Prioritet është garantimi i paisjes së shtetasve me karta identiteti
LETËR E HAPUR
DREJTUAR: Z. SALI BERISHA, KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË
I nderuar Zoti Kryeministër,
Fillimisht na lejoni të shprehim urimet e sinqerta të Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHH) për pranimin e Shqipërisë me të drejta të plota në aleancën e NATO-s. Kjo ishte aspiratë e popullit shqiptar, nxitje e mëtejshme drejt integrimit Europian.
KSHH ka ndjekur dhe ndjek me vëmendje përgatitjet për zgjedhjet e 28 Qershorit 2009 në tërësi, dhe në veçanti edhe zbatimin e nenit 179 të Kodit Zgjedhor për pajisjen me përparësi me karta identiteti të zgjedhësve që nuk disponojnë pasaporta. Në këtë vështrim, KSHH është njohur me vendimet e Këshillit të Ministrave, i cili ngarkohet të nxjerrë aktet përkatëse nënligjore të marra për këtë qëllim dhe në zbatim të nenit 179 të Kodit Zgjedhor, edhe me udhëzimet e Ministrisë së Brëndshme.
Në respekt të funksioneve Tuaja, do të dëshironim të mirëkuptoheshim nëse evidentojmë faktin se brenda një kohe relativisht të shkurtër, vendimet dhe udhëzimet e marra për këtë qëllim kanë pësuar disa herë ndryshime. Deri në një farë mase kjo tregon se problemi i pajisjes së zgjedhësve me karta identiteti, nuk i është nënshtruar diskutimeve dhe konsultimeve paraprake, ku do të përcaktoheshin jo vetëm detajet e këtij procesi, por edhe pengesat e mundshme që duhet të kapërceheshin.
Opozita ka vënë në dyshim realizimin në kohën e duhur të pajisjes së zgjedhësve që nuk kanë pasaportë me karta identiteti. Ajo ka kërkuar pajisjen falas me karta të të gjithë zgjedhësve që nuk kanë pasaportë. Organet përkatëse shtetërore janë shprehur kundër pretendimeve të mësipërme duke i konsideruar ato të pabazuara, madje të politizuara dhe të qëllimshme.
KShH si një organizatë joqeveritare në mbrojtje të të drejtave kushtetuese të shtetasve, duke mos paragjykuar problemin e shikon të nevojshme të theksojë se kryesorja e kryesoreve nuk është fatura financiare e kompensimit, por garantimi se të gjithë zgjedhësit që nuk disponojnë pasaporta, do të pajisen me karta identiteti.
KSHH konfirmon faktin e njohur se në një vend demokratik siç është edhe vendi ynë, qeveria ka detyrë të marrë të gjitha masat me qëllim që t’u garantojë shtetasve të vet mundësitë reale për të ushtruar të drejtën kushtetuese të pjesëmarrjes në zgjedhje.
Në këtë aspekt mendojmë se nuk është e justifikueshme që për mungesë organizimi ose kontrolli në zbatimin me rigorozitet dhe në kohë të kësaj detyre ose për shkak të mos paissjes me karta identiteti, zgjedhësit të privohen nga e drejta themelore e sanksionuar në nenin 45 të Kushtetutës së RSH.
KShH mendon gjithashtu se masat e marra nga qeveria për kompensimin ose dhënien falas pjesërisht të kartave të identitetit, mund të shoqërohet me elementë të diskriminimit të shtresave ose grupeve të tjera në nevojë, gjë që duhet të parandalohet.
I nderuar zoti Kryeministër,
KShH është i ndërgjegjshëm se pajisja e zgjedhësve me karta identiteti nuk është e lehtë jo vetëm për faktin se është përvojë e re, për shkak të numrit të madh të zgjedhësve që duhet të paisen me to, koha relativisht e shkurtër dhe infrastruktura e vëndit tonë.
Prandaj, KSHH duke vlerësuar maksimalisht rëndësinë e këtij problemi, sugjeron nevojën për bashkëpunim konstruktiv dhe transparent të të gjithë aktorëve në këtë proces. Të gjithë aktorët të bashkëpunojnë për të sensibilizuar publikun për rëndësinë e paisjes me karta identiteti që do të shërbejnë jo vetëm për votime, por edhe për identifikimin dhe përdorimin në marrjen e shërbimeve në favor të tyre.
KSHH qysh në fillim, mes deklaratave publike dhe në aktivitete të ndryshme të saj u ka bërë thirrje zgjedhësve që të aplikojnë për pajisjen me karta identiteti. Edhe në periudhën në vazhdim do të vazhdojnë të veprojmë në këtë mënyrë.
KShH mendon se, janë të gjitha mundësitë që në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, të mos shkojmë me dyshime dhe dilema. Në të kundërtën, kjo mund të ndikonte negativisht në tensionimin e atmosferës politike.
Zgjedhjet parlamentare të qershorit të këtij viti do të jenë testi kryesor dhe i një rëndësie të veçantë, që do të tregojnë pjekurinë se, ne jemi në gjendje të bëjmë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme, duke përmbushur standartet e kërkuara.
Me respekt,
Prof. as. Vasilika Hysi
Drejtore ekzekutive
Komiteti Shqiptar i Helsinkit