykata të vendit, veç të tjerave janë konstatuar edhe zvarritje të gjykimeve të mjaft çështjeve penale e civile. Shtyrjet e seancave gjyqësore shpesh kanë qenë të paarsyetuara dhe të pamotivuara, gjë që bie ndesh jo vetëm me dispozitat procedurale në fuqi, por dhe me të drejtën e palëve të përfshira në gjykim, e me interesin publik për të dhënë drejtësi brenda një afati të arsyeshëm. Ky problem është konstatuar e bërë publik edhe nga shumë struktura të tjera vendase dhe ndërkombëtare.
Me keqardhje duhet pranuar se ky fakt, ndonëse prej kohësh i pranuar edhe nga dy organe mbikëqyrëse të veprimtarisë gjyqësore, KLD e Ministria e Drejtësisë, vazhdon të jetë i pranishëm si më parë. Masat disiplinore të dhëna për këtë shkak nuk kanë shërbyer për të përmirësuar situatën, sepse ato kanë qenë të pakta, ose sporadike dhe nuk janë shoqëruar me masa të tjera organizative e ligjore. Ka çështje, siç është ajo në ngarkim të të pandehurit Dritan Dajtit, që është vënë nën përgjegjësinë penale, me akuza të rënda, që në vitin 2009, megjithatë Gjykata e Krimeve të Rënda ka mundur vetëm të çelë e të shtyjë pa fund seancat( rreth 254 seanca), sepse avokatë të shumtë nuk kanë pranuar mbrojtjen e tij.
Lidhur me këtë situatë, kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, herë pas here, ka njoftuar KLD-në, Ministrin e Drejtësisë dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë, por edhe pas kësaj asgjë nuk ka ndryshuar. Në raste të tilla mendojmë se është evidente mungesa e transparencës së veprimtarisë së këtyre organeve, si dhe e nivelit të ulët të nxjerrjes së përgjegjësisë së strukturave që e shkaktojnë atë. KShH mendon që një situate e tillë është jo vetëm e rëndë, por dhe precedent i dëmshëm për veprimtarinë e gjyqësorit. Ajo shkakton jo vetëm cenimin e veprimtarisë gjyqësore, por dhe uljen e besimit të publikut ndaj organeve të drejtësisë. Akuzat e ndërsjella gjykatë-avokati për zvarritjet e mësipërme nuk i shërbejnë zgjidhjes së problemit, i cili kërkon mirëkuptim dhe analizë të përbashkët të të gjitha strukturave, që përfshihen ne procesin e dhënies së drejtësisë, ose e mbikëqyrin atë.
Dhënia e drejtësisë është një nga funksionet kryesore të shtetit të së drejtës, prandaj është detyrë dhe përgjegjësi e tij që, duke bashkërenduar veprimtarinë e pushteteve dhe organeve të tij, ta ushtrojë këtë funksion sa më mirë, në përputhje me Kushtetutën e ligjin në fuqi. Nëse vlerësohet nevoja për ndryshime në legjislacion, një nismë e tillë duhet marrë pa humbur kohë. Publiku i gjerë pret nga pushtetet e pavarura të shtetit dhe organet e tjera kushtetuese, që në përmbushje të funksioneve dhe në balancim ndërmjet tyre, ta përmirësojnë sa më parë këtë situatë.
KShH e gjykon me vend t’i drejtohet Presidentit të Republikës, si kryetar i KLD-së, Kryetarit të Kuvendit, si përfaqësues i pushtetit legjislativ, Kryeministrit të vendit dhe Ministrit të Drejtësisë, si përfaqësues të pushtetit ekzekutiv, që të bashkërendojnë punën dhe të marrin të
gjitha masat e nevojshme që të evitohen e parandalohen zvarritje të tilla. Pushteti gjyqësor, me anë të strukturave të tij, duhet të analizojë situatën e të nxjerrë detyra për t’u bërë pjesë e zgjidhjes së problemit. Masat e nevojshme duhet të shoqërohen dhe me nxjerrjen e përgjegjësisë së subjekteve që e kanë shkaktuar këtë gjendje, sepse askush nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë ligjore, veçanërisht për cenimin e interesave kaq të rëndësishme publike e private, si dhënia e drejtësisë.