Punoi: Iva Plaushku, Juriste
Rishikoi : Erida Skëndaj, Drejtore Ekzekutive, KShH
Ky artikull synon të japë një panoramë të përgjithshme mbi procesin e rivlerësimit të pastërtisë së figurës, konsistencën e jurisprudencës dhe procedurën e ndjekur nga ana e trupave gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Artikulli është bazuar në studimin e një kampioni vendimesh (jo të gjitha) të KPK-së dhe KPA-së ku merret në analizë specifike kriteri i figurës apo siç njihet ndryshe kontakti i papërshtatshëm ose jo i gjyqtarëve/prokurorëve me krimin e organizuar. Rrjedhimisht, gjetjet dhe disa nga konkluzionet e parashtruara në këtë artikull nuk mund të konsiderohen të plota dhe gjithëpërfshirëse.
Në fokus të artikullit janë edhe konkluzionet e pasqyruara në relacionet e organit ndihmës, DSIK-së në raport me gjetjet që kanë rezultuar nga hetimi administrativ i thelluar i organeve të vettingut, veçanërisht KPK-së, sipas ligjit « Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë » nr. 84/2016.
Në fillimet e procesit të vettingut, bazuar në një kërkesë për informacion të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, DSIK referoi se kishte konstatuar 200 subjekte nga 800 në total me kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar. Por siç do të rezultonte më pas, shumë prej përfundimeve të pasqyruara në relacionet e organit ndihmës, DSIK-së janë përmbysur nga hetimi administrativ i thelluar i organeve të vettingut. Kontrolli i figurës, në një numër relativisht të paktësh rastesh ka rezultuar një instrument i domosdoshëm për të identifikuar gjyqtarë/prokurorë të cilët kanë kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar, të cilët në vlerësimin tërësor të organeve të vettingut janë konsideruar se nuk përmbushin pritshmërinë dhe besimin në publik. Në shumicën dërrmuese të këtyre rasteve, ky kriter është vlerësuar në harmoni dhe me dy kriteret e tjera të cilat kanë rezultuar me probleme.
Sikurse dihet, me miratimin e amendamenteve kushtetuese dhe legjislacionit të vettingut, pati një minorancë subjektesh të cilët dhanë dorëheqjen brenda afatit 3 mujor nga hyrja në fuqi e këtij legjislacioni. Procedura e rivlerësimit për këta subjekte pushoi ndërkohë që mediatikisht u përfol se për disa nga këto subjekte kishte kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar. Relacionet e DSIK (deklasifikuara plotësisht apo pjesërisht), nëse janë hartuar për këto subjekte, nuk janë të aksesueshme për publikun, sa kohë nuk ka një vendim përfundimtar të organeve të vettingut për shkak se ndaj tyre procesi ka pushuar.
Përse u vendos që kriteri i figurës të ishte pjesë e kontrollit të vettingut dhe çfarë parashikon kuadri ligjor për vlerësimin e këtij kriteri?
Qëllimi i vendosjes së këtij kriteri në kuadër të procesit të vettingut ështe identifikimi i rasteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, ose që janë lehtësisht të influencuar nga persona që kanë lidhje me krimin e organizuar.
Në komentarin mbi parimet e Bangalores mbi konceptin e integriteti të një gjyqtari shprehimisht thuhet se: “Në sistemin gjyqësor integriteti është shumë më tepër se një virtut është një nevojë”[1]. Gjyqtari në veprimtarinë e tij duhet të tregohet i ndjeshmë dhe të shmangë kontakte që mund të ngrenë dyshime dhe spekulime nga persona te tjerë se ekziston një marrëdhënie e posaçme midis tij dhe një personi tjetër dhe që gjyqtari mund të tundohet për ta trajtuar në mënyrë preferenciale.[2]
Rivlerësimi i aspektit të pastërtisë së figurës kalon në disa etapa dhe përfshin plotësimin e deklaratës së pastërtisë së figurës brenda afatit 30 ditor nga hyrja në fuqi e ligjit Nr.84/2016, verifikimin e deklarimeve nga organet e ngarkuara dhe të specializuara siç është DSIK, përgatitjen e raportit të DSIK dhe dërgimin e tij organeve të vettingut dhe verifikimin përfundimtar nga këto të fundit me anë të një hetimi të thelluar administrativ. Ashtu sikurse është analizuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.2 të vitit 2017, veprimtaria e organeve të vettingut është e pavaruar dhe pakushtëzuar nga gjetjet e organeve ndihmëse. Ky konkluzion i Gjykatës Kushtetuese rezulton të jetë reflektuar edhe në praktikën e organeve ndihmëse, veçanërisht në vendimet e KPK-së.
Rrethanat që merren parasysh në vlerësimin e kontaktit të papërshtatshëm janë kur gjyqtari/prokurori, është fotografuar, ose kur një dëshmitar përshkruan një takim me një person të përfshirë në krimin e organizuar; kur gjyqtari/prokurori ose personi i lidhur me të ka pasur një komunikim jorastësor me një person të përfshirë në krimin e organizuar; kur gjyqtari/prokurori ose një person i lidhur me të ka shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri me një person të përfshirë në krimin e organizuar;, etj.
Ligji ka marrë në konsideratë edhe rrethana që lehtësojnë pozitën e gjyqtarit ose prokurorit lidhur me kontaktet e papërshtatshme, si psh kur marrëdhënia familjare e gjyqtarit/prokurorit me personin e përfshirë në krimin e organizuar është e largët, ose ka kontakte familjare të rralla, kur gjyqtari/prokurori ka qenë i hapur, i besueshëm dhe i plotë në lidhje me kontaktet dhe është distancuar prej tyre, etj. Shqyrtimi i rrethanave lehtësuese ka qenë objekt i hetimit administrativ të organeve të vettingut, si psh, për subjektin e rivlerësimit I.K, ku KPK ka konkluduar se ndonëse ky subjekt ka deklaruar ekzistencën e një kontakti të papërshtatshëm në deklaratën e kontrollit të pasurisë, nga hetimi administrativ nuk vërtetohet se marrëdhënia e subjektit me shtetasin R. K. është e largët ose ka kontakte familjare të rralla. Gjithashtu, nuk vërtetohet që subjekti i rivlerësimit të ketë qenë apo të jetë i distancuar prej tij. Përkundrazi, me deklarimet e tij (pas kalimit të barrës së provës dhe në seancën dëgjimore) u vërtetua një marrëdhënie e ngushtë dhe kontakt në vijimësi midis tyre.[3]
Kriteri i figurës në raport me kufizimet e të drejtave të njeriut
Debati për përfshirjen e kriterit të të figurës, gjatë hartimit të reformës në drejtësi mori në analizë edhe faktin se ky kriter mund te cenonte të drejtën e gjyqtarit/prokurorit apo familjarëve të tij për respektimin e jetës familjare dhe private. Gjyqtari/prokurori në deklaratën për kontrollin e figurës, jep pëlqim për kotrollin e aksesin për njohjen dhe administrimin e të dhënave personale.
Komisioni i Venecias në Opinionin e tij për ligjin e vettingut ka vlerësuar se duke patur parasysh kufizimet e lejuara për të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare të parashikuar në nenin 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, është e qartë se ekzistenca e kontakteve të papërshtatshme midis gjyqtarit dhe njerëzve të përfshirë në krimin e organizuar do të binte ndesh me sigurinë kombëtare, do të inkurajonte në vend që të parandalonte, cenimin e rendit publik apo kriminalitetin dhe mund të kërcënojë në vend që të mbrojë të drejtat dhe liritë e të tjerëve.[4] Pra në vlerësimin e Komisionit të Venecias, kufizimi që procesi i vettingut bën në drejtim të së drejtës për respektimin e jetës private dhe familare të gjyqtarëve dhe prokurorëve është proporcional dhe i justifikuar.
Të “gabuara”, opinionet apo vlerësimet në kuadër të vettingut për korruptimin e subjekteve
Edhe pse procesi i vettingut është administrativ dhe jo një proces penal, janë vërejtur raste kur ndaj gjyqtarëve/prokurorëve që i janë nënshtruar vlerësimit të kriterit të figurës, kanë rënduar dyshime për përfshirjen e tyre në afera korruptive. Në fakt korrupsioni si fenomen nuk mund të jetë objekt i verifikimit apo konkludimit nga organet e vettingut apo për më tepër, organet e tyre ndihmëse. Si terminologji, fjala korrupsion nuk përdoret në asnjë dispozitë të ligjit të vettingut, pikërisht për të shmangur mbivendosjen me legjislacionin penal, pasi korrupsioni përbën vepër penale dhe që ai të vërtetohet në praktikë duhet ti nënshtrohet hetimit të thelluar penal dhe gjykimit nga organet e drejtësisë penale.
Në kuadër të vettingut, lidhur me kontrollin e kriterit të figurës, si rrethanë e kontakteve të papërshtatshme parashikohet rasti kur subjekti ose një person i lidhur me të ka shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri me një person të përfshirë në krimin e organizar. Në këtë drejtim, vërehet se legjislatori ka qenë i kujdesshëm pasi së pari, nuk ka përmendur fjalën “korrupsion” dhe së dyti “shkëmbimin e parave, favoreve apo pasurive e ka lidhur kur ato janë me një subjekt të përfshirë në krimin e organizar” para jo me çdo subjekt, sikurse vërehet në raste të caktuara në praktikën e vettingut. Pra edhe pse i nënkuptuar si fenomen ekzistues tek gjyqtarë apo prokurorë të caktuar, për shkak të mënyrës së si është konceptuar vettingu, sërisht, organet e vettingut nuk janë organet përgjegjëse për të konkluduar për korrupsionin. Mgjth, në praktikë vërehen konkluzione të gabuara lidhur prezencën e korrupsionit dhe mënyrën se si është realizuar hetimi administrativ për të verifikuar këtë fenomen.
Kështu, në rastin e gjyqtarit I.T, organi ndihmës raportonte ndër të tjerash se ka të dhëna që ngrenë dyshime për përfshirjen e tij në korrupsion pasiv në vitin 2004[5]. Komisioni e ka pyetur subjektin e rivlerësimit dhe pas verifikimeve, ka arritur në konkluzionin se subjekti, nuk ka qenë në kushtet e referuara nga DSIK-së, pasi nuk u konstatua të kishte ndonjë kontakt të papërshtatshëm … ai ka kryer me përgjegjësi dhe korrektesë punën e tij dhe konform ligjit në vlerësimin e KPK-së.[6]
Në rastin e subjektit të rivlerësimt F.L organi ndihmës DSIK në raportin përfundimtar të tij konkludon se, disponohen të dhëna se subjekti i rivlerësimit ka favorizuar një shtetas të proceduar penalisht …. kundrejt një shume të caktuar parash gjatë kohës në të cilën ka ushtruar detyrën e prokurorit në dy prokurori të ndryshme. KPK, pas hetimit të pavarur dhe shqyrtimit të dosjeve penale arrin në përfundimin se ato mbështesin konstatimet e DSIK-së, mbi favorizim kundrejt shumave të caktuara parash gjatë kohës në të cilën ka ushtruar detyrën e tij si prokuror.[7]
“Nevoja” për rishikimin e relacioneve të organit ndihmës, DSIK-së
Në praktikën e organeve të vettingut ka patur raste kur ndonëse DSIK ka paraqitur relacion që e cilësonte subjektin si të papërshtatshëm për vijimin e detyrës, organet e vettingut e kanë hedhur poshtë pas kryerjes së një hetimi të thelluar administrativ. Me kërkesë të organeve të vettingut ka patur raste kur DSIK ka përgatitur për herë të dytë relacione ose relacione shtesë, për fakte apo elementë që mund të implikonin subjektet e rivlerësimit në forma të kontaktit të papërshtatshëm me krimin e organizuar. Në relacionin e dytë apo në shtesën e tij, vetë DSIK mundo të ketë konkluduar në mënyrë të ndryshme në raport me relacionin e parë.
