Për njohjen dhe zbatimin efektiv të Ligjit “Për njoftimin dhe Konsultimin Publik”


Në datën 23 Nëntor 2016, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) organizoi një forum informues me përfaqësues të medias dhe shoqatave të gazetarëve. Qëllimi i këtij forumi ishte ndërgjegjësimi i grupeve të interesit lidhur me standartet e reja ligjore për njoftimin dhe konsultimin publik të projektakteve dhe rëndësinë e ushtrimit të instrumentave të transparencës në Qeverisje, në përputhje me ligjin nr.146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”.

Përfaqësuesit e medias evidentuan në diskutimet e tyre se ndërkohë që njohja dhe zbatimi i ligjit për të drejtën e informimit ka shënuar progres të ndjeshëm, shumë pak është bërë në drejtim të njohjes nga grupet e interesit dhe zbatimit nga organet publike të ligjit nr.146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”. Në këtë drejtim u vlerësua nisma e KShH-së si dhe u evidentua nevoja për një transparencë më të lartë të organeve publike ndaj medias, për procese vendimmarrëse që prekin median si grup interesi. Mosvënia në funksionim të plotë e Regjistrit Elektronik ku duhet të publikohen projektaktet që i nështrohen procesit të konsultimit publik ishte një nga çështjet e adresuara gjatë kësaj tryeze. Ndërkohë që është ngritur dhe është e hapur për publikun platforma e këtij regjistri elektronik të parashikuar si detyrim që rrjedh nga ligji nr.146/2014, aty nuk janë publikuar projektaktet për të cilat grupet e interesit kërkojnë të shprehin mendimet dhe sugjerimet e tyre. Kjo ka sjellë një pengesë në drejtim të zbatimit efektiv të ligjit për njoftimin dhe konsultimin publik, i cili është miratuar prej më shumë se dy vjetësh.

Për çështje që kanë interes publik, media deklaroi se mungesa e transparencës dhe e një konsultimi publik efektiv ka shkaktuar pakënaqësi dhe reagime të forta publike të grupeve të interesit, sikurse është rasti i ligjit për importin dhe përpunimin e mbetjeve apo projekti për ndërtimin e landfillit në Mbrostar, në qarkun e Fierit. Në optikën e medias, në shumicën e rasteve, edhe atëherë kur zhvillohet konsultimi publik, ai është formal dhe nuk sjell ndryshime substanciale të ngritura nga grupet e interesit në proceset vendimmarrëse të hartimit të projektligjeve, projekt strategjive dhe politikave që kanë interes publik. Referuar vlerësimit paraprak që Komiteti Shqiptar i Helsinkit i ka bërë informacionit të përcjellë nga disa Ministri për zbatimin e ligjit nr.146/2014, vërehet se procesi konsultimit publik nuk bëhet gjithmonë konform procedurave dhe afateve të parashikuara në ligjin për njoftimin dhe konsultimin publik.

KShH rekomandon se për zbatimin në praktikë të ligjit kërkohet që në metodologjinë e organizimit të konsultimit publik të organeve publike të shmanget çdo lloj formalizmi. Për këtë është e nevojshme të rritet përgjegjshmëria e organeve publike dhe vlerësimi real i propozimeve dhe rekomandimeve të komunitetit të biznesit, përfaqësuesve të medias, shoqërisë civile, grupimeve studentore dhe qytetare si dhe çdo grup tjetër interesi. Gjithashtu, KShH rekomandon se del nevoja që vetë media në tërësi të njihet me
përmbajtjen e këtij ligji dhe herë pas here, sipas rastit, t’i japë informacion publikut të gjerë jo vetëm në aspektin sensibilizues por edhe me synimin e nxitjes të debatit publik.

Pjesmarrësit në këtë forum, pavarësisht nga vërejtjet që patën për formulimin e dispozitave të veçanta të ligjit nr.146/2014 si dhe nevojës për përmirësimin e tij në drejtim të forcimit të mekanizmave llogaridhënës dhe sanksioneve administrative, u shprehën gjithashtu për ndikimin pozitiv që do të ketë zbatimi efektiv i këtij ligji sa i takon parimit të qeverisjes së hapur.

Forumi me përfaqësuesit e medias u zhvillua në zbatim të projektit “Për një transparencë dhe pjesëmarrje më të lartë të grupeve të interesit në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse nga organet publike”, mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit