MISIONI YNE
Misioni i KSHH është të kontribuojë për respektimin e të drejtave të njeriut, forcimin e shtetit të së drejtës, si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, në përputhje me Kushtetutën dhe me aktet ndërkombëtare të zbatueshme në Republikën e Shqipërisë.
Mandati i KSHH-së në kuadër të përmbushjes së misionit është:
- Të informojë dhe sensibilizojë qytetarët shqiptarë dhe të gjithë aktorët e tjerë për të drejtat dhe liritë e tyre
- Të monitorojë, të advokojë dhe të mbrojë, në mënyrë pro aktive, së bashku me aktorë të tjerë të shoqërisë civile, organizata kombëtare dhe ndërkombëtare, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në Shqipëri e më gjerë
- Të përgatitë raporte alternative për zbatimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri
- Të ofrojë oponencë ligjore dhe ekspertizë për përmirësimin e legjislacionit dhe harmonizimin e tij me “acquis communautaire” të BE, si dhe zbatimin e tij në praktikë, duke rivendosur të drejtat e shkelura
- Të ofrojë shërbim ligjor falas, në kuadër të litigimit strategjik, në ndihmë të viktimave që u janë shkelur të drejtat e njeriut
- Të ndihmojë në forcimin e shtetit të së drejtës nëpërmjet zbatimit më të mirë të legjislacionit në fuqi, forcimit të kapaciteteve të administratës publike dhe ushtrimit të presionit ndaj saj, me mjete demokratike
- Të nxitë llogaridhënien e administratës publike në zbatimin korrekt dhe efektiv të legjislacionit nëpërmjet denoncimit publik të cenimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, ose shkeljeve të kryera dhe, sipas rastit dhe kompetencës, referimit të tyre tek organet e drejtësisë
- Të luajë rol aktiv në gjirin e shoqërisë civile për të nxitur përfshirjen e pjesëmarrjen e shtetasve në çështje me interes publik
VIZIONI YNE
KSHH beson dhe punon për arritjen e një faze zhvillimi të shoqërisë shqiptare ku qytetarët, pavarësisht nga veçoritë, ose dallimet midis tyre ushtrojnë lirisht dhe në mënyrë të njejtë të drejtat dhe liritë e tyre themelore, në përputhje me standardet kushtetuese dhe ato ndërkombëtare, në të gjitha aspektet e jetës.
KSHH beson se përparimi në mbrojtjen, promovimin dhe respektimin në praktikë të të drejtave të njeriut realizohet përmes angazhimit dhe bashkëpunimit konstruktiv mes qytetarëve, si dhe mes tyre dhe institucioneve të tjera publike, private dhe jofitimprurëse që besojnë në këtë vizion.
OBJEKTIVAT STRATEGJIKE PER VITET 2020 - 2022
Objektivat strategjikë dhe programet e KSHH të paraqitura në këtë seksion të Planit Strategjik reflektojnë: (i) vizionin, misionin dhe vlerat e KSHH; (ii) analizën e faktorëve kyç në kontekstin politik, ekonomik dhe shoqëror që do të ndikojnë në mbrojtjen, promovimin dhe zbatimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri në tri vitet e ardhshme; (iii) analizën e përparësive konkurruese të KSHH; dhe (iv) njohuritë mbi planet e organizatave të tjera të shoqërisë civile, institucioneve publike dhe programeve ndërkombëtare që punojnë në fushën e te drejtave të njeriut në Shqipëri.
Gjatë periudhës 2020-2022, KSHH do të punojë për të arritur këto objektiva strategjikë:
- Nivel më i lartë i njohurive të publikut lidhur me gamën e gjerë të të drejtave të njeriut
- Kuadër ligjor më i përmirësuar për të drejtat e njeriut, me fokus të veçantë në të drejtën për jetën, të drejtën për jetë familjare, të drejtën për proces të rregullt ligjor, të drejtën e votës, dhe të drejtën për të jetuar i lirë nga tortura dhe trajtimi çnjerëzor
- Përmirësime konkrete në respektimin dhe zbatueshmërinë, pa diskriminim, të të drejtës për jetën, të drejtës për jetë familjare, të drejtës për proces të rregullt ligjor, të drejtës së votës, dhe të drejtës për të jetuar i lirë nga tortura dhe trajtimi çnjerëzor, veçanërisht për shtresat në nevojë, të miturit, personat LGBT dhe gratë
- Forcimi i qëndrueshmërisë së KSHH