Kështu, për subjektin A.Ç, DSIK ka hartuar fillimisht një relacion në të cilin konfirmonte përshtatshmërinë për vijimin e detyrës, ndërkohë që me kërkesë të KPK-së ka hartuar një relacion ku janë përfshirë të dhëna nga organet ligjzbatuese. Në relacionin e dytë, DSIK arrin në një konkluzion të ndryshëm nga i pari, ku në këtë rast vlerësohet papërshtatshmëria e subjektit për vijimin e detyrës. Vlen të theksohet në rastin në fjalë se Komisioni ka vlerësuar se relacioni i dytë i DSIK-së konsiderohet i plotë dhe se subjekti nuk arriti të bindë për të kundërtën e rezultatit të këtij relacioni. Një praktikë e ngjashme vërehet për subjektin e rivlerësimit S.S për të cilin relacioni i parë DSIK-së konfirmonte përshtatshmërinë për vijimin e detyrës, kurse relacioni i dytë e cilësonte të papërshtatshëm.[8]
Nevoja për të paraqitur relacione për herë të dytë nga DSIK ka ardhur si rezultat, edhe kur gjatë procesit të vettingut janë paraqitur denoncime nga publiku për lidhjet e subjektit me krimin e organizuar. Një shembull i tillë ka qenë rasti i subjektit E.Dh për të cilin relacioni i parë i dërguar nga DSIK konfirmonte përshtatshmërinë për vijimn e detyrës. Por, denoncimi i mbërritur pranë KPK që sqaronte se kunati i tij ishte dënuar në shtetin e Greqisë për një vepër penale që konsoderohet pjesë e krimit të organizuar. Relacioni i dytë i DSIK-së, pjesërisht i deklasifikuar, referon se, verifikimet provojnë të dhënat e denoncimit duke konkluduar mbi papërshtatshmërinë e subjektit.[9] Komisioni ka argumentuar se përjashtohet çdo lidhje mes tij dhe subjektit të rivlerësimit, duke marrë në konsideratë mungesën e komunikimeve të drejtpërdrejta mes subjektit të rivlerësimi dhe kunatit të tij. Gjithashtu provohet si i besueshëm, deklarimi i subjektit për mungesë dijenie mbi ngjarjet në lidhje me kunatin. Këto përputhen dhe me gjetjet nga ana e ONM-së.
Deklasifikimi i të dhënave të DSIK-së
Në disa raste, raportet e DSIK kanë patur të dhëna konfidenciale të kategorisë sekret. Subjektet e rivlerësimit, në jo pak raste kanë kërkuar deklasifikimin e informacionit për tu njohur me rezultatet e hetimit, por jo gjithmonë kërkesa e tyre është pranuar.
Në rastin e subjektit të rivlerësimit Sh.S, DSIK nuk e ka kryer deklasifikimin tërësor të raportit me arsyetimin për të mbrojtur të dhënat personale të personave të tjerë, të cilët përmenden në këtë raport. Për këtë subjekt, KPK ka realizuar një hetim të pavarur pasi është deklasifikuar pjesërisht informacioni, duke marrë të dhëna nga organet e tjera ligjzbatuese me qëllim verifikimin e të gjitha fakteve. Në arsyetimin e vendimit të KPK-së për shkarkimin e subjektit nga detyra, vlerësohet se gjyqtari ka tendenca për përfshirjen në veprimtari kriminale dhe mund të vihet lehtësisht nën presion nga strukturat kriminale.[10]
Jurisprudenca e organeve të vettingut lidhur me kriterin e figurës
Edhe pse vendimmarrja e organeve të vettingut, numëron shumë pak raste të shkarkimeve të subjekteve lidhur me kriterin e figurës (bazuar vetëm në këtë kriter ose i vlerësuar në raport me kriteret e tjera), sërisht, duke marrë në anaizë disa prej këtyre vendimeve, mund të bëhet një vlerësim (ndonëse jo i plotë), lidhur me ecurinë dhe evoluimin e analizës së vlerësimit të këtij kriteri.
Disa prej kontakteve të papërshtatshme të subjekteve me krimin e organizuar, të cilat janë marrë në analizë dhe hetim të organeve të vettingut, edhe pse jo në çdo rast janë konfirmuar si të bazuara janë, revokimi i vizës amerikane, pasaktësitë në plotësimin e deklaratës së figurës në drejtim të kontakteve të papërshtatshme me krimin e organizuar (veçanërisht në drejtim të personave me të cilët subjekti ka lidhje familjare), favorizimi i personave me lidhje me krimin e organizuar nga subjekti gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të saj, shkëmbimi i favoreve apo dhuratave me ta, etj.
Për subjektin e rivlerësimit L. H, raporti i DSIK i deklasifikuar konkludoi mbi “Papërshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës së subjektit të rivlerësimit”, për faktin se, bazuar në pikën 2, të nenit 36 të ligjit nr. 84/2016 subjekti i rivlerësimit ka pasaktësi pasi nuk ka deklaruar në deklaratën vetting refuzimin e vizës amerikane. Në një vlerësim të kundërt arriti Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili ka vlerësuar se, nuk jemi para faktit të refuzimit të hyrjes në një vend të caktuar. Refuzimi i vizës ndaj subjektit nuk është motivuar për shkaqe të tilla si korrupsioni etj, por ka të bëjë me shkaqe të tjera që nuk vendosin në pikëpyetje pastërtinë e figurës së tij.
Në një rast të ngjashëm vërehet një vlerësim i ndryshëm i organeve të vettingut për subjektin e rivlerësimit A.K. Në raportin e DSIK-së konkludohet se subjekti është i papërshtatshëm bazuar në faktin se atij i është revokuar viza nga SHBA, ndërkohë që të dhënat e deklaruara nga subjekti nuk paraqiten siç janë në realitet [11]. Kolegji i Posaçëm i Apelimit vëren se, prezumohet se subjekti ka qenë i vetëdijshëm se mosplotësimi i saktë dhe me vërtetësi i deklaratës për kontrollin e figurës mund të passjellë shkarkimin e tij nga detyra.[12] Gjyqtari i mbetur në pakicë për këtë çështje, arsyeton se me refuzim të hyrjes do të duhej të kuptohej çdo ndalim ndaj subjektit për të hyrë në një shtet të BE/NATO, qoftë nëpërmjet revokimit/refuzimit të një vize, qoftë nëpërmjet refuzimit fizikisht të hyrjes në një shtet, në pikën e tij kufitare.[13] Instituti i refuzimit të hyrjes në një shtet nuk është i njëjtë me atë të refuzimit/revokimit të vizës, por lidhet me pengesën objektive që një subjekt ka pasur për të hyrë në territorin e një shteti.[14] Në ndryshim nga subjekti L.H, për subjektin A.K vërehet se ka rrethana të tjera që e implikojnë atë në drejtim të kontakteve të papërshtatshme. Kjo pasi në raportin e DSIK-së, vlerësohet se janë marrë informacione nga organet ligjzbatuese, për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme të subjektit, kryesisht në atë të korrupsionit, për shkak të funksionit të tij, si dhe për favorizimin e personave të caktuar gjatë ushtrimit të detyrës si gjyqtar[15]. KPK e zgjeroi hetimin për këtë subjekt, duke kërkuar informacion të detajuar pranë gjykatës dhe prokurorisë përkatëse. Sipas informacioneve të klasifikuara, rezultoi se subjekti i rivlerësimit, duke shpërdoruar funksionin, kishte favorizuar në mënyrë të paligjshme persona të caktuar. Por hetimi administrativ i KPK-së çoi në një vlerësim të kundërt me atë të DSIK. KPK arriti në përfundimin se në raportin e dërguar nga DSIK-ja, vlerësimi i kryer nuk përmban rrethana bindëse, të mjaftueshme për të konkluduar për ndonjë favorizim apo ndikim të paligjshëm, nëpërmjet funksionit të tij, apo për konstatimin e ekzistencës së kontakteve të papërshtatshme me ndonjë person të përfshirë në krimin e organizuar.[16]
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në një prej vendimeve të tij ka hedhur poshtë konkluzionet e KPK-së mbi rezultatet për kriterin e pastërtisë së figurës me argumentin se, raporti i grupit të punës së DSIK-së, megjithëse ka evidentuar rrethanat e konstatimit të faktit se ekziston një kontakt i papërshtatshëm me persona të përfshirë në krimin e organizuar, në formën e takimit të qëllimshëm në papajtueshmëri të plotë me ushtrimin e detyrës, nuk identifikon se cilët janë personat e përfshirë në krimin e organizuar dhe nuk plotëson kushtin ligjor për t’u kategorizuar në rrethin e personave të përfshirë në krimin e organizuar.[17]
Në vendimet e studiuara ka patur disa raste ku DSIK ka vërejtur se gjyqtarët/prokurorët kanë plotësuar me pasaktësi deklaratën e kontrollit të figurës, ndërkohë që këto konkluzione janë hedhur poshtë nga organet e vettingut, pas hetimit të thelluar administrativ. Kështu, për subjektin E.G, vërehet se në kohën e përpilimit dhe dërgimit të deklaratës së kontrollit të pastërtisë së figurës, personi i lidhur me këtë subjekt nuk e ka të regjistruar emrin në regjistrin e njoftimit të veprës penale. Ndaj subjektit nuk mund ti atribuohet fakti i deklarimet të pasaktë në deklaratën për kontrollin e figurës.[18]
Në praktikën e KPK-së janë vërejtur edhe raste kur nuk është kryer hetim i thelluar administrativ ndaj subjekteve që kanë marrë vlerësim pozitiv nga DSIK, pra që janë të pastër në drejtim të figurës. Në raste përjashtimore, nëse ka denoncime nga ana e publikut për përfshirje të subjketit të rivlerësimit në veprimtari që cënojnë integritetin dhe krijojnë premisa për përfshirje në krimin e organizuar atëherë, KPK ka zhvilluar hetim mbi të dhënat e denoncuara, për të provuar nëse ka elementë që cënojnë figurën e gjyqtarit/prokurorit.
[1]United Nation, Office on Drugs and Crime, Komentar mbi Parimet e Bangalore-s, mbi sjelljet në sistemin gjyqësor, paragraph 101, faqe 79. https://ëëë.un.org/ruleoflaë/files/publications_unodc_commentary-e[1].pdf
[2] Komentar mbi Parimet e Bangalore-s, mbi sjelljet në sistemin gjyqësor Paragraph 113, faqe 86.
[3] Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Vendimi Nr. 92 datë 20.12.2018, faqe 25
[4] Venice Commission. Amicus Curiae, CDL-AD(2016)036-e Brief for the Constitutional Court on the Laë on the Transitional Re-evaluation of Judges and Prosecutors, Faqe 14 https://www.venice.coe.int/webforms/documents/?pdf=CDL-AD(2016)036-e
[5] Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Vendimi Nr. 26 datë 21.06.2018, Faqe 11
[6] Vendimi Nr.26, datë 21.06.2018, faqe 15
[7] Ibid, faqe 9
[8] Përfundime të nxjerra nga seanca degjimore me subjketin e rivlerësimit. Vendimi nuk është zbardhur për të arritur një analizë përfundimtare.
[9] Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Vendimi Nr. 79 datë 22.11.2018, faqe 29
[10] Ibid, faqe 21
[11] Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Vendimi Nr.2 datë 04.02.2019. Kolegji argumenton më tej se : “Komisioni argumenton se gjithsesi, po të bëjmë diferencën ndërmjet revokimit të vizës dhe refuzimit të hyrjes, e para ka të bëjë me anulimin e një vize ekzistuese, siç e kemi konkretisht në rastin e subjektit të rivlerësimit. Sa i përket refuzimit të hyrjes, realizohet në dy mënyra, nëpërmjet refuzimit të dhënies së vizës në ambasadë, si dhe refuzimit të lejimit të hyrjes në kufi të një shteti të caktuar”.
[12] Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Vendimi Nr. 02 datë 04.02.2019, faqe 37
[13] Shih mendimin e pakicës, fq 35
[14] Shih vendimin fq 36
[15] Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Vendimi Nr 224, datë 20.12.2019, faqe 18
[16] Vendimi Nr 224, datë 20.12.2019, faqe 19.
[17] Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Vendimi Nr. 30 Datë 18.11.2019, faqe 29.