Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) nëpërmjet medias së shkruar dhe asaj elektronike është informuar mbi shqetësimin e një numri të konsiderueshëm qytetarësh që ankohen se janë hequr padrejtësisht nga skema për ndihmën ekonomike.
KShH nuk paragjykon ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e kësaj apo asaj skeme të ndihmës ekonomike që është zbatuar ose ndryshuar, pasi kjo do të kërkonte një monitorim të thelluar, konkret dhe të gjithanshëm, për të arritur në përfundime të sakta.
Megjithëkëtë, ankesat e shtetasve janë të rëndësishme dhe jetësore, ndaj e shikojmë të nevojshme t’u sugjerojmë institucioneve shtetërore përkatëse që të tregojnë më tepër transparencë për t’i dhënë përgjigje të saktë, me argumente bindëse dhe ligjore, çdo ankuesi.
KShH mendon se për kushtet e vendit tone, nivelin e varfërisë dhe mungesën e alternativave të sigurta të punësimit për të gjithë shtetasit që përballen me të, ky është një problem sa i rëndësishëm aq dhe jetik. Shqipëria vijon të jetë i vetmi vend në Evropë që nuk ka përcaktuar minimumin e të ardhurave ekonomike që i shërbejnë individit dhe familjes së tij për të plotësuar nevojat shëndetësore, fizike dhe mendore në mënyrë dinjitoze (minimumi jetik).
KShH mendon se shteti duhet të tregojë më tepër kujdes për shtresat në nevojë që nuk kanë të ardhura dhe që nuk plotësojnë as kushtet minimale të jetesës, që janë të paaftë për punë ose nuk mund të punësohen në kushte të përshtatshme, siç parashikojnë objektivat sociale të renditura në nenin 59, të Kushtetutës.
Për KShH-në, zgjidhja e problemit kërkon jo-politizim por shqyrtimin në mënyrë profesionale dhe në përputhje me dispozitat ligjore, duke analizuar në mënyrë objektive nevojat ekonomike, shëndetësore dhe familjare të shtetasve që janë në nevojë dhe që kërkojnë mbështetjen e shtetit. Në këtë drejtim është i rëndësishëm jo vetëm kontributi i ekspertëve të fushës por gjithashtu grupeve të interesit dhe organizatave të shoqërisë civile që mbrojnë të drejtat dhe liritë e shtresave në nevojë. Ky konsultim nuk duhet të jetë formal por real dhe në përputhje me legjislacionin për njoftimin dhe konsultimin publik.