Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), duke marrë shkas nga komunikata e djeshme për shtyp e Prokurorit të Përgjithshëm në drejtim të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Z. Donald Lu, me keqardhje konstaton se, ky komunikim nuk është as i përshtatshëm dhe as i shëndetshëm për zbatimin e reformave në vendin tonë.
KShH vlerëson se, Prokurori i Përgjithshëm dhe çdo prokuror tjetër në Republikën e Shqipërisë i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe Ligjeve në fuqi. Vetëm në bazë të ligjit, organi i prokurorisë reagon, duke hetuar dhe vendosur mosfillimin, pushimin apo dërgimin e çështjes penale për gjykim.
KShH si një organizatë joqeveritare, jofitimprurëse dhe e pavarur vlerëson ndihmën e dhënë për vendin tonë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me anë të Zyrës së OPDAT (Programi i Ndihmës dhe i Trajnimit të Zhvillimit të Prokurorisë). Kjo zyrë ka dhënë dhe vazhdon të japë kontribut të çmuar në drejtim të zhvillimit të drejtësisë penale, me synim intensifikimin e luftës kundër korrupsionit publik, krimit të organizuar dhe trafikimit njerëzor. Këtij qëllimi i ka shërbyer dhe vazhdon t’i shërbejnë trajnimet e ofruara nga kjo zyrë për gjykatës, policë e prokurorë, mbështetja logjistike si dhe teknike që synon rritjen e kapaciteteve dhe efikasitetit të strukturave për zbatimin e legjislacionit penal.
Gjithashtu, në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë, KShH vlerëson kontributin e dhënë nga zyra e OPDAT nëpërmjet ofrimit të ekspertizës profesionale amerikane, në mënyrë të veçantë për hartimin e legjislacionit pjesë e paketës anti-korrupsion. Dëshirojmë të përmendim këtu, kontributin e dhënë nga ekspertët e OPDAT dhe Misionit Euralius për hartimin e ligjit nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, zbatimi efektiv i të cilit do të jetë deçiziv në luftën kundër korrupsionit në vendin tonë.
KShH nënvizon se, qendrimet e partnerëve ndërkombëtarë duhet të mirëkuptohen jo vetëm kur shprehin vlerësime për funksionimin e institucioneve të shtetit shqiptar, por edhe kur ato ngrenë shqetësime dhe kritikojnë funksionin jo të duhur të këtij sistemi. Këto janë qëndrime të partnerëve që vijnë nga vende me demokraci e institucione të konsoliduara të shtetit të së drejtës dhe kontribuojnë në integrimin e vendit tonë në familjen evropiane.
Së fundmi, KShH vlerëson kontributin e përfaqësuesve të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, në drejtim të të çuarjes përpara të një reforme të rëndësishme për vendin tonë, reformës në drejtësi. Në mënyrë të veçantë vlerësojmë kontributin e Zotit Donald Lu, ambasadorit të SHBA-së në vendin tonë, i cili me dashamirësi dhe korrektesë ka nxitur miratimin e e kësaj reforme.