Trajnohet personeli i IEVP Rrogozhinë për mbrojtjen e personave të privuar nga liria nga tortura dhe format e tjera të keqtrajtimeve


Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në përmbushje të misionit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të të personave të paraburgosur dhe të dënuar, organizoi në datat 8-9 Tetor 2014 një trajnim me personelin e të gjitha shërbimeve të IEVP Rrogozhinë. Fokusi konkret i këtij trajnimi ishte parandalimi dhe lufta përkundrejt torturës dhe të gjitha formave të keqtrajtimit në institucionet e burgjeve. KShH ofroi ekspertizën e tij përmes ekspertëve si Z. Jan van den Brand, anëtar i Këshillit për Administrimin e Drejtësisë Penale dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Ministria e Drejtësisë, Holandë, Z. Arben Qerimi, specialist pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Znj. Edlira Papavangjeli, Menaxhere e Programeve në KShH.

Ekspertët u ndalën në mënyrat e parandalimit të çdo lloj forme të keqtrajtimit. Pjesëmarrësit u njohën më thellë me konceptet e torturës, trajtimeve çnjerëzore dhe degraduese në dritën e rasteve të gjykuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Tema të tilla se si duhet menaxhuar pushteti i dhënë nga funksioni i detyrës publike përkundrejt personave të privuar nga liria; domosdoshmëria e mekanizmave efektivë mbikëqyrës të brendshëm dhe të jashtëm si edhe rritja e vazhdueshme e profesionalizimit të personelit të burgjeve ishin disa nga temat e tjera të trajtuara. Gjithashtu, u trajtuan edhe udhëzues administrativë për menaxhimin e situatave të vështira në burgje.

Temat e trajtuara u përshtatën për realitetin dhe kushtet e burgjeve shqiptare. Ky trajnim u vlerësua si shumë i nevojshëm nga pjesëmarrësit si edhe u kërkuan nga pjesëmarrësit të vijojnë trajnime të tilla në të ardhmen.

Kjo veprimtari zhvillohet në kuadër të projektit “Së bashku kundër torturës në polici dhe burgje”, zbatuar nga KShH dhe financuar nga BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit