Në datën 16 Dhjetor të vitit 1990, themelimi nga një grup intelektualësh të shquar i organizatës së parë jofitimprurëse në Shqipëri, i emërtuar fillimisht si Forumi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, ngjalli një jehonë dhe interes të veçantë, brenda dhe jashtë vendit. Në vitet e para të demokracisë, misioni i Komitetit Shqiptar të Helsinkit ishte shumë deçiziv, pasi në kushtet e një demokracie të brishtë e të sapo krijuar, edhe shkeljet e të drejtave dhe lirive të njeriut ishin më të shumta dhe evidente.
Në këto 27 vite veprimtari, KShH ka qenë dhe vazhdon të jetë një organizatë joqeveritare e paanshme dhe pro-aktive, e spikatur në mënyrë të veçantë nga forca e vazhdueshme e reagimit publik, sa herë që të drejtat dhe liritë e njeriut shkelen nga institucionet shtetërore.
Me rastin 27 vjetorit të themelimit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit me mbështetjen financiare të Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë organizoi një tryezë diskutimi ku u prezantuan gjetjet dhe problematikat që kanë rezultuar nga një monitorim intensiv i legjislacionit, praktikës institucionale dhe gjyqësore për të drejtat dhe liritë e migrantëve, azilkërkuesve dhe refugjatëve në Shqipëri.