Sipas medias jemi informuar se këtë vit nuk do të ketë amnisti. Kjo është një kompetencë ekskluzive e Kuvendit. Megjithatë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) e shikon të nevojshme të evidentojë qëllimin e amnistisë, referuar standarteve ndërkombëtare si dhe ligjeve të amnistisë të miratuar nga Kuvendi i RSH vitet e kaluara.
Amnistia udhëhiqet nga parimet e humanizmit, arritjes së qëllimit të dënimit, rrezikshmërisë së ulët të personave që aministohen, edukimit dhe rehabilitmit si dhe mbrojtjes së interesit publik. Në këtë vështrim, KShH i sugjeron Kuvendit të RSH që qoftë edhe brenda muajit Janar 2018 të shqyrtojë mundësinë e dhënies së një amnistie.
KShH ka monitoruar vazhdimisht, edhe gjatë vitit 2017, respektimin e të drejtave të personave që vuajnë dënimin si dhe masat e marra për trajtimin human të tyre, me synim rehabilitimin e tyre dhe riintegrimin në shoqëri. Gjatë këtyre monitorimeve, KShH ka konstatuar se ka të dënuar që i plotësojnë kriteret ligjore për tu amnistuar dhe ndaj tyre mendojmë se duhet të ndiqet një politike penale që përshkohet nga ndjenja e humanizmit. Midis këtyre të dënuarve ka të sëmurë kronikë, gra dhe të mitur, të moshuar të cilët nuk kanë kryer vepra me rrezikshmëri të theksuar shoqërore dhe që u ka mbetur relativisht pak kohë nga vuajtja e dënimit.
Parimi i rehabilitimit dhe humanizmit siç dihet janë parime universale, të cilat janë mishëruar në Konventa dhe dokumenta të rëndësishme ndërkombëtare. Zbatimi i tyre nuk është vetëm në interes të individit apo të familjeve të veçanta, por edhe në mbrojtje të interesit publik. Në këtë mënyrë, shteti tregon vullnetin për të ndjekur një politikë penale bashkëkohore, ku në vend të ndëshkimit me burgim shikohen edhe rrugë dhe mjete të tjera alternative me anë të të cilave mund të arrihet rehabilitimi dhe riintegrimi në shoqëri i një kategorie të dënuarish që janë në nevojë dhe nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore.