Ecuria e procesit të vettingut në drejtësi ka rëndësi të veçantë për krijimin e institucioneve të reja, për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese e integruese të vendit, për zhbllokimin e ngërçeve të krijuara në procesin e plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, si dhe për të përmbushur në kohë e me cilësi pritshmëritë e publikut ndaj zbatimit të reformës.
Rezultatet pozitive të arritura gjatë muajve qershor – korrik 2018, duke shënuar zhvillimin e një numri të madh seancash dëgjimore dhe numër të lartë vendimmarrjeje pritej të kishin ritëm të njëjtë dhe përmirësime cilësore në fazën e re të subjekteve të tjera të listës prioritare, të rinisur në muajin shtator. Ne, si përfaqësues të shoqërisë civile, konstatojmë me shqetësim se ndryshe nga pritshmëria dhe nevojat e reformës, dy muajt e fundit është vërejtur një ngadalësim i ndjeshëm i procesit të vettingut, në raport me ritmet dinamike që ky proces ka patur pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) në qershor e korrik të këtij viti. Sipas kalendarit të seancave dëgjimore, në korrik rezulton se janë zhvilluar 31 seanca, përgjatë 18 ditëve të këtij muaji, me një mesatare 1.7 seanca në ditë. Në muajin shtator 2018, rezulton të jetë zhvilluar vetëm 1 seancë, ndërkohë për muajin tetor janë zhvilluar vetëm 4 seanca.
Problemi i dytë shqetësues, lidhet me ndryshimin e vendit të zhvillimit të seancave dëgjimore nga KPK[1]. Pavarësisht se nuk ka pengesa të dukshme në pjesëmarrjen e publikut dhe të medias në proces, sallat e reja janë relativisht me hapësirë të vogël për të akomoduar si vëzhguesit e pavarur ashtu dhe gazetarët, çka nuk shërben procesit të publictetit dhe transparencës. Ne vlerësojmë faktin se në rastet kur publiku i interesuar për të ndjekur seancat dëgjimore ka qenë i shumtë në numër, personeli i KPK-së ka marrë masa për sistemimin e tyre. Megjithatë, në funksion të standardeve më të larta të transparencës dhe respektimit të parimit të publicitetit, ne vlerësojmë se do të ishte e rekomandueshme që KPK të gjente një zgjidhje tjetër alternative, për ato raste kur numri i personave të interesuar për të marrë pjesë në seancë, është më i lartë se kubatura që salla ofron për publikun.
Sa i takon aksesit pamor dhe fonisë që sallat ofrojnë për median dhe publikun, standartet e ofruara në këtë drejtim janë të përshtatshme. Megjithatë vërehet se distanca midis subjektit dhe pjesës tjetër të audiencës (publikun/median) është shumë e afërt, çka mund ta vendosë subjektin, në pozita jo komode dhe jo të përshtatshme gjatë procesit, gjë e cila mund të krijojë hapësirë për të pretenduar mosrespektimin e së drejtës për proces të rregullt, në kuadër të së drejtës për t’u mbrojtur që gëzon subjekti i vettingut.
Gjithashtu, ne konstatojmë se gjatë muajit shtator dhe tetor janë publikuar në faqen zyrtare të KPK-së, vendimet e seancave të zhvilluara gjatë muajit korrik, të cilat datën e dhënies së vendimit e kanë brenda afatit ligjor për shpalljen e tyre në mënyrë të arsyetuar, por në faqe ato bëhen publike 30 deri në 50 ditë pas datës së shënuar në vendim. Kemi mendimin se vonesat në këtë drejtim ndikojnë negativisht në transparencën dhe pritshmërinë e publikut.
[1] Nga ambjetet e Pallatit të Kongreseve, në ambjetet e godinës së ish Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve