MBI SITUATËN E RESPEKTIMIT TË TË DREJTAVE DHE LIRIVE TË NJERIUT NË SHQIPËRI GJATË VITIT 2018
Gjatë vitit 2018, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka fokusuar veprimtarinë e tij në fusha të rëndësishme si zbatimi i reformës në drejtësi, aksesi në drejtësi i grupeve në nevojë, respektimi i të drejtave të njeriut në institucionet penitenciare, komisariatet e policisë, spitalet psikiatrike, pikat e kalim kufirit dhe qendrat e azilkërkuesve, parandalimi dhe lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe diskriminimit, promovimi i medias së lirë, transparenca dhe mirëqeverisja e institucioneve, mbrojtja e mjedisit, etj.
KShH ka realizuar monitorime të herëpashershme, ka ndërmarrë fushata ndërgjegjësimi dhe edukimi ligjor, ka reaguar publikisht për rastet e shkeljeve flagrante, ka komunikuar me institucionet shtetërore me kërkesa për informacion dhe duke adresuar rekomandime konkrete, ka ofruar shërbime ligjore falas për grupet në nevojë, si dhe ka përfaqësuar çështje me interes publik në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Procesi i vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, edhe pse u shoqërua me disa vonesa, ka ngjallur interes të lartë tek publiku. Shtetasit kanë përcjellë një numër të konsiderueshëm ankesash tek organet e vettingut, por në asnjë rast nuk del që ata të kenë kërkuar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Vettingu ka dhënë rezultatet e para konkrete. Gjatë monitorimit të seancave dëgjimore të zhvilluara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit u konstatua se në tërësi, procesi ka qenë publik, transparent dhe është respektuar procesi i rregullt ligjor. Megjithatë, vëzhguesit e KShH-së kanë evidentuar raste sporadike të standardeve të dyfishta në vendimmarrjen e KPK-së, ndaj kemi mendimin se praktika e vettingut ka nevojë të konsolidohet. Procesi i rivlerësimit është bazuar kryesisht në kriterin e pasurisë, duke mos pasur në konsideratë edhe dy kriteret e tjera: atë të vlerësimit të figurës dhe të aftësive profesionale.
Vonesat në zbatimin e ligjit të vettingut, vonesat në ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) kanë krijuar ngërçe dhe probleme shqetësuese në drejtim të aksesit të qytetarëve në drejtësi, veçanërisht në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë.
Disa nga arsyet që kanë penguar konstituimin me legjitimitet të plotë vendimmarrës të KED-së së përkohshme kanë qenë ritmet jo dinamike të vettingut me përparësi të anëtarëve të shortuar në KED, mos kalimi me sukses i vettingut për pjesën dërrmuese të këtyre anëtarëve apo dorëheqja e tyre si dhe vështirësitë e paraqitura në drejtim të gjetjes së kandidatëve që plotësojnë kriteret e parashikuara në ligj. Të njëjtët faktorë kryesisht kanë ndikuar edhe në vonesat për zgjedhjen e anëtarëve magjistratë në dy Këshillat (KLGJ dhe KLP). Megjithatë, ngërçi në këto dy Këshilla u zhbllokua pas realizimit të mbledhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat u karakterizuan nga një proces i hapur, publik dhe transparent. Megjithatë, kemi mendimin se platformat e kandidatëve magjistratë në këto Këshilla, në disa raste nuk ishin vizionare. Në vendimmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve për disa nga kandidatët magjistratë u vërejtën elementë të korporatizmit, për të zgjedhur ata kandidatë që nuk ruajtën një balancë të drejtë në platformat e prezantuara, sa i takon forcimit të pavarësisë dhe rritjes së përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së sistemit gjyqësor.
Disa nga ligjet e Reformës në Drejtësi janë bërë objekt rishqyrtimi në Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë, në tre vendime ka shfuqizuar si të papajtueshëm me Kushtetutën të disa prej dispozitave të dy ligjeve të atakuara, por deri më sot rezulton se Kuvendi nuk i ka marrë ato në shqyrtim.
Gjatë periudhës Shkurt – Qershor 2018, KShH monitoroi 28 komisariate të policisë në rang vendi. Pavarësisht investimeve në infrastrukturë, kushtet e akomodimit të shtetasve në disa prej tyre janë krejt të papërshtatshme dhe në disa raste kanë elementë të trajtimit ç’njerëzor (mungesa e higjienës, krevateve, ndriçimit natyral apo artificial, mungesa e ajrimit, etj.). KShH ka monitoruar 2 ankesa për ushtrim dhune nga forcat e policisë. Në këtë drejtim ka pasur edhe pretendime të tjera për ushtrim dhune, por ato kanë qenë të vonuara dhe si pasojë vërtetimi i tyre ka qenë i vështirë. Mungesa e mjekut apo e kontrollit mjekësor, mungesa e kamerave gjatë intervistimit apo pretendimet se ushtrimi i dhunës është realizuar gjatë transferimit për në Komisariat ose nga Komisariati në Burg, kanë sjellë vështirësi për të provuar pretendimet e personave. Në këto raste, kemi kërkuar prokuroria të forcojë hetimin e plotë, objektiv dhe të gjithanshëm.
KShH ka ndërmarrë 13 misione monitorimi në spitale psikiatrike dhe në burgje në rang vendi, për respektimin e të drejtave të shtetasve me probleme të shëndetit mendor. Përsa i përket sigurisë në rastet e personave që vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor, stafi mjekësor dhe psiko-social rezultoi se nuk ndërmerr hapat e duhur për të vlerësuar në mënyrë periodike rrezikun e sigurisë nga vetëlëndimet e këtyre shtetasve. Në sistemin e burgjeve, u vërejtën vakanca për staf mjekësor dhe psiko-social të specializuar për këta të sëmurë si dhe parregullsi në plotësimin e kartelave klinike. Akomodimi i shtetasve me masë mjekësore në sistemin e burgjeve mbetet një fenomen shqetësues. Në spitalet psikiatrike problematik paraqitet fenomeni i braktisjes nga ana e familjarëve të pacientëve kronikë dhe subakutë të akomoduar në shërbimet psikiatrike. Vakancat në personelin shëndetësor i përkasin kryesisht stafit infermier të mesëm. Mungesa e ambienteve të jashtme në natyrë ka ndikuar negativisht në rehabilitimin e të sëmurëve. Gjithashtu janë konstatuar një sërë parregullsish në procedurat e ndjekura për dokumentimin e rasteve të vendosjes së pacientit në trajtim të pavullnetshëm dhe mungesë e respektimit të standardeve të kufizimit fizik.
Nga monitorimi që KShH ka realizuar në pikat e kalimit kufirit, është evidentuar një rritje e ndjeshme e fluksit të azilkërkuesve dhe migrantëve të paligjshëm krahasuar me vitin e kaluar. KShH ka konstatuar mungesën e kapaciteteve infrastrukturore dhe në burime njerëzore për trajtimin e këtij fluksi të shtuar. Urdhëri nr 805, dt. 01.08.2017 i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë ka ndikuar në forcimin e sistemit të menaxhimit të kufijve nëpërmjet kontrolleve rigoroze në kufi, por lind nevoja që ky urdhër të konceptohet dhe të zbatohet nën frymën e detyrimeve konventore që parashikojnë respektimin e lirisë së lëvizjes. KShH vlerëson përpjekjet e autoriteteve për hartimin e Strategjisë Kombëtare për qeverisjen e migracionit dhe Planin e Veprimit 2019 – 2022.
KShH ka kryer rreth 26 misione verifikimi ankesash në sistemin e burgjeve, në gjykatë dhe në terren. Në sistemin penitenciar problematik vijon të jetë mbipopullimi, i cili, në disa raste, është bërë shkak për vendosjen e të paraburgosurve dhe të dënuarve në dhomat e veçimit. KShH ka vërejtur gjithashtu mungesa në personelin mjekësor dhe në medikamente. Programeve edukuese dhe rehabilituese nuk u kushtohet vëmendja e duhur. Pengesë në këtë drejtim është edhe infrastruktura e papërshtatshme e disa institucioneve dhe numri i kufizuar i punonjësve social dhe psikologëve. Në disa raste, personat e privuar nga liria në burgje kanë pretenduar raste të korrupsionit pasiv nga personeli i burgjeve, lidhur me dhënien e lejeve shpërblyese, transferimet, praktikat e uljes së dënimit si dhe njohjes së kohës së punës në institucion, etj. Hyrja në fuqi e Kodit të Ri të Drejtësisë Penale për të Mitur ka ndikuar pozitivisht në uljen e numrit të të miturve të akomoduar në sistemin penitenciar.
KShH ka trajtuar 3 ankesa nga të dënuarit, të cilët kanë pretenduar se janë dhunuar fizikisht nga stafi me uniformë i burgjeve. Ankesat për ushtrim dhune ndaj të dënuarve nuk hetohen në mënyrë të plotë dhe objektive, ndërkohë që infrastruktura e sistemit nuk mundëson një dokumentim të mirë të pretendimeve për ushtrim dhune (psh mungesa e kamerave të sigurisë apo kapaciteti i ulët i tyre). Këto vepra nuk kualifikohen sipas nenit 86 të Kodit Penal “Torturë apo trajtim c’njerëzor” por kualifikohen si plagosje e lehtë, apo veprime arbitrare, çka e lehtëson së tepërmi pozitën ligjore të personave të akuzuar në radhët e personelit, për ushtrim të dhunës.
Gjatë vitit 2018, KShH ka reaguar publikisht në 39 raste, ndërkohë që janë trajtuar 216 ankesa të përcjella nga qytetarët. Rreth 69 % e ankesave janë të personave të privuar nga liria në sistemin e burgjeve, ndërsa pjesa tjetër ka të bëjë me konflikte të pronësisë, dhunës në familje, marrëdhënieve të punës si dhe ankesa ndaj sistemit të drejtësisë. Nga shqyrtimi i ankesave si dhe për zgjedhjen e drejtë të tyre, KShH i është drejtuar institucioneve përkatëse me rekomandime për të rivendosur të drejtën e cënuar ose për të marrë masat për një trajtim më të shpejtë dhe në përputhje me ligjin të ankesave të shqyrtuara.
KShH ka ndjekur me vëmendje procesin e reformës zgjedhore, kryesisht në drejtim të adresimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Ngritja e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore nuk mundësoi arritjen e konsensusit të nevojshëm midis partive politike, për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndërkohë që në Qershor të vitit tjetër do të zhvillohen zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore. Reforma zgjedhore, vijon të mbetet peng i monopolit të partive politike.
Niveli i korrupsionit mbetet i lartë dhe faktet e kohëve të fundit tregojnë se edhe në sektorin e arsimit aktet korruptive nuk kanë munguar. Në forumet e organizuara nga KShH me studentë të Universiteteve janë evidentuar forma të ndryshme të shfaqjes së korrupsionit.
Gjatë këtij viti KShH është angazhuar edhe me organizimin e takimeve ndërgjegjësuese me të rinj dhe përfaqësues të shoqërisë civile për rrezikun që paraqet fenomeni i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit. Nga veprimtaritë e zhvilluara në bazë, evidentohen një sërë problematikash në drejtim të njohjes relativisht të pakët të këtyre fenomeneve, ekzistencës së riskut potencial për radikalizimin e grupeve në nevojë, prezencës së sjelljeve të bullizmit në shkolla, rrezikut që vjen nga përdorimi i shtuar i medias sociale, i cili mund të përbëjë burim të rrezikshëm rekrutimi të të rinjve sidomos atyre të vetmuar, etj.
KShH ka trajtuar dhe po monitoron çështje të strehimit dhe pronësisë të adresuara nga ankesat e qytetarëve. Nga trajtimi i tyre është vërejtur mosrespektimi i afateve ligjore të njoftimit për prishjen e banesave nga ana e IKMT-së, si dhe mungesa e alternativave të qëndrueshme të strehimit për njerëzit në nevojë. KShH ka reaguar publikisht për protestën e banorëve të Unazës së Re, duke i bërë thirrje autoriteteve për të dialoguar në mënyrë konstruktive në gjetjen e një zgjidhje adekuate dhe konform standardeve të vendosura nga Gjykata e Strasburgut, si detyrime minimale që shtetet kanë për të zbatuar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Rasti Connors kundër Mbretërisë së Bashkuar është precedenti mbizotërues në praktikën e kësaj gjykate për problemet e ngrehinave pa leje, ku është analizuar sistemi i kufizime të së drejtës për banesë. Kjo e drejtë mbron jo vetëm ndërtimet pa leje, por edhe ngrehinat prej plasmasi dhe ato lëvizëse të Minoritetit Rom dhe Egjiptian, çka e ka zgjeruar fushën e mbrojtjes së nenit 8 të Konventës Evropiane që mbron të drejtën për jetë familjare[1].
KShH gjithashtu ka dhënë kontribut modest dhe të orientuar drejt përmirësimit të akteve të ndryshme ligjore dhe nënligjore që janë hartuar gjatë vitit 2018. Konkretisht janë ofruar oponenca ligjore për 12 akte të ndryshme, ndër të cilat për strehimin social, organizimin e lojërave të fatit, për profesionin e lirë të avokatit, aktet nënligjore për ndihmën juridike të garantuar nga shteti etj.
Gjatë vitit 2018, KShH ka vënë në lëvizje me nismën e saj ose ka përfaqësuar disa shtetas për çështje me interes publik para Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, gjykatave vendase, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Strasburgut. Vlen të përmendim këtu raste të tilla si, mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm i banorëve të Minoritetit Rom në një lagje të Fushë Krujës, akomodimi në sistemin e burgjeve i shtetasve me masë mjekësore të dhënë nga gjykata, sigurimi dhe vendosja e implantit koklear të të miturit, mungesa e shpërblimit adekuat ndaj punës së të dënuarve, ndotjet e shkaktuara nga furrat gëlqerore në Fushë-Krujë, ndotjet në lumin Gjanicë, Tërkuzë, Devoll, etj. Disa prej këtyre çështjeve janë zgjidhur me sukses, duke krijuar modele pozitive të mbrojtjes gjyqësore. Aktualisht, pranë Gjykatës së Strasburgut janë në shqyrtim edhe 5 çështje të dërguara nga shtetas të përfaqësuar nga KShH, gjatë viteve 2016-2017.
Në kuadrin e mbrojtjes së lirisë së shprehjes, KShH ka reaguar publikisht edhe në rastet e presionit apo kërcënimeve që u janë bërë gazetarëve lidhur me ushtrimin e detyrës së tyre, ku më i rëndi ishte ai ndaj banesës së familjarëve të gazetares Klodiana Lala. Në disa raste cënimi i lirisë së shprehjes është tentuar të minimizohet pas presioneve, kërcënimeve dhe ndërhyrjeve në ushtrimin e profesionit të lirë të gazetarit, ndërkohë që këto raste, në përfundim të hetimeve nuk rezultojnë të ndëshkohen penalisht autorët e tyre.
Liria e tubimit në mënyrë paqësore është një e drejtë kushtetuese dhe e parashikuar në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Dialogu real dhe jo formal me protestuesit është detyrim që çdo institucion ka në përmbushje të parimit të qeverisjes së hapur. Në disa raste, përdorimi i fjalëve ofenduese ndaj protestuesve apo politizimi i protestave ka ndikuar në përshkallëzimin e tyre, duke u shoqëruar me lëndime në radhët e forcave të rendit dhe protestuesve. Në disa tubime, sipas medias ka pasur raste të fillimit të procedimit penal ndaj protestuesve për kundërvajtjen penale të “Organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”. Kemi mendimin se ligjit për tubimet dhe Kodi Penal vlen të rishikohet në dritën e jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut, e cila, në praktikën e saj ka vërejtur forma të ndryshme të ndërhyrjes së shtetit në të drejtën për tu organizuar në mënyrë paqësore (si p.sh. “a” refuzimi i autoriteteve për të lejuar tubimin, “b” shpërndarja e tubimit, “c” evakuimi i protestuesve nga vendi i tubimit, “d” ndalimet dhe sanksionet pas tubimit, si në aspektin administrativ dhe atë penal).
[1] GJEDNJ ka marrë në shqyrtim çështjen e humbjes së menjëhershme të banesës, në rastet e vendimeve për ti prishur ato për shkak se janëë pa leje dhe në shkelje të legjislacionit që rregullon ndërtimin e banesave (Ivanova dhe Cherkezov k. Bullgarisë). GJEDNJ shqyrtoi kryesisht nësë prishja ishte “e nevojshme në një shoqëri demokratike”. Në shqyrtimin e çështjes Gjykata u mbështet në vendimet e mëparshme, në të cilat është konstatuar se procedurat për të dëbuar nga shtëpia duhet të pajtohen me interesin që mbrohet nga neni 8 i Konventës; humbja e shtëpisë është një nga format më ekstreme të ndërhyrjes në të drejtën për të respektuar banesën, pavarësisht nga fakti nëse personi që jeton në banesë i përket ose jo një grupi vulnerabël. Në vlerësimin nëse kishte patur ose jo shkelje të nenit 8 në këtë rast, Gjykata e bazoi vlerësimin në konkluzionin se çështja në fjalë ishte shqyrtuar nga gjykatat vendase vetëm mbi bazën e paligjshmërisë së ndërtimit dhe gjykimi ishte kufizuar vetëm në këtë aspekt, pa marrë në vlerësim efektin disproporcional potencial të zbatimit të një urdhëri prishje në situatën personale të aplikantëve. (Ibid., §§ 49-62)