Komiteti Shqiptar i Helsinikit (KShH) fiton betejën e parë në kuadër të transparencës së kërkuar për publikun për procesin e Vettingut. Pas ankimimit tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit (Komisioneri), KShH-së i është pranuar ankimimi ndaj dy organeve ndihmëse të vettingut, përkatësisht ndaj Drejtorisë së Sigurisë së Informaciont të Klasifikuar (DSIK) dhe Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).
Edhe pse nuk ndajmë të njëjtin qëndrim me Komisionerin për sa i përket ankesës sonë ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, KShH vlerëson transparencën e kërkuar nga Komisioneri ndaj dy organeve ndihmëse të cilat janë përgjegjëse për dy komponentë tepër të rëndësishëm të vettingut, pasuria dhe lidhjet e mundshme të gjyqtarëve/prokurorëve me krimin e organizuar. Parimi i transparencës është i rëndësishëm për forcimin e shtetit të së drejtës dhe me interes të veçantë për opinionin e publik, aq më tepër në kuadër të rezultateve të zbatimit të reformës në sistemit të drejtësisë.
Duke shpresuar që ky vendim të shërbejë si shembull për të gjitha institucionet e tjera përgjegjëse të vettingut që duhet të realizojnë me përgjegjshmëri, profesionalizëm dhe në frymën e ligjit transparencën ndaj publikut, po ju përcjellim shkurtimisht 3 rastet e ankimuara nga KSHH pranë Komisionerit.
Në datën 14 Nëntor 2017, KShH ju drejtua Komisionerit me ankim administrativ për mosdhënien e informacionit të plotë nga tre organet ndihmëse të sipërpërmendura, kryesisht për të dhëna të natyrës statistikore lidhur me kontrollet dhe vlerësimet paraprake që këto organe bëjnë sa i takon pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale të gjyqtarëve, prokurorëve dhe subjekteve të tjera të vettingut.
Në datën 5 Shkurt 2018, Komisioneri ka disponuar me vendim për tre ankesat e mësipërme, ku i hapet rrugë transparencës së kërkuar nga DSIK dhe ILDKPKI[1]. Në arsyetimin e këtyre dy vendimeve, Komisioneri vlerëson se informacioni i kërkuar në kuadër të procesit të vettingut i nënshtrohet kërkesave dhe detyrimeve të parashikuara në ligjin për të drejtën e informimit nr.119/2014. Është me interes interpretimi i Komisionerit sa i takon rëndësisë thelbësore që ka paraqitja e këtij informacioni në përmbushje të qëllimeve të procesit të vettingut, për rikthimin e besimit të shtetasve në sistemin e drejtësisë, bazuar në dispozitat e Ankesit Kushtetues dhe Vendimit të Gj.Kushtetuese nr.78 (2017). Lidhur me argumentin e parashtruar nga DSIK se informacioni është i klasifikuar, Komisioneri arsyeton në vendimin e tij se ky argument bie ndesh me nenin 39 të ligjit të vettingut, pasi parimisht informacioni bëhet publik në raportet që paraqiten nga ky organ tek Komisioni i Pavarur të Kualifikimit, se ky informacion nuk rrezikon sigurinë e burimit apo nuk është i kushtëzuar nga qeveria e ndonjë shteti tjetër. Pra informacioni i kërkuar nga KSHH ndaj DSIK-së nuk është i klasifikuar.
Gjithashtu, gjejmë rastin të informojmë publikun se në dt. 5 Shkurt 2018, KShH u tërhoq nga ankimi administrativ i depozituar tek Komisioneri ndaj Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pas paraqitjes së ankimit të KShH-së, Inspektorati na ka dërguar dy shkresa zyrtare ku vërehet se informacioni i përcjellë ka përmbushur nga pikëpamja formalo-ligjore kërkesën e tonë për informacion. Referuar shkresave të këtij organi, shkak për vonesën e dhënies së informacionit brenda afateve ligjore ka qenë mbingarkesa e veprimtarisë dhe mungesat në përqindje të lartë në burimet njerëzore të Inspektoratit.
Ndjekja e këtyre rasteve pranë Komisionerit është realizuar në kuadër të nismës “Për të rritur transparencën, gjithëpërfshirjen dhe përgjegjshmërinë në procesin e Vettingut”, me mbështetje të Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”.
[1] http://www.idp.al/wp-content/uploads/2018/02/Vendim_nr_06-Prokuroria_e_Pergjithshme.pdf
http://www.idp.al/wp-content/uploads/2018/02/Vendim_nr_05-ILDKPKI.pdf
http://www.idp.al/wp-content/uploads/2018/02/Vendim_nr_04-DSIK.pdf