Informacion lidhur me aktivitetet e zhvilluara në Vlorë nga stafi i KShH


Në kuadër të Projektit “Respektimi më i mirë i të Drejtave të Njeriut nëpërmjet forcimit të Shtetit të së Drejtës”, financuar nga Swedish International Development Cooperation Agency (Mbretëria e Suedisë),të realizuar nëpërmjet organizatës Civil Rights Defenders, në dt. 9 dhe 10 Dhjetor 2015, përfaqësues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH) kanë zhvilluar disa aktivitete në Bashkinë Vlorë, me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe rritjen e përgjegjshmërisë së administratës publike në këtë drejtim. KShH shpreh mirënjohjen ndaj drejtuesve dhe administratës së Bashkisë Vlorë dhe Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, për dhënien e aksesit dhe mundësimin e realizimit të aktiviteteve me karakter publik në ambientet e godinave përkatëse, si dhe për krijimin e kushteve të nevojshme për realizimin e aktiviteteve tona.

Konkretisht, në një program televiziv në “Fokus TV”, të qytetit të Vlorës stafi i KShH trajtoi disa problematika lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut në vend, duke iu referuar Raportit të të Drejtave të Njeriut që kjo organizatë ka hartuar për v. 2015. Gjithashtu, bazuar në studimin e KSHH, u prezantuan gjetje e konkluzione mbi rastet e torturës dhe keqtrajtimeve të shtetasve, nga ana e punonjësve të organeve shtetërore, si raste të cenimit ekstrem të lirive dhe të drejtave themelore.

Më tej, gjatë këtyre dy ditëve, KShH organizoi një forum diskutimi me studentë të Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”, ku gjithashtu, u diskutua rreth situatës së respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut në bashkinë Vlorë, e më gjerë. Studentët drejtuan pyetje të ndryshme si dhe morrën pjesë në diskutim për trajtimin e situatës lidhur me këtë tematikë, veçanërisht lidhur metë drejtën e votës, ndalimin e ushtrimit të dhunës, të drejtën e pronës, proçesin e rregullt gjyqësor, etj. Ata shprehën interesim për aktivitetet e KShH në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe evidentuan nevojën për të zgjeruar aktivitetet rinore, jopolitike, në mbrojtje të çështjeve me interes publik.

Ekspertët e KShH zhvilluan  takime edhe me qytetarët, të cilët u pritën në mjediset e Bashkisë Vlorë, nga të cilët u dëgjuan dhe u morrën ankesat, si dhe u ofrua këshillim ligjor falas lidhur me to. Ankesat e referuara kishin të bënin me prishjen e ndërtimeve pa leje, nevojën për strehim, subvencionimin e shpenzimeve të librave shkollorë për anëtarët e komunitetit egjiptian, për respektimin e të drejtës së pronës, për faturat afrofe të energjisë elektrike të pashlyera, etj. Shtetasit u ankuan se, sipas tyre, për të vënë në veprim administratën publike lidhur me ankesat e tyre duhet të paraqiteshin disa herë në sportelet publike. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit