Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) shpreh shqetësimin se në kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 3 Dhjetor – 21 Dhjetor 2018 nuk është parashikuar asgjë për diskutimin apo miratimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
Duket se deklaratat e bëra se ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të miratoheshin brenda muajit dhjetor të këtij viti nuk do të realizohen.
KShH duke patur parasysh përvojën negative të zgjedhjeve të vitit 2017, kur në Kodin Zgjedhor nuk u bë asnjë ndryshim, si dhe vështirësitë që u krijuan në këtë rast, i bën thirrje mazhorancës dhe opozitës që me dialog, transparencë dhe konsensus të vlerësojmë maksimalisht këtë çështje.
KShH mendon se si përfaqësues të popullit, ata duhet ta informojnë publikun, se cilat janë shkaqet për të cilat zvarritet kryerja e Reformës Zgjedhore, kur dihet se ky është një nga kriteret për çeljen e bisedimeve me BE-në.
KShH e shikon të nevojshme të theksojë se ç’do zvarritje mund të ketë pasoja të dëmshme në zbatimin e standarteve që kërkohen.
KShH ka parasysh se sipas nenit 74 të Kushtetutës, sesioni i Kuvendit për vitin 2019 fillon në 21 Janar 2019, ndërsa zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore zhvillohen me 30 Qershor 2019.