- Analizë e dy situatave aktuale
Dhuna në familje është konsideruar si një plagë e vjetër e shoqërisë, shpesh herë ende e pambyllur, e cila i ka rezistuar zhvillimit që shoqëria ka bërë në mbarë botën, duke mos lënë pas dhe zhvillimin demokratik të shoqërisë shqiptare. Në realitetin e padëshiruar është e pashmangshme që çdo ditë të mos shënojë një tjetër viktimë, femër, nënë, bashkëshorte apo motër ! Përtej pikëpyetjeve të shumta që nuk marrin asnjëherë përgjigje për pjesëtarët e tjerë të familjes, arrestimit dhe dënimit përkatës të autorit, në shoqërinë shqiptare preferohet të jepen ide, rrethana faktike të përçuara në mënyrë të saktë apo jo, biografi e thelluar e viktimës apo e autorit. E thënë më thjeshtë, pas krimit të rëndë përpara përballjes me drejtësinë, zhvillohet “gjyqi publik” i cili tenton të kategorizojë shoqërinë në individë që përkrahin viktimën dhe në individë që për arsye nga më të ndryshmet përkrahin reagimin e rëndë të autorit. Pikërisht në këtë moment shfaqet një përplasje ndërmjet rrymës maskiliste dhe asaj feministe, të cilët teksa mbrojnë me fanatizëm idetë e tyre lënë vend për të dyshuar tek elementi i “barazisë gjinore” që më së shumti preferohet të arrihet sot. Pa dashur që në këtë punim të targetoj raste të caktuara duke përdorur emrat përkatës të viktimave apo autorëve, në vëmendje si një rast aktual kam zgjedhur të sjell vrasjen e një femre me një pozitë vendimarrëse në sistemin e drejtësisë, vrasjen e një përfaqësueseje të sistemit të drejtësisë.[1] Gjithashtu kam zgjedhur të sjell si një rast studimor, vrasjen makrabe të ndodhur në Pogradec disa kohë më parë, përkatësisht më datë 24/09/2017, ku përsëri viktimë ishte një femër e ekzekutuar nga bashkëshorti i saj me çrregullime depresive mendore (deklaratë e dhënë nga babai i autorit).[2] Viktimës në rastin e parë iu mor jeta nga ish-bashkëshorti, ndërkohë viktima në rastin e dytë u shënua nga dora vrastare e bashkëshortit të saj.
- Analizë e faktorëve nxitës të zhvillimit dinamik të dhunës në familje dhe problematikat e hasura
Tashmë, ekziston evidencë e bollshme në literaturë lidhur me pasojat fizike dhe psikologjike të dhunës në familje, pasoja të cilat, mund të jenë afatshkurtra, afatmesme, ose afatgjata.[3] Ndikimi i dhunës është shkatërrues për gratë, jetët e tyre, shëndetin, punën dhë mirëqënien e familjes së tyre.[4] Në varësi të formës së dhunës së ushtruar mendoj se varion edhe pasoja e krijuar tek subjekti viktimë, respektivisht pasoja psikologjike që rrjedhin nga dhuna psikologjike dhe shpirtërore; pasoja fizike që rrjedhin nga dhuna fizike e cila mund të degradojë deri në ekstremin e veprimit në humbjen e jetës të viktimës; pasoja denigruese si pasojë e dhunës seksuale dhe pasoja deri në humbjen e vetëbesimit dhe vetëvlerësimit si pasojë e dhunës ekonomike. Të hulumtosh referuar rasteve aktuale në misterin që karakterizon faktorët nxitës është një mision i cili kërkon një vlerësim analitik. Shoqëria shqiptare ka pësuar një zhvillim galopant, kjo ndikuar edhe nga masat emigratore dhe ato imigratore të cilat në çdo rast tentojnë të sjellin një frymë të civilizuar së të jetuarit. Përballja e menjëhershme me një stil jetese të ndryshëm në zonat urbane apo tentativa për të përçuar në metropolin shqiptar një frymë evropiane ka ndikuar në reflektimin e të ashtuquajturës, “kryengritje të barazisë gjinore”, një sinonim terminologjik që preferoj ta përdor për të reflektuar dëshirën dhe synimin e femrës për të qenë e pavarur, e lirë dhe e barabartë. Vlerat akoma patriarkale që mentaliteti ynë vazhdon të ushqejë ndër breza e bëjnë të pamundur arritjen e këtij synimi, prandaj femra mbetet në një rol diskriminues gjinor. Mospranimi i këtij roli nga një pjesë e femrave sjell reagimin e tyre të menjëhershëm, një “shpërthim” kulturor, emocional dhe social i papranueshëm për bashkëjetuesin e saj, pra figurën maskiliste pjesë të jetës së saj. Duke u ndodhur në këto kushte, femra priret të joshet nga synimi për të jetuar një jetë më të mirë, me të ardhura të kënaqshme për t’i plotësuar vetes disa dëshira “aksesorë” e në këtë mënyrë duke tentuar të bëhet e pavarur nga “uzurpimi ekonomik” i bashkëshortit të saj, i cili deri dje në mos për arsye tradicionale duhet të jetë shtylla bazë e sigurimit të mirëqenies në familje. Dhe në këtë moment, pjesë e këtij cikli vicioz bëhen kushtet ekonomike, të cilat reagimet më të mëdha duket t’i krijojnë në momentin e bashkëjetesës apo marrëdhënies martesore ndërmjet dy personave që i përkasin shtresave të ndryshme sociale, më së shumti ndryshimeve drastike arsimore. Këtë element në mënyrë të qartë e reflekton rasti i parë studimor në këtë ese, ku viktimë është një përfaqësuese e sistemit të drejtësisë, e cila ka zgjedhur të reagojë duke i dhënë fund martesës së saj, si pasojë e mospërputhjeve të shfaqura në jetën martesore. Pra kemi kornizën e mirëfilltë të një femre që synon të krijojë pavarësinë e saj, një fenomen ky që është akoma i pamundur të pranohet nga krenaria maskiliste shqiptare. Krahas faktorëve ekonomikë dhe atyre socialë radhiten në raste përjashtimore (jo të pakta në numër) faktorët mental, duke nënkuptuar shëndetin e paqëndrueshëm mendor apo depresionet që mbart autori i krimit.
Në momentin final të ekzekutimit dhe pas bërjes publike në media vërejmë të gjithë aktorët kompetentë shtetërorë, legjislativë dhe shoqëria civile që bëhen pjesë e një gjyqi të ashpër mediatik për të gjetur shkakun që solli një ngjarje të tillë. E si në rastet konkrete nuk dihet asnjëherë nëse duhet të drejtojmë gishtin drejt mungesës së efikasitetit të “urdhërave të mbrojtjes”, të dhëna nga gjykata; indiferentizmit të shoqërisë, e cila vetëm pas ndodhisë merr rolin e dëshmitarit social, që deri dje ka nguruar t’iu drejtohet organeve kompetente me qëllim parandalimin e ngjarjes; mungesës së strukturave përkatëse apo mungesës së efiçencës të atyre mekanizmave ekzistues; mentalitetit neglizhent që kryesisht zonat rurale ruajnë fort për të deklaruar dhe drejtuar familjarët drejt një ndihme të specializuar mjekësore apo sakrifica që viktima zgjedh të bëjë për hir të familjes, shoqërisë ose fëmijëve të mitur ?! Pas fazës së ekzekutimit mendoj se rëndësi e veçantë i duhet kushtuar fazës së parandalimit të përgjithshëm dhe të posaçëm. Mendoj se të gjithë kemi privilegjin njerëzor për të kontribuar në ruajtjen e një jete, në çdo formë, qoftë duke lajmëruar menjëherë organet kompetente dhe qoftë duke neutralizuar situatën. Politika penale nga viti 2012 e në vijim, me shtimin e nenit 130/a në Kodin Penal ka përqafuar tendenca represive të masës së dënimit, një politikë e cila mendoj që nuk ka rezultuar e mjaftueshme. Gjithashtu referuar nenit 79/c K.P. “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” është sanksionuar një masë e rëndë dënimi me një minimum burgimi jo më pak se 20 vjet dhe me një maksimum burgim të përjetshëm. Ashpërsimi i llojit dhe maës së dënimit nuk sjell asgjë më shumë se një mbipopullim i institucioneve të ekzekutimeve penale, e cila përkthehet në kosto financiare të akorduara nga buxheti shtetëror dhe në pasoja psikologjike për autorin dhe familjarët e tjerë, si fëmijët. Mendoj se duhet bërë më shumë në ndjekjen e një politike sociale dhe edukimi ligjor në shoqëri, për të sensibilizuar shoqërinë rreth rëndësisë së vënies në dijeni të autoriteteve kompetente për çdo situatë në të cilën bëhen dëshmitarë dhe heqjen dorë nga indiferentizmi në masë që së fundmi po na karakterizon. Gjithashtu një vëmendje më e kujdesshme i duhet kushtuar integritetit dhe aftësisë profesionale që zotërojnë përçuesit e drejtësisë, personat kompetentë për dhënien e urdhërave të mbrojtjes[5], të cilët në shumicën e rasteve kanë reflektuar dhënien e vendimeve të cilat nuk janë efikase dhe proporcionale. Ngritja e strukturave sociale për dhunuesin, i cili nuk është çudi të zgjedhë rrugën e alkoolizimit për t’u kthyer në një individ me një potencial rrezikshmërie të madhe shoqërore.
- Dhuna në familje në raport me nenin 2 të KEDNJ dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Strasburg).
Sipas nenit 2 KEDNJ e drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj. Por krahas parimit të përgjithshëm të mbrojtjes absolute të jetës, në pikën 2 të dispozitës është parashikuar përjashtimi, në kontekstin “justifikues”, kur privimi nga jeta vjen nga përdorimi i forcës, që është jo më shumë se absolutisht i domosdoshëm me qëllim përmbushjen e një ndër qëllimeve alternative që janë: së pari, mbrojtja e çdo personi nga dhuna e paligjshme; së dyti, kryerja e një arrestimi të ligjshëm ose për të parandaluar arratisjen e një personi të ndaluar ligjërisht dhe së treti, për të kundërshtuar, në përputhje me ligjin, një trazirë ose kryengritje. Pavarësisht se trajtimi në këtë ese është parë në këndvështrimin e humbjes së jetës, si pasojë e dhunës në familje kur viktimë kryesisht është femra, GJEDNJ në çështjen Opuz kundër Turqisë, ka argumentuar se: “Çështja e dhunës në familje, e cila mund të formësohet në mënyra të ndryshme nga dhuna fizike tek ajo psikologjike ose abuzimi verbal…është një problem i përgjithshëm që shqetëson të gjitha shtetet anëtare dhe që nuk rezulton gjithmonë në sipërfaqe pasi që shpesh ndodh brenda marrëdhënieve personale ose qarqeve të mbyllura dhe nuk janë vetëm gratë të prekura. Gjykata pranon se meshkujt mund të jenë gjithashtu viktima të dhunës në familje dhe, në të vërtetë, edhe fëmijët janë shpesh viktima të fenomenit, qoftë në mënyrë direkte apo indirekte…”.[6]
Çështja Tomašić dhe të tjerë kundër Kroacisë, e përballi Gjykatën me aplikimin e drejtuar nga të afërmit e një fëmije dhe nënës së tij, të dy viktima të ekzekutuar nga babai/bashkëshorti, i cili gjithashtu ishte vetëvrarë, një muaj pas lirimit të tij nga burgu. Arsyeja e qëndrimit në burg të këtij individi rezultonte të ishte kallëzimi i bërë nga viktima si pasojë e kërcënimeve të vazhdueshme me vdekje të drejtuara kundrejt saj. Sipas aplikantëve, shteti kroat kishte dështuar në marrjen e masave adekuate për të mbrojtur fëmijën dhe nënën e tij dhe nuk kishte kryer një hetim efektiv mbi përgjegjësinë e mundshme të shtetit për vdekjet e të afërmve të tyre. Bazuar në rrethanat faktike, vlerësohet e mjaftueshme për Gjykatën për të gjetur shkelje të aspektit substancial të nenit 2 KEDNJ, dështimi i autoriteteve përkatëse vendase për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme dhe të arsyeshme në rrethanat e rastit aktual për të ofruar mbrojtje për jetën e dy viktimave. Referuar gjetjeve të sistemit të brendshëm gjyqësor dhe përfundimeve të ekzaminimeve psikiatrike u vu në dukje se autoritetet kishin qenë të vetëdijshëm se kërcënimet e bëra kundër jetës së nënës dhe fëmijës ishin serioze (kërcënime të bëra dhe gjatë seancave gjyqësore ku viktima kishte qenë e pranishme) dhe se të gjitha hapat e arsyeshëm duhet të ishin ndërmarrë për t’i mbrojtur. Gjykata më tej vuri në dukje disa mangësi në sjelljen e autoriteteve: megjithëse raporti psikiatrik i hartuar për qëllimet e procedurës penale kishte theksuar nevojën për trajtimin e vazhdueshëm psikiatrik të të dënuarit, qeveria kroate nuk kishte arritur të provonte se një trajtim i tillë ishte administruar siç duhej; dokumentet e paraqitura treguan se trajtimi i të dënuarit në burg ishte i përbërë nga seanca bisedimesh me stafin e burgjeve, asnjë prej të cilëve nuk ishte psikiatër; as rregulloret përkatëse, as argumentimi i gjykatës që urdhëron trajtimin e detyrueshëm psikiatrik nuk kishin dhënë detaje të mjaftueshme se si do të administrohej trajtimi; dhe së fundi, i dënuari nuk i ishte nënshtruar një vlerësimi para lirimit të tij nga burgu për të vlerësuar nëse ai ende përbënte rrezik për fëmijën dhe nënën e tij.[7]
Çështja Civek kundër Turqisë, vjen e trajtuar në kuadrin e një sërë çështjesh të marra në shqyrtim nga ana e GJEDNJ-së ndaj një shteti ku dhuna në familje është shqetësuese, siç është Turqia. Në rolin e kërkuesit qëndron i biri i viktimës së ekzekutuar nga bashkëshorti i saj (babai i kërkuesit). Që nga viti 2009, viktima banonte me tre fëmijët e saj në një qendër sociale pranimi për gratë e dhunuara, pasi si pasojë e ankesës së saj, bashkëshorti i saj u arrestua dhe u akuzua për shkaktim të dëmit trupor ndaj saj. Por kjo e fundit, në Dhjetor 2010 tërhoqi ankesën e saj duke sjellë si rrjedhojë lirimin e menjëhershëm të dhunuesit, lirim i shoqëruar me një masë gjyqësore mbikëqyrjeje (duke konsistuar në paraqitjen para organeve policore në ditët dhe oraret e përcaktuara) dhe shmangien e çdo sjellje të dhunshme ose kërcënuese ndaj bashkëshortes së tij, si dhe detyrimin për t’u larguar menjëherë nga banesa martesore për një periudhë 3 mujore. Pas 11 ditësh pas lirimit të dhunuesit, nëna e kërkuesit paraqiti përsëri ankime ndaj bashkëshortit të saj, i cili tashmë e kishte kërcënuar me vdekje. Policia vetëm regjistroi ankimin e nënës së kërkuesit dhe nuk mori asnjë masë për arrestimin e dhunuesit, derisa gruaja u vra në rrugë nga bashkëshorti i saj, i cili e qëlloi atë me thikë 22 herë. Gjykata në mënyrë unanime vendosi se Turqia kishte shkelur nenin 2 të KEDNJ, duke arsyetuar se në varësi të informimit të vazhdueshëm nëpërmjet ankesave të bëra nga nëna e kërkuesve dhe dëshmive të kërkuesve, autoritetet shtetërore përfaqësuar nga policia ishin në dijeni ose duhej ta dinin se e dhunuara mund të ishte objekt i një sulmi vdekjeprurës. Megjithëse autoritetet morën disa masa, ata nuk morën masat e mjaftueshme efektive për të parandaluar vrasjen. Pas marrjes së ankesës në një hark kohor të shkurtër, policia vetëm regjistroi ankimin tjetër nga viktima pa marrë asnjë masë praktike dhe konkrete për të mbrojtur efektivisht nënën e kërkuesve. Autoritetet mund të kishin arrestuar ligjërisht bashkëshortin për mosrespektim të urdhrave të gjykatës.[8]
Në çështjen Talpis kundër Italisë, Gjykata u përball në muajin Mars të vitit 2017 me dhunën bashkëshortore të pësuar nga kërkuesia, e cila rezultoi me vrasjen e djalit të saj dhe tentativën për vrasjen e saj. Sipas kërkueses që nga viti 2012, bashkëshorti i alkoolizuar e dhunonte fizikisht, situatë për të cilën kishte vënë në dijeni dhe autoritetet policore, por pas ekzaminimeve mjekësore policët e zonës e informuan kërkuesen që të paraqitej pranë shërbimit spitalor të urgjencës dhe askush nuk e informoi mbi mundësinë e paraqitjes së kallëzimit apo kontaktit me qendrën për viktimat e dhunës në familje. Sulmi i dytë ndaj kërkueses çoi sërisht në informimin e policisë prej saj, por përsëri pa asnjë reagim nga ana e këtyre të fundit. Më 18 Nëntor 2013, vjen dhe episodi i tretë i dhunës ku nga sulmi mbeti i vdekur dhe fëmija (djali) i aplikantes dhe dhunuesit. Gjykata gjeti shkelje të nenit 2 të Konventës, pasi autoritetet italiane dështuan në përmbushjen e detyrimit të tyre pozitiv të përcaktuar në Konventë. “Autoritetet me inercinë dhe indiferencën e tyre kanë krijuar hapësirë për ardhjen e pasojave, pasi ata e kanë vënë re në mënyrë të përsëritur dhunën e bashkëshortit, por nuk kanë marrë masat e nevojshme dhe të përshtatshme për të mbrojtur jetën e kërkueses dhe atë të djalit të saj kundër rrezikut të vërtetë dhe të njohur”.[9]
Gjykata në qëndrimin e mbajtur në praktikën e saj referuar rasteve të dhunës në familje në mënyrë të qartë ka ritheksuar se fëmijët dhe kategoritë vulnerabël, në veçanti kanë të drejtën e mbrojtjes nga ana e shtetit në formën e parandalimit efektiv, duke synuar mbrojtjen e tyre nga format po aq serioze të veprave penale të cilat kanë si qëllim cënimin e integritetit të personit. Rrethi i organeve dhe institucioneve përgjegjës është tepër i gjerë, por detyrimi pozitiv që vetë neni 2 i Konventës reflekton synon krijimin e një sistemi gjyqësor efektiv dhe të pavarur që do të mundësojë identifikimin e shkaktarit vrasës së individit dhe ndëshkimin e autorit. Në kuadrin e veprimtarisë së autoriteteve shtetërore, konkretisht autoriteteve të vijës së parë siç është policia, duhet të ofrohet siguri për zbatimin me rigorizitet nga ana e tyre të parashikimeve ligjore, duke nënkuptuar domosdoshmërinë e një “diligjence” të arsyeshme. Por qëllimi i detyrimit pozitiv në frymën e Konventës nuk mund të jetë absolut, pasi nuk mund t’u imponohet autoriteteve shtetërore një barrë e tepruar për të ushtruar funksionet e tyre legjitime në një shoqëri bashkëkohore, përballë një reagimi njerëzor të paparashikueshëm apo zgjedhjeve operacionale të zbatuara sipas një plani të paracaktuar. Si rrjedhojë, çdo kërcënim i mundshëm i jetës nuk i detyron autoritetet për të marrë masa konkrete për parandalimin e tij, përveç rasteve kur kërcënimi është objektiv dhe autoritetet kanë dijeni ose duhej të kishin dijeni se në të vërtetë një individ i caktuar është shënjestër e tij dhe se brenda kompetencave të autoriteteve masat e marra nga ana e tyre, nga një këndvështrim i arsyeshëm, padyshim që do të sjellin neutralizimin e kësaj situate.
Rekomandime:
- Organizatat e shoqërisë civile duhet t’i kushtojnë një vëmendje të veçantë reflektimit dhe vënies në dukje të çdo situate, qoftë edhe duke ndjekur rrugën ligjore në rast të ekzistencës së mosveprimit nga ana e autoriteteve shtetërore përballë një episodi të dhunës në familje. Kryesisht ajo pjesë e organizatave të shoqërisë civile, e cila në thelbin e objektivave të saj ka mbrojtjen e të drejtave të grave duhet të nxiten që të përfaqësojnë raste të litigimit strategjik duke u orientuar nga praktika gjyqësore e GJEDNJ-së.
Mendoj se i duhet dhënë fund reagimit në momentin final, pra në momentin e ekzekutimit, në momentin kur kemi një viktimë !
- Sugjeroj t’i kushtohet më tepër rëndësi masave sociale rehabilituese me qëllim krijimin e qendrave të specializuara të trajtimit të dhunuesve. Mbyllja e një dhunuesi në një institucion për ekzekutimin e vendimit penal nuk ka dhënë efektet e duhura, që nënkupton që qëllimi rehabilitues i dënimit nuk është arritur. Madje referuar rasteve praktike vërehet se dhunuesi risocializohet në një formë më të ashpër, dhe ky element është tepër logjik në vetvete, burgjet nuk mund të konsiderohen në asnjë rast një vend i mirëfilltë edukimi apo rehabilitimi.
- Referuar ndryshimeve të reflektuara në Kodin e Procedurës Penale bazuar në Ligjin nr.35/2017, viktima e veprës penale tashmë është një subjekt aktiv i procesit penal pasi në bazë te nenit 58 pika a) të tij gëzon një nga të drejtat themelore: “të kërkojë ndjekjen penale të fajtorit”. Viktimat e dhunës në familje dhe në mënyrë të veçantë avokatët që i përfaqësojnë ato duhet të jenë aktivë në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre në procesin penal.
- Subjekti “viktimë” ka hapur tepër debat dhe mendoj se do vazhdojë të ketë, pasi pavarësisht se ne kemi përqafuar një doktrinë mikse ndërmjet sistemit inkuizitor dhe atij akuzator në vendin tonë të drejtën e inicimit të procedimit penal , pra akuza në gjykim është përfaqësuar nga Prokurori. Me përjashtim “të dëmtuarit akuzues” para ndryshimeve K.Pr.P. dhe “viktimës akuzuese” pas ndryshimeve të K.Pr.P. e cila ka të drejtën e depozimit të kërkesës për ndjekjen penale të fajtorit drejtpërdrejtë në gjykatë.
Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj nr.3, datë 06.02.2008 ka argumentuar se:
“Si akuza publike ashtu edhe akuza private të parashikuara nga legjislacioni procedural penal janë dy mekanizma që shërbejnë për ndjekjen penale të autorit të veprës penale dhe në asnjë rast ato nuk kanë për qëllim eleminimin e njëra tjetrës. Ato bashkëveprojnë edhe në raste të caktuara gjejnë zbatim veçmas”.[10]
- “Arresti në burg” referuar nenit 230 pika 1 K.Pr.P. është një ndër masat e sigurimit personal e cila mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit. Por kjo masë në sistemin gjyqësor është masa më shumë e aplikuar, sidomos në rastin e zbatimit të nenit 130/a apo 79/c K.Pr.P. Referuar nenit 246 pika 6 K.Pr.P. prokurori është subjekti i cili ka detyrimin ligjor për të informuar me shkrim gjykatën që ka caktuar masën e sigurimit rreth mënyrës së zbatimit të vendimit të arrestimit, çdo 2 muaj nga moment i ekzekutimit të vendimit të arrestit. Sugjeroj që për shkak të rëndësisë së veçantë dhe zhvillimit dinamik të veprës penale së “dhunës në familje” të ketë një kontroll periodik çdo 1 muaj nga ana e prokurorit, me qëllim kontrollin e procedurës së zbatimit të vendimit të arrestit. Mendoj se periudha 1 mujore është më e përshtatshme në rastin e kësaj vepre penale për të verifikuar vijueshmërinë e hetimeve dhe nevojave të sigurimit, këto të fundit mund të kenë gjasa të kenë ndryshuar gjë që sjell revokimin, zëvendësimin ose bashkimin e masës së sigurimit personal.
PUNOI: ARDITA KOLMARKU
Praktikante – Komiteti Shqiptar i Helsinkit
[1] Portali BalkanWeb, më 31/08/2017. Marrë online: http://www.balkanweb.com (aksesuar më 24/09/2017).
[2] Portali BalkanWeb, më 24/09/2017. Marrë online: http://www.balkanweb.com (aksesuar më 24/09/2017).
[3] Tamo, A. dhe Karaj, Th. Korrik 2005 “Dhuna kundër Fëmijëve në Shqipëri” Qendra e Zhvillimeve Humane, Tiranë, fq 16.
[4] 14 Pikat e programit dhe informacione të tjera mund t’i gjeni në faqen e internetit: , AI Index: ACT 77/012/2006.
[5] Ligj nr.9669, datë 18.12.2006 “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.
[6] Parag.132 i vendimit, Aplikim nr. 33401/02, Strasburg datë 09/06/2009.
[7] Parag. 52 e vijues të vendimit, Aplikim nr.46598/06, Strasburg datë 15/01/2009.
[8] Aplikim nr.55354/11, Strasburg datë 23/02/2016.
[9] Parag.76 i vendimit, Aplikimi nr.41237/14, Strasburg datë 02/03/2017.
[10] Vendim i Gjykatës Kushtetuese nr.3, datë 06/02/2008.