Me qëllim nxitjen e transparencës dhe llogaridhënies së organeve të ngarkuara me kompetenca për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në datën 9 Gusht 2017, Komiteti Shqiptar i Helsnikit (KShH) ju drejtua me kërkesë për informacion organeve ndihmëse të vettingut (DSIK, ILDKPKI, KLD, PP) që kontribuojnë në këtë proces sa i takon vlerësimit të pasurive, kontrollit të figurës dhe të aftësive profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve
Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar (DSIK), Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) si dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD), i janë përgjigjur pjesërisht kërkesës për informacion të KShH-së, mbi mbarëvajtjen e deritanishme të këtij procesi. KShH ka mundur të sigurojë një pjesë të informacionit mbi numrin e formularëve të vetëdeklarimit të depozituara nga gjyqtarët, prokurorët dhe subjektet e tjera për pasurinë, figurën apo aftësitë profesionale të tyre apo informacione të tjera të lidhura me bashkëpunimin ndërinstitucional dhe vështirësitë e ndeshura sa i takon zbatimit të ligjit.
KShH mirëkupton vështirësitë me të cilat janë përballur këto institucione ndihmëse si dhe ndikimin që pati pjesa arsyetuese e vendimit Nr.2, datë 18.01.2017 të Gjykatës Kushtetuese, të cilat mund të kenë ndikuar në ngadalësimin e procesit dhe rrjedhimisht në mosdhënien e informacionit sipas kërkesës së KShH-së. Megjithatë, në tërësi, KShH vëren se nuk ka një transparencë të plotë nga këto institucione, për sa kohë është shmangur në përgjigjet e tyre dhënia e informacionit mbi gjetjet që kanë interes publik, të cilat kanë rezultuar nga verifikimet e deritanishme të tyre. Konkretisht i referohemi vlerësimit të këtyre organeve ndihmëse sa i takon kalimit ose jo me sukses të testit të pasurisë dhe figurës nga gjyqtarët dhe prokurorët, në këtë fazë verifikuese të procesit. Theksojmë se, në çdo kërkesë për informacion, KShH nuk ka kërkuar të njihet me të dhënat personale të subjekteve që i janë nënshtruar verifikimeve prej këtyre institucioneve.
Në përgjigjen e dhënë nga KLD-ja referohet se ka lindur nevoja për të patur udhëzime të detajuara lidhur me kriteret, standartet dhe procedurat e vlerësimit profesional. Megjithatë, ndërkohë që inspektorati i KLD-së ka ndeshur në këto vështirësi, Prokuroria e Përgjithshme e cila sipas informacionit të publikuar nga media ka ngritur strukturat përkatëse të vlerësimit profesional të prokurorëve, nuk ka ende përgjigje për kërkesën e KShH-së për informacion. Është e paqartë nëse vështirësi të ngjashme janë ndeshur edhe në veprimtarinë e Prokurorisë së Përgjithshme, sa i takon vlerësimit të aftësive profesionale të prokurorëve dhe subjekteve të tjera që janë në kompetencë të saj.
Rikthimi i besimit publik tek sistemi i drejtësisë kërkon transparencë si dhe angazhim më të gjerë të publikut në denoncimin e fakteve ose rrethanave që mund të përbëjnë prova në lidhje me vettingun. KShH do të vijojë të monitorojë veprimtarinë e të gjitha institucioneve që kanë përgjegjësi direkte ose të tërthortë në procesin e vettingut, me qëllim evidentimin e zbatimit të parashikimeve ligjore, respektimin e të drejtave të personave që do ti nënshtrohen vettingut si dhe informimin e publikut me paanshmëri dhe profesionalizëm.
Këto gjetje prezantohen në vijim të monitorimit të realizuar në kuadër të nismës “Për të rritur transparencën, gjithëpërfshirjen dhe përgjegjshmërinë në procesin e vettingut”, mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA).