Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), nëpërmjet medias së shkruar, me dhimbje të thellë mësoi vrasjen e gjyqtares Fildes Hafizi, si dhe historikun, kushtet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje. Me këtë rast, familjes dhe gjithë të afërmve të viktimës u shprehim ngushëllimet tona të sinqerta.
KSHH dënon këtë akt barbar, këtë vepër me rrezikshmëri të theksuar shoqërore që kërkon goditjen me gjithë ashpërsinë e ligjit.
Ngjarja e mësipërme që ka marre jetën e një njeriu, nënës së dy fëmijëve, gjyqtares dhe profesionistes së sistemit të drejtësisë ka indinjuar mbarë opinionin publik. Duke u njohur me të dhënat paraprake të publikuara në media, ai (publiku) ka të drejtë të pyesë: A mund të parandalohej një krim i tillë? Përgjigjen më të mirë, më të saktë se kushdo tjetër, në këtë rast mendojmë se mund dhe duhet ta japin organet përkatëse të sistemit të drejtësisë por gjithashtu edhe institucionet e ekzekutivit në nivel qendror dhe vendor, përgjegjëse për mbrojtjen, mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave, lehtësimin e pasojave dhe parandalimin e dhunës në familje.
KShH mirëkupton deklaratat e drejtuesve dhe të shoqatave të sistemit të drejtësisë që ashtu si dhe të tjerët e dënuan këtë akt dhe që kërkojnë sqarimin e shpejtë të ngjarjes. Kjo është e kuptueshme edhe për faktin se viktima ishte kolegia e tyre.
Megjithëkëtë, KShH pa paragjykuar asnjë institucion apo persona të veçantë, përfshi këtu edhe të sistemit të drejtësisë, mendon se kur ndodhin krime të tilla, aq më tepër kur ka të dhëna dhe sinjalizime të bazuara se mund të kryhet kjo apo ajo vepër penale është e domosdoshme të veprohet me shpejtësi për parandalimin e tyre.
KShH vlerëson gjithashtu se efektet parandaluese kërkojnë vlerësim të kallëzimeve penale, hetim dhe gjykim të shpejtë të çështjeve, zbatim të një politike drejtë penale, si dhe zbatim rigoroz të ligjit nr.9669 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të vitit 2006. Praktika ka evidentuar në disa raste se, mosvlerësimi i çështjeve të mësipërme është shoqëruar me pasoja të dëmshme, deri në kryerjen e krimeve me rrezikshmëri të theksuar shoqërore.
Ndëshkimi i fajtorit në përputhje me ligjin ka në të njëjtën kohë efekte parandaluese. Ai rrit besimin e shtetasve ndaj organeve të drejtësisë